Abdixhiku e Osmani pas thirrjes amerikane për gazin: Nëse nuk zgjedhim SHBA-të, kemi zgjedhur armiqtë tanë
Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, kanë theksuar se integrimi i Kosovës në projektet energjetike amerikane është një domosdoshmëri strategjike për sigurinë dhe zhvillimin e vendit.
Në një deklaratë të përbashkët, ata vlerësuan se qëndrimi i fundit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për projektet energjetike në rajon përbën një mesazh të qartë për të ardhmen strategjike të Kosovës. Sipas tyre, çështja e gazit amerikan nuk është vetëm ekonomike, por pjesë e arkitekturës së sigurisë që SHBA-ja po ndërton në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.
“Energjia nuk është vetëm ekonomi. Energjia është siguri, sovranitet dhe aleancë”, thuhet në deklaratë.
Abdixhiku dhe Osmani kritikuan politikat energjetike të viteve të fundit, duke theksuar se Kosova është larguar nga projektet strategjike rajonale, ndërkohë që ka shpenzuar mbi një miliard euro për import të energjisë elektrike. Sipas tyre, mungesa e diversifikimit të burimeve energjetike dhe vonesat në partneritetet strategjike kanë lënë vendin jashtë zhvillimeve të rëndësishme rajonale.
Ata paralajmëruan se Kosova rrezikon të mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor jashtë korridoreve strategjike të gazit amerikan dhe jashtë arkitekturës së re energjetike dhe të sigurisë që po ndërtohet në rajon.
“Ky vetëpërjashtim nuk është vetëm humbje ekonomike, por edhe humbje strategjike, që nënkupton më pak investime, më pak vende pune dhe më shumë cenueshmëri për sigurinë kombëtare”, theksohet në deklaratë.
Sipas tyre, orientimi strategjik i Kosovës duhet të mbetet i lidhur ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe në fushën e energjisë. Ata vlerësuan se alternativa ndaj integrimit në projektet amerikane mund të rrisë ndikimet e aktorëve të tjerë gjeopolitikë në rajon.
LDK-ja zotohen se në fillim të mandatit do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të sjellë gazin amerikan në Kosovë, duke e konsideruar këtë si pjesë të politikës shtetërore për forcimin e sigurisë energjetike dhe kombëtare të vendit.
“Kosova duhet të jetë pjesë e kësaj aleance, jo jashtë saj”, përfundon deklarata e përbashkët.