“Abstenon” Konjufca: E dërgon në Komisionin e Venedikut Projektligjin e ri për Këshillin Prokurorial
Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës - një ndër më të rëndësishmit në kuadër të reformës në drejtësi i cili njëherë ishte votuar në Kuvendin e Kosovës, në dy lexime - por që u rrëzua nga Kushtetuesja tashmë është rishkruar. Por, edhe ky rishkrim, do t’i nënshtrohet vlerësimit në Komisionin e Venecias. Lajmin e ka bërë të ditur sot Kuvendi i Kosovës.
“Kryetari Glauk Konjufca dërgoi në Komisionin e Venecias Projektligjin për Këshillin Prokurorial. Në përputhje me përgjegjësitë e tij kushtetuese, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka dërguar për mendim në Komisionin e Venecias Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës. I njëjti është proceduar në Kuvend ditë më parë nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës." - thuhet nga Kuvendi i Kosovës.
"Duke qenë se drafti ka pësuar ndryshime që nga vlerësimi i Komisionit të Venecias, kryetari Konjufca ka kërkuar opinion për projektligjin në tërësi, duke e konsideruar si vendimtare në arritjen e objektivit për reformim të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe adresimit të shqetësimeve dhe çështjeve të ngritura më parë." - vazhdohet më tej.
Si shtet anëtar i Komisionit të Venecias, Kosova mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të parimeve themelore të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.”- thuhet në njoftim.
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog ka thënë se e mirëpret gatishmërinë e Konjufcës për ta dërguar në Venecia Projektligjin.
“Mirëpresim gatishmërinë e kryeparlamentarit Glauk Konjufca që të konsultohet me Komisionin e Venecias për ndryshimet e rishikuara në Ligjin për KPK-në. Pajtueshmëria me standardet evropiane është prerogativë kryesore në zbatimin e reformave. Rekomandimet e Komisionit të Venecias duhet të zbatohen plotësisht në finalizimin e kësaj nisme të rëndësishme ligjore.” – ka shkruar ambasadori në Twitter.
🧵 I welcome the readiness of Speaker @KonjufcaGlauk to consult Venice Commission on the revised amendments to the Law on KPC. Compliance with European standards is key prerogative in implementing reforms.
— Ambassador Tomáš Szunyog (@EUAmbKS) July 30, 2023
Ia kërkoi BE-ja
Ditë më parë, Shefi i Zyres së BE-së për Kosovë, z. Tomas Szunyog, i kishte kërkuar kryekuvendarit Glauk Konjufca që përsëri ta dërgojë draft-ligjin e ri për konsultim në Komisionin e Venedikut.
“Marrë parasysh rëndësinë e kësaj iniciative dhe faktit që draft-ligji përfshin dispozita të reja që më parë nuk janë vlerësuar nga Komisioni i Venedikut, unë iu inkurajoj fuqishëm që të (ri) konsultoni Komisionin e Venedikut dhe të siguroheni që rekomandimet e tij janë inkorporuar siç duhet në draft-ligjin e finalizuar.” – shkruante në këtë letër z. Szunyog.
Ai ka shprehur gatishmërinë që edhe zyra e BE-së të ndihmojë me komente dhe asistentë teknike Kuvendin e Kosovës.
Në lidhje me këtë draft-ligj të ri ka pasur një reagim edhe nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës i cili shprehte pakënaqësi.
Reagime tjera kanë ardhur edhe nga pjesëtarë të shoqërisë civile që merren me çështje të drejtësisë.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lëvizja FOL kishin deklaruar pas ndryshimeve të bëra duke thënë se draft-ligji i ri është politizim objektiv i KPK-së.
“Në këtë mënyrë, Projektligji për KPK i miratuar nga ana e Qeverisë, nuk është në linjë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe Opinionet e Komisionit të Venecias. Objektivisht, një zgjidhje e tillë e vendosë KPK para politizimit të skajshëm të Kuvendit, shumicën në secilin rast e ka Qeveria.” – thuhej mes tjerash në reagimin e këtyre organizatave.
