Abdixhiku: Do ta ndërtojmë një Kosovë që i përket vërtetë popullit të vet - NACIONALE

Abdixhiku: Do ta ndërtojmë një Kosovë që i përket vërtetë popullit të vet

4 javë më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovë, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij është e përkushtuar “të ndërtojë një Kosovë, ku fëmijët vendosin të qëndrojnë në vendin e tyre, jo sepse nuk kanë tjetër zgjidhje, por sepse duan ta bëjnë të ardhmen këtu, në Kosovë”.

Duke kërkuar përbashkim kombëtar, Abdixhiku tha se ai dhe ekipi i tij janë gati për të bërë ndryshimin e madh. “Me ndihmën tuaj, me ndryshimin tonë, ne jemi të vendosur të krijojmë një ambient ku bizneset rriten, ku punët krijohen me bollëk, ku çdo qytetar ka qasje në edukim shembullor, shëndetësi të mbarë e drejtësi të drejtë. Ku shteti shërben e nuk frikëson”, tha Abdixhiku në Turneun e Ndryshimit që filloi në Prishtinë dhe do të mbahet edhe në 10 qytete tjera.

Abdixhiku ripërsëriti zotimin për rritjen e koeficientit në 150 euro qysh në javën e parë të qeverisjes.

Ai po ashtu para të pranishmëve shpalosi sërish zotimet e programit politik “Rruga e Re”, që përfshijnë investime e reforma në të gjitha fushat. “Aty ku s’kanë bërë punë në rrugë për katër vjet, ne kemi projekt infrastrukturore që transformojnë këtë shtet.

Magjistralet e Autostradat e nisura në dekada, duhet të përfundojnë për tri vjet – asnjë ditë më shumë! Aty ku shtrenjtimi i energjisë elektrike s’ka fund, ne kemi plan për Central me Gaz, për stabilitet furnizimi, për një ekonomi të sigurt me partnerë!

Rruga e Re, ka 120 projekte, ka 5 miliardë euro investime, ka 5 miliardë euro buxhet, ka 5% rritje ekonomike”, tha Abdixhiku. Ai tha se partia në pushtet ka ndjellë frikën prej Serbisë kurse LDK dhe qytetarët e lirë të Kosovës sipas Abdixhikut, e mundën Serbinë njëherë dhe do ta mundin përherë.

“Për t’i bërë gjithë këto, kemi nevojë për ju. Prandaj, nga këtu, e në secilin takim tjetër nëpër Kosovë, dua të shtroj dorën e bashkëpunimit, dorën e ftesës dhe thirrjes për ndryshim! Na e shtrini dhe ju dorën tuaj në këtë rrugëtim. Le të ecim bashkë drejt një Kosove që arrin potencialin e saj të vërtetë – e një Kosove që i përket vërtetë popullit të vet”, tha Abdixhiku.

Lajme të ngjashme