Abdixhiku në 'delir', LDK pranë dyfishimit të përqindjes së zgjedhjeve të kaluara - NACIONALE

Abdixhiku në 'delir', LDK pranë dyfishimit të përqindjes së zgjedhjeve të kaluara

1 vit më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Ardhja e Lumir Abdixhikut në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës duket të ketë qenë katalizator në vete për partinë më të vjetër në vend.

Kjo pasi, që nga ardhja e tij në krye, LDK ka shënuar rritje në sondazhe. Ato të fundit të bëra nga UBO u publikuan sonte nga Nacionale.

Siç edhe mund ta shihni në foton e mëposhtme, Lidhja që në zgjedhjet e fundit regjistroi rezultat tejet të dobët prej 12.7 për qind, tani, sipas të dhënave të muajit shtator ka prekur shifrën 22.3 për qind.

Partia e drejtuar nga Abdixhiku i kishte 19,4 për qind në muajin prill 2022, për të kërcyer në 20,3 në qershor dhe më pas 22,3 në muajin shtator.

Për ta ilustruar më mirë, kjo parti kishte qenë larg Vetëvendosjes për 37,5 për qind (50,2-12,7) por tashmë është afruar në vetëm 15 për qind (37,3-22,3).

Së fundi, kësaj partie politike iu bashkua edhe deputetja e Listës Guxo dhe Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, znj. Doarsa Kica-Xhelili.

Tash për tash

Aktualisht LDK është forca e tretë parlamentare në vendin tonë.

Me zbarkimin e Kica-Xhelilit në Lidhjen Demokratike, kjo parti ka shkuar në 16 deputetë, nga 15 sa i kishte në fillim të legjislaturës.

Siç dihet edhe nga të dhënat e zgjedhjeve të fundit në Kosovë, pesëshja më e votuar nga LDK-ja ka qenë Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Lumir Abdixhiku, Anton Quni e Armend Zema, kurse më i votuari ka qenë ai që i printe listës, Avdullah Hoti.

Zgjedhjet lokale

Zgjedhjet e fundit lokale ishin treguesi më i qartë i asaj se LDK po rikthehet.

Madje, vet Abdixhiku kishte qenë kritikë ndaj opinionistëve që thonin se vendi ynë nuk ka opozitë.

Sipas të parit të LDK-së, po mos të kishte opozitë Vetëvendosje nuk do të kishte mbetur me vetëm katër komuna në zgjedhjet lokale.

"Ju po thoni që s'ka opozitë. Kjo nuk qëndron. Kjo opozitë e la VV-në me katër komuna. Kjo opozitë e ka bërë këtë", deklaronte Abdixhiku.

Kujtojmë se aktualisht Lidhja udhëheq me nëntë komuna në nivel vendi.

Prishtina, Fushë Kosova, Istogu, Juniku, Dragashi, Peja, Lipjani, Vitia dhe Obiliqi janë komunat që sot drejtohen nga LDK-ja.

Konkurrentët e LDK-së në sondazh

Të dhëna tejet interesante ka shpalosur sondazhi i apostrofuar.

I njëjti tregon se konkurrenti kryesor i LDK-së, PDK-ja fillimisht ka shënuar rritje prej 0.3 për qind nga prilli në qershor, për të shënuar më pas një rënie prej 0.2 për qind nga periudha tjetër, qershor - shtator.

AAK në anën tjetër, ka shënuar rritje poashtu.

Sipas të dhënave, Aleanca që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj gëzon 7.7 për qind të pjesëmarrësve në sondazh.

Raportin me VV-në veçse e kemi zgjeruar në pjesën e epërme të tekstit, ndërsa me GUXO-n nuk do të ishte real për shkak të diskprepancës në shifra dhe synimeve jo të përbashkëta.

Lajme të ngjashme