Abdixhiku i ashpër: Me protesta në mbështetje të vetes, por pa përmbyllur një rrugë të vetme - NACIONALE

Abdixhiku i ashpër: Me protesta në mbështetje të vetes, por pa përmbyllur një rrugë të vetme

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar me anë të një shkrimi në rrjete sociale rreth situatës politike.

Duke përmendur, sipas tij, dështimin e shtetit në infrastrukturë, kryetari i LDK-së e ka kritikuar pushtetin për rrugën në Mitrovicë, Podujevë, Pejë, Gjilan e Gjakovë.

“Po e permbyllin vitin e tretë në Qeveri, por s’kanë përmbyllur dot një rrugë të vetme në gjithë Kosovën. As atë për Mitrovicë, as atë për Podujevë, as për Pejë, as për Gjilan e as për Gjakovë. Qytete të tëra të lëna në harresë tash e tre vjet! Qytetarë të tërë të maltretuar për çdo ditë”, ka shkruar Abdixhiku,.

Sipas tij, projekti i vetëm kapital që po bëhet është “Rruga A” në Prishtinë, e ku qeveria nuk ka dorë.

“Projekti i vetëm i madh kapital që ndodhë sot në vend është ai i ‘Rrugës A’ në Kryeqytet; aty ku Qeveria qendrore - fatmirësisht - nuk ka asnjë rol”, ka shkruar më tutje i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai ka komentuar deklaratat e fundit nga pushteti lidhur me ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë që pritet të ketë vlerë 200 milionë euro.

“Sot, në vitin e tretë të mandatit, flasin për tunele, Prizren - Tetovë, 200 milionë. Muhabetet s’kushtojnë. Ato megjithatë na shpërfaqen të njëjta sikurse para tre viteve. Njëjtë me të njëjtat premtime dalin dhe sot”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka ironizuar edhe me protestën e djeshme në sheshin e Prishtinës, e cila u mbajt në përkrahje të Kurtit dhe presidentes Osmani. Aty ku u kërkua që analistët të dalin para gjyqit.

“Të zënë me organizimin e protestave për mbështetje ndaj vetes - merreni me mend - të fiksuar me diskutime ndaj të shkuarës, të angazhuar në ndarje, sharje e përçarje - pra në thatësi politike - kjo Qeveri nuk ka mundur të bëjnë as edhe një hap të vetëm në zhvillimin infrastrukturor të Kosovës”, thuhet në postimin e kryetarit të LDK-së.

Edhe postimin e ka përmbyllur me ironi.

“Në programin e ‘Rrugës së Re’ të gjitha projektet kapitale për qytetet e mëdha në vend do të përfundojnë brenda 30 muajve. Aq kohë duhet. Aq kohë do të marrin. Aq kohë do të kenë. Dhe, natyrisht, jo me çmime absurde 12-13 milionëshe për kilometër, edhe më pak me aneks marrëveshje që falnin nga 54 milionë, por me kujdes ndaj parasë publike e pa ngarkesë buxhetore që paralizojnë sektorë të tjerë”, përfundon postimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

LDK-ja nëpërmjet disa konferencave ditëve të fundit ka kritikuar zhvillimet e fundit në vend, që lidhen sidomos me skandalin e vajit dhe grurit.

Edhe partia tjetër opozitare, PDK-ja, ka pasur kritika për këto tema, dhe emërimin e zv/ministrit Radomiroviq që ishte pjesë e Ushtrisë serbe gjatë luftës në Kosovë.

Lajme të ngjashme