Abdixhiku kritik ndaj Asociacionit: LDK s’mund të mbështesë asnjë produkt që del jashtë kornizës kushtetuese - NACIONALE

Abdixhiku kritik ndaj Asociacionit: LDK s’mund të mbështesë asnjë produkt që del jashtë kornizës kushtetuese

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është shprehur mjaft kritik ndaj draft-statutit të Asociacionit, i cili në parim është pranuar nga Kosova.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ai ka bërë me dije se kjo parti do të ketë qëndrim politik për këtë çështje.

Ai ka thënë se dokumenti është një autonomi me rrugëtim potencial për federalizim.

Për dokumentin në fjalë, do të kemi dhe qëndrim politik. Ky Këshill dhe Kryesia e re e Lidhjes Demokratike do të marrë vendim. Por si Kryetar i formacionit të parë dhe të vetëm pavarësist, më lejoni që të shtroj para jush dhe para opinionit publik disa nga vështrimet e para mbi këtë dokument. Për ta thënë thjeshtë, në leximin tim politik, ai na vjen si autonomi me rrugëtim potencial për federalizim. Nis në preambulë me rezolutën 1244 si paralele e Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë; e përfundon me Arbitrazh si paralele e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

I pari i LDK-së është shprehur i çuditur se si institucionet e Kosovës kanë mundur ta pranojnë një dokument të tillë.

Se si institucionet e Kosovës pranojnë një dokument të tillë, pra që paralelizon deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me rezolutën 1244, në një akt normativ të brendshëm; e se si pranojnë që Asociacionin si trup autonomie, ta mbajnë jo brenda Gjykatës Kushtetuese por në sistem arbitrazhi, kjo për ne mbetet tërësisht e pakuptimtë. Ndoshta përgjigjen mund ta gjejmë tek vet deklarimet e tyre, që Kosovën, Republikë të pavarur e sovrane, e shohin veçse të përkohshme. Por, unë besoj se prapa kësaj fatkeqësie mosbesuese në një shtet që meriton konfrimim sot, qëndron një paaftësi e thellë dhe një apetit për popullizëm destruktiv, që na sjellë gjithnjë në situata edhe më të rënda se parapraket. Dhe situata e tanishme, është më e rënda e mundshme”, është shprehur Abdixhiku.

Më tej, ai ka bërë të qatë se LDK-ja nuk do të pranojë asnjë dokument që del jashtë Kushtetutës së Kosovës.

Në këtë pikë, dua të bëjë të qartë, se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të mbështesë asnjë produkt që del jashtë kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, jashtë sistemit tonë unitar, e jashtë rregullimit territorial të Kosovës. Këtë qëndrim e kemi shpalosur në çdo paraqitje; përtej këtij qëndrimi nuk mund të kapërcejmë. Natyrisht se autonomia na derivon nga Marrëveshja e Ohrit, në atë marrëveshje për të cilën LDK kishte ngritur me kohë shqetësimet e saj. Qëndrimet tona mbi preambulën e kësaj marrëveshje, ku nuk parashihej njohja de jure reciproke, por mosparagjykimi i statusit politik i yni, si dhe në Nenin 7 ku vetëmenaxhimi shihej si e drejtë për një komunitet, kishin nisur bazën e kësaj autonomie”, ka thënë Abdixhiku.

Qeveria Kurti ka braktisur qytetarët

Në adresimin e tij para delegatëve të këshillit, Abdixhiku ka kritikuar Qeverinë Kurti edhe në aspektin e brendshme.

Ai ka vlerësuar se Qeveria Kurti është dorëzuar dhe ka braktisur qytetarët.

Kjo qeveri ka braktisur qytetarët e Kosovës; prandaj njerëzit tanë po e braktisin atdheun e vet. E ne kemi nevojë për një qeveri që përmbushjen e kërkesave të punëtorëve të vet nuk e sheh si dorëzim, por si mirëkuptim i një fatkeqësie ekonomike”, ka thënë Abdixhiku.

I pari i LDK-së ka kërkuar nga anëtaret e këshillit që programin e LDK-së ta shpërfaqin sa më shumë.

Ne kemi një plan. Kemi një program të detajuar në 22 fusha. Mbi 5 miliardë euro investime në çdo sferë të jetës publike. Prandaj këtë plan duhet ta shpërfaqim sa më shumë. Të kapërcejmë nga kurthi i së shkuarës, në diskutime për atë që ka rëndësi- për vet të ardhmen. Këtë diskutim, këtë komunikim, sot në Kosovë s’ka kush tjetër ta bëjë. Këtë komunikim, këtë diskutim, duhet ta bëjmë vetëm ne”, është shprehur Abdixhiku.

Ai ka bërë me dije se LDK-ja duhet të shndërrohet sërish në emërtim që përqafon vlerat më të mira të popullit të Kosovës.

Këtë kohë duhet ta shfrytëzojmë. Jo me arrogancë, jo me urrejtje, por me përafrim ndaj secilit. Edhe ndaj atyre që nuk mendojnë si ne. Lidhja Demokratike e Kosovës, duhet të shndërrohet sërish në një emërtim që përqafon vlerat më të mira të popullit të Kosovës, që i përafron njerëzit më të zot të vendit, e që rrugëton me plot siguri drejt udhëtimit tonë origjinal euroatlantik”, ka deklaruar Abdixhiku.

Kjo është mbledhja e parë e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, pas Konventës zgjedhore.

Në këtë mbledhje do të zgjidhet edhe kryesia e re e LDK-së.

Lajme të ngjashme