Gjykata Kushtetuese e rrëzoi
Gjykata Kushtetuese pati publikuar Aktgjykimin me anë të të cilit janë shpallur anti-kushtetuese ndryshimet e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Kujtojmë se Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës është hartuar nga ministria e Drejtësisë dhe është miratuar me shumicë votash në Kuvend.
Megjithatë, në Aktgjykimin e publikuar thuhet se parashtruesit e kërkesës, pra deputetët e PDK-së dhe LDK-së, pretendojnë se nenet 13, 16, 18 dhe 20 të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me nenet: 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], 24 [Barazia para Ligjit], 32 [E Drejta për Mjete Efektive], 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], 109 [Prokurori i Shtetit] dhe 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës.
Më tej, aty tregohet se parashtruesit e kërkesës kanë theksuar që paragrafi 4 i nenit 110 të Kushtetutës, përcakton që “Përbërja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe dispozitat për emërimin, shkarkimin, mandatin, strukturën organizative dhe rregullat e procedurës, rregullohen me ligj”. Sipas tyre, ky fakt ka mjaftuar që Qeveria të propozojë dhe Kuvendi të miratojë Ligjin e kontestuar, i cili përveç tjerash, ndryshon përbërjen e KPK-së dhe numrin e anëtarëve të tij, nga trembëdhjetë (13), sa ishte deri më tani në shtatë (7) sosh. Ndërkaq, sipas parashtruesit të kërkesës, arsyetimi i vetëm i këtij ndryshimi substancial të numrit të anëtarëve të KPK-së, në koncept-dokumentin që i ka paraprirë atij ndryshimi, është përmbledhur në një fjali të vetme dhe të shkurtër, përkatësisht “për qëllime të efikasitetit të punës së KPK-së”.
Sipas Aktgjykimit, zgjedhja e dy anëtarëve jo-prokurorë të KPK-së me shumicë të thjeshtë të votive në Kuvend, është një nga pikat e ligjit që parashtruesit e kërkesës e kanë kontestuar.
“Përkitazi me zgjedhjen e dy (2) anëtarëve jo-prokurorë, parashtruesit e kësaj kërkese, pretendojnë se dispozitat e Ligjit të kontestuar që përcaktojnë zgjedhjen e 2 (dy) anëtarëve jo-prokurorë me shumicë të thjeshtë të votave në Kuvend, ‘…rrisin rrezikun që anëtarët e KPK-së të emëruar nga Kuvendi, të jenë persona, që potencialisht përfaqësojnë politikat e shumicës në Kuvend dhe jo persona me autoritet dhe integritet që marrin besimin gjithëpërfshirës të përfaqësuesve të popullit’”.
Më tej thuhet se sipas parashtruesve të kërkesës, në mënyrën se si është përcaktuar zgjedhja e dy anëtarëve jo-prokurorë nga Kuvendi, lehtësisht këta anëtarë mund të emërohen me vetëm tridhjetë e një vota të deputetëve, që si përfaqësim është minimal për emërimin e personave në këtë institucion të rëndësishëm kushtetues.
“Në këtë kontekst, parashtruesit e kësaj kërkese vlerësojnë se zgjedhja e këtyre anëtarëve të KPK-së, duhet të bëhet me ligj, dhe me votat e së paku gjashtëdhjetë e një (61) deputetëve ose me dy të tretat (2/3) e deputetëve që votojnë në procedurën e zgjedhjes së tyre nga Kuvendi. Kjo, sipas parashtruesve të kërkesës do të ishte një garanci për emërimin e personaliteteve me reputacion dhe me integritet profesional, ashtu siç e meriton ky institucion i rëndësishëm kushtetues që përfshin një shtyllë të rëndësishme të sistemit të drejtësisë. Pra, parashtruesit e kësaj kërkese, vlerësojnë se votimi me shumicë të thjeshtë, përkatësisht nga shumica e deputetëve që janë të pranishëm dhe që votojnë, cenon pavarësinë dhe integritetin e këtij organi të pavarur kushtetues, duke i dhënë kështu secilës shumicë parlamentare mundësi të madhe për ndikim dhe kontroll politik mbi anëtarët jo-prokurorë në KPK,”- thuhet më tej në Aktgjykim.

