“A është Dejona kryeministrja e vërtetë?”: Haki Abazi me disa reagime pasi Nacionale publikoi bisedat e deputetit të VV-së brenda Kuvendit - NACIONALE

“A është Dejona kryeministrja e vërtetë?”: Haki Abazi me disa reagime pasi Nacionale publikoi bisedat e deputetit të VV-së brenda Kuvendit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ditën e enjte në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputeti Enver Dugolli, kërkonte nga ministri Maqedonci të merrte masa ndaj disa zyrtarëve të kabinetit. Kjo pasi ata, fshehtas sipas Dugollit, po lobonin për nje emër tjetër për komisioner të FSK-së.

Gjatë bisedës, Dugolli konfirmonte direktivat që kishin marrë deputetë e pushtetit nga Dejona Mihali se kush do të votohej për komisioner.

Për krejt këtë situate, deputeti i larguar nga grupi i VV-së, Haki Abazi, ka pasur disa reagime me radhë. Në njërin prej tyre që e publikoi sot, Abazi pyet nëse Dejona Mihali është kryeministrja e vërtetë e Kosovës.

“Po Dejona kush është, çfarë gjuhe flet ajo, a është Dejona Kryeministri i vërtetë i Kosovës! A e caktoi Dejona komisionerin e FSK dhe gjitha pozitat e rëndësishme shtetërore?”, shkroi Abazi, raporton Nacionale.

“Tani fushatën elektorale Kurti e ka filluar edhe në Maqedoninë e Veriut duke e shpallur veten të kërcnuar. Ky është tentim primitiv I manipulimit të masave popullore para fushatës elektorale në Maqedoni e V. Kurti po i përçanë tutje shqiptarët në MV për t’i bërë mish për top për interesa personale politike në raport me Kryeminsitrin e Shqipërisë. Izolimi ku ka rënë Kurti e ka bërë edhe me agresiv dhe me aspak rezultate. Urime Lojrat Mesdhetare!”, thuhet në postim.

E në një postim që e publikoi ditën kur Nacionale shfaqi këto biseda nga Kuvendi, Abazi theksonte se Mihali është personi që i merr të gjitha vendimet. Madje, Abazi e quan Dugollin deputet pa kurriz.

“Dmth po vërtetohet me ngadale që Vota për ndryshim për LVV ka qenë në fakt votë për ta veshur me pushtet Dejona Mihailin, njeriun pa asnjë legjitimitet. Ajo është figura që ka kapur vendim-marrjen në institucionet e Kosovës dhe në mënyrë sekrete merr vendime për politikat kadrovike dhe orientimet e vendimarrjes nëpër ministri. Natyrisht që një deputet i pakurriz si Enver Dugolli tenton që ta paraqes këtë gjë si gjë normale sepse përfiton personalisht nga kjo formë jo-demokratike dhe sekrete e vendim-marrjes. Kurti është në kontrollin e Dejonës ashtu siç është grupi parlamentar dhe minstrat e LVV. Dhe pyetja vie se nga ku buron fuqia politike për vendimet dhe urdhërat!”, ka shkruar Haki Abazi.

“Dejona ju ka dhënë urdhër për të votuar emrin e caktuar për Komisionerin e FSK dhe se Dugolli e përdorë minstrin për të anatemuar e stigmatizuar deputetët apo zyrtarët e Minstrisë së Mbrojtjes duke përqarë dhe duke kërkuar që të shpallen armiqë ata që nuk votojnë apo veprojnë në kundërshtim me vendimin e Dejona Mihalit. Kjo praktikë zbatohet në secilin vendim dhe pa asnjë diskutim dhe me kërcnim e fyerje ndaj kujdo që guxon të kundërshtoj këtë praktikë thellësisht jodemokratike, problematike dhe shumë brengosëse për funksionimin e institucioneve të vendit”, shkroi ai.

Nacionale ka siguruar disa mesazhe ndërmjet deputetit të Vetëvendosjes, Enver Dugolli, dhe ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Kjo lidhur me votimin e komisionerit parlamentar të FSK-së.

Në garë për këtë pozitë që pritej të votohej në Kuvend, ishin 3 kandidatë: Remzie Zeqiraj, Sami Hajrullahu dhe Fadil Hadërgjonaj.

Dugolli i shkruan ministrit Maqedonci se dikush nga kabineti i tij po bën fushatë për një kandidat tjetër, e jo për të cilin ka thënë ministri.

“Ministër, po ju njoftoj se dikush nga kabineti juaj, pa dijenin tuaj dhe në kundërshtim me propozimin tuaj dhe të KOMFSK, po thërrasin deputetët dhe po iu shkruajnë në emër të kabinetit që të përkrahet Samiu për komisioner”, thuhet në mesazhin që Dugolli ia dërgoi ministrit Maqedonci në WhatsApp, bisedë të cilën e ka siguruar Nacionale.

E ministri ia kërkon Dugollit emrat e atyre që po bëjnë fushatë fshehtas ndaj tij. Dugolli i tregon se është Rabit Konjufca, këshilltari i ministrit, njëherësh xhaxhai i kryeparlamentarit Konjufca.

“Kush është, a keni ndonjë info”, e pyet ministri Maqedonci.

“Rabiti është njëri por do shoh mos është edhe dikush tjetër”, ia kthen deputeti Dugolli.

E këtu, ministri i Mbrojtjes duket se indirekt paralajmëron masa.

“Ok se më duhet masanej me u marr me ta”, ia ktheu Maqedonci.

E këtu Dugolli i tregon ministrit se në mbledhjen para seancës, Dejona Mihali ua tha “troç” kënd ta votojnë.

“Besoj që po sepse kjo nuk len shije të mire me vepru në kundërshtim me vendimet tua. Dejona ua tha troç qëndrimin tuaj dhe të KOMFSK por më habiti fakti se si kanë guxim nga kabineti yt me bë këso veprime”, tha ai në mesazhin e siguruar nga Nacionale.

Megjithatë, këtu nuk ndalet gjithë ky komunikim. Deputeti i VV-së, Enver Dugolli, më pas komunikon me deputetin e PDK-së, Isak Shabani. