“A janë familjarët për dasma, a për KOSTT?”: Rehatimi i gruas së Aliut dhe nipit të Bislimit në Bordin e KOSTT-it nxit reagime të ashpra - NACIONALE

“A janë familjarët për dasma, a për KOSTT?”: Rehatimi i gruas së Aliut dhe nipit të Bislimit në Bordin e KOSTT-it nxit reagime të ashpra

1 vit më parë

nga NACIONALE

Partia në pushtet ka vazhduar me praktiken e mbushjes së bordeve të institucioneve publike me familjarë të pushtetarëve.

Deputetët e VV-së sot në Kuvendin e Kosovës kanë votuar për anëtar të Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it Lumnije Zekën, bashkëshorten e Ministrit Liburn Aliu dhe Gëzim Tosunin, nipin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Ky votim ka nxitur reagime të ashpra të opozitës, shoqërisë civile dhe analistëve politik.

Ata kanë vlerësuar se vendimi i sotëm i Kuvendit është shembull flagrant i nepotizmit dhe konfliktit të interesit.

Përfaqësuesit e opozitës ia kanë përmendur kryeministrit Albin Kurti se familjarët janë për dasma, jo për institucione.

Nder të paret që ka reaguar ka qenë deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.

A janë familjarët për darsma, a për KOSTT? Gruaja e Ministrit Liburn Aliu, e nipi i Zv. kryeministrit Besnik Bislimi, sot u votuan nga VV për Bordin e Drejtorëve të KOSTT. Si do të duken ftesat e ahengut, kryeministër? Ju ftojmë në hajninë familjare”, ka shkruar Kica-Xhelila në profilin e tij në “Facebook”.

Veprimin e partisë në pushtet e ka kritikuar edhe zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli.

Ai ka bërë me dije se ky veprim i VV-së është skandal.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se në Qeverinë Kurti korrupsioni dhe nepotizimi po servohen si vlerë politike.

Skandal i ri nepotist i Vetëvendosjes: Lumnije Zeka, bashkëshortja e Ministrit të Infrastrukturës Liburn Aliu, dhe Gëzim Tosuni, nipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, u zgjodhën anëtarë të Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it. Lufta që ka bërë VV kundër korrupsionit dhe nepotizmit paska qenë jo sepse janë fenomene që e vjedhin popullin por sepse VV nuk ka qenë pjesë e saj. Tashmë që janë Qeveri, korrupsioni dhe nepotizmi me ata të përfshirë, po servohet si vlerë patriotike”, ka shkruar Xhemajli.

Për këtë veprim mazhoranca është kritikua edhe nga shoqëria civile.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është shprehur i shqetësuar me zhvillimet në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ku deputetët e VV-së kanë votuar për anëtar të Bordit të KOSTT-it gruan e ministrit Liburn Aliu dhe nipin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

KDI, që monitoron punën e Kuvendit, ka vlerësuar se ky vendim paraqet shkelje të vlerave të qeverisjes së mirë dhe përforcon elementet e korrupsionit dhe kapjes së institucioneve.

Përmes një njoftimi për media, KDI-ja ka vlerësuar se ky vendim paraqet një shembull flagrant të nepotizmit dhe konfliktit të interesit.

Së pari, emërimi i gruas së Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe nipit të Zëvendëskryeministrit të Parë, si anëtarë të Bordit të drejtorëve të ndërmarrjes publike, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), paraqet një shembull flagrant të nepotizmit dhe konfliktit të interesit. Ky vendim përveç se cenon integritetin e institucioneve publike, zhvlerëson edhe premtimet dhe angazhimet e partisë në pushtet për institucione të pavarura. Për më keq, kjo vendimmarrje është në funksion të përdorimit të institucioneve për interesa private dhe politike të individëve të lidhur me pushtetin”, është thënë në reagimin e KDI-së.

Kurse, drejtori i organizatës joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj, ka rikujtuar fjalinë e famshme të kryeministrit Kurti, të cilën e kishte thënë në fushatën zgjedhore të vitit 2021.

Familjaret jane per dasma a po bre Albin Kurti!”, ka shkruar Demhasaj në profilin e tij në “Facebook”.

Me rehatimin e familjarëve të dy pushtetarëve, ka ironizuar edhe politologu Avdi Smajljaj.

Urime zv.Kryeministër, z.Bislimi, zgjedhja e Nipit, Kryesues i Bordit të Kost-it. Urime Ministër z.Aliu, zgjedhja e bashkëshortes, anëtare e Bordit të Kost-it. Jeni rast i vëçantë studimi në nivel global, sesi një parti politike merr mbi 50% të votave kundër nepotizmit, dhe bëhet kampione e superligës së nepotizmit. Duhet gjithsesi, me iu votu edhe me 09 Shkurt, jeni të paparë”, ka shkruar Smajljaj në profilin e tij në “Facebook”.

Lajme të ngjashme