Afera e Martin Berishajt, Konjufca e mbron ambasadorin: S’ka ndonjë evidencë
Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, është deklaruar rreth rastit të Martin Berishajt, ambasador i Kosovës në Kroaci, i cili po vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së medieve sllovene. Konjufca, që është njeri i rëndësishëm i VV-së, ka vazhduar avazin e vjetër të liderëve institucional, duke u deklaruar në favor të pafajësisë së Berishajt, që po dyshohet të jetë përfshirë në aferën e GEN-it në Slloveni.
Por Konjufca e ka mbrojtur Berishajn, që po dyshohet për një aferë financiare në Slloveni, duke thënë se deri tani nuk ka asnjë evidencë.
“Duhet me dalë institucionet e drejtësisë, edhe me thanë që Martin Berishaj ka bërë krime, edhe vepra penale. Deri atëherë, ju ftoj gjitha që i keni faktet, me i prezantu. Mirëpo në bashkëpunim me të gjitha shtetet dhe gjithçka që ju kemi kërku, diçka që e tregon në këtë drejtim, ndonjë evidencë, nuk kemi deri tash asgjë. Në momentin që do t’i marrim ato, Qeveria dhe MPJ-ja do të veprojë.” – tha Konjufca për Nacionalen.
Emisioni për ambasadorin
Ndryshe, dje është emituar episodi i ri i emisionit "Tarča", që në shqip përkthehet si "Objektivi", I transmetuar në "prime time" të televizionit shtetëror slloven, episodi ka bërë jehonë gjithandej vendit gjatë së enjtes mbrëma. E gjith pasi temë diskutimi ishte GEN-i, gjegjësisht operacionet e kësaj kompanie në Ballkan, me atë më të përfolurën muajve të fundit, në Prishtinë.
Siç raportoi dje Nacionale, panelistë në emision ishin Maks Helbl, kreu i bordit të GEN-it, Zijad Beçiroviç , drejtori i IFIMES, lobisti Miloš Čirič dhe ish-drejtoresha e Zyrës për Parandalimin e Pastrimit të Parave Klaudija Stroligo. Interesant është fakti se kryeministri aktual, Robert Golob ishte gjithashtu i ftuar, por i njëjti e refuzoi pjesëmarrjen në emisionin e drejtuar nga Erika Žnidaršič.
Biseda filloi me faktin se në zyrën e GEN-it në kryeqytetin kosovar nuk është askush. Siç thuhet, ekipi i emisionit ka pyetur në adresën me numër 14 të rrugës "Gustav Majer" në Prishtinë, por nuk ka gjetur asgjë.
Madje, aty gazetari gjeti një fotokopje, pronari i së cilës iu drejtua: "GEN nuk është këtu. Nuk është këtu".

Tutje, raportimi vazhdoi me faktin se vetëm një kilometër larg nga aty, është qendra e regjistrimit të bizneseve. Kompania në pronësi të ambasadorit të Republikës së Kosovës në Kroaci dhe figurës së njohur në Slloveni, MB Consulting u bë pjesë e ballinave të mediave, pak para zgjedhjeve parlamentare, kur u publikuan transaksionet financiare.
Zhvillimet në Kosovë
Ndryshe, sot gjatë ditës, dy deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kan dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Driton Selmanaj dhe Besian Mustafa, te dy deputetë të LDK-së, e kanë dorëzuar sot në Prokurorinë Speciale kallëzimin penal ndaj Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për shkak se dyshohet se ambasadori ka gënjyer në komisionin hetimor.
Për këtë çështje ka folur z. Selmanaj.
“Çka është ky zell për ta mbrojtur Martin Berishajt, kur ai ka gënjyer në komision. Ai na ka gënjyer në sy. Prandaj, unë në cilësinë e kryetarit të këtij komisioni kam detyrim, edhe si parti politike kemi diskutuar, ta procedoj kallëzimin penal nesër për këtë person, në cilësinë e kryesuesit të komisionit parlamentar, sepse gënjeshtra nuk mund të kalojë. Ai ka gënjyer se kompania e tij është mbyllur në vitin 2021, atëherë çfarë ta pyes unë për vitin 2021 e 2022. Ne kishim mandat për vitin 2021-2022. Madje, kur e kam pyetur për vitin 2022, deputeti Haliti ka thënë “zotëri ambasador, mos u përgjigj për gjëra jashtë mandatit”, ia bënte avokatin atij, duke u frikësuar se po i shpëton diçka, por atij nuk po i shpëtojke asgjë, ishte shumë i kthjellët në çdo gjë, edhe në qasje. Prandaj unë mendoj se është në interes të vendit që ai të hetohet për deklarim të rrejshëm.” - kishte deklaruara Selmanaj.


