A patën efekt dasmat? AAK e Ramush Haradinajt rritet 1% në sondazhin e shtatorit - NACIONALE

A patën efekt dasmat? AAK e Ramush Haradinajt rritet 1% në sondazhin e shtatorit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një sondazh i ri, i publikuar ekskluzivisht nga gazeta Nacionale, ka shfaqur përkrahjen e qytetarëve për partitë. VV shënjohet nga një rënie, ndërsa LDK me një rritje të konsiderueshme. AAK e Ramush Haradinaj është rritur për 1% nga qershori në shtator. Haradinaj kishte marrë pjesë në dhjetra dasma, por nuk dihet nëse kjo rritje i atribuohet ekskluzivisht takimeve të ish-kryeministrit me dasmorët.

Haradinaj ishte shfaqur në disa dasma brenda natës, duke u bërë lajm në mediat vendore. Megjithatë, dasmat u përkthyen deri diku në përkrahje politike në sondazhe për partinë e ish-komandantit të UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit.

Në një intervistë për Nacionale, z.Haradinaj e kishte konfirmuar se po i shfrytëzonte dasmat për fushatë, duke takuar mijëra njerëz gjatë verës.

Politikanët janë në punë gjithë jetën derisa nuk tërhiqen në fushatë, po është fushatë, kam komuniku me shumë njerëz për rëndësinë dhe qëllimet e aleancës, për dobinë me na përkrahë më shumë. Por, po ashtu është edhe gëzim, pra jam gëzuar.”, theksoi ai kohë më parë.

Ndonëse takoi shumë njerëz, duket se Haradinaj nuk arriti të marrë shumë përkrahje nga dasmorët.

Në sondazhin e fundit, dallimi në përkrahje nga qershor në shtator është veç 1%.

Gjersa partia e Haradinajt në qershor kishte përkrahje 6,7% të elektoratit, ndërsa në shtator shënoi një rritje, duke arritur në 7,7%.

Por, dasmat me gjasë nuk ishin jashtëzakonisht të sukesshme për z.Haradinajn si platformë për rritjen e partisë, ndonëse ish-kryeministri kishte theksuar se ka ndjenja për dasmorët.

Së pari, dua t’ju kërkoj falje atyre që s’u kam shkuar në dasma edhe pse kam marrë ftesë, që në të vërtetë isha shku me zemër, se i dua.”, theksoi z.Haradinaj.

Madje, z.Haradinaj i vlerësonte lartë dasmorët, duke thënë e për të ata janë njerëz, e jo numra.

"Nuk janë numër për ne, janë njerëz, nuk i kemi numëruar, por i kemi edhe disa tjera, më gëzim do të shkoj.", shtonte ai në intervistën për Nacionalen.

Dashuria nuk ka qenë edhe aq reciproke mes Haradinajt dhe dasmorëve, duke e rritur partinë për dy muaj diku rreth 8000 vota, marrë parasysh trupin elektoral të Kosovës.

Megjithatë rritja prej 1% brenda dy maujve e AAK-se, duhet të vlerësohet. Mbetet të shihet nëse kjo rritje do të mirëmbahet tutje, tash kur më s'ka dasma.

Sondazhi

Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar të pësojë rënie, duke humbur gradualisht mbështetjen për çdo muaj.

Në prillin e vitit 2022, ata do të kishin 41,9 për qind të mbështetjes qytetare sipas UBO Consulting.

Kjo mbështetje do të binte për dy muaj, deri në qershor, në 39,6 për qind. Por, edhe më shqetësues është muaji shtator e në të cilin u humbën edhe 2,3 për qind tjera, duke bërë që subjekti në pushtet të ketë vetëm 37,3 për qind të votave.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike (LDK) duket se po arrin të konsolidojë radhët me një shpejtësi marramendëse. Kjo parti politike në Zgjedhjet e 14 shkurtit do t’i merrte pak mbi 12,7 për qind, duke e vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e saj – përkundër që është partia më e vjetër parlamentare në vend.

Por, LDK ka arritur të rikuperojë përgjatë kohës sa Lumir Abdixhiku është në krye. Kjo parti politike i kishte 19,4 për qind në muajin prill 2022, për të kërcyer në 20,3 në qershor dhe më pas 22,3 në muajin shtator.

Për ta ilustruar më mirë, kjo parti kishte qenë larg Vetëvendosjes për 37,5 për qind (50,2-12,7) por tashmë është afruar në vetëm 15 për qind (37,3-22,3).

PDK-ja në anën tjetër, ka pasur po ashtu një rënie dhe një ngritje të çuditshme. Në vetëm dy muaj, kjo parti është rritur për 0,3 për qind (nga prilli në qershor) për të rënë sërish për 0,2 për qind (nga qershori në shtator).

Publikimi i sondazhit të UBO-s nga Nacionale, ka ngjallur shumë reagime nga politikanë, analistë e përkrahës të partive politikë në Kosovë.

Lajme të ngjashme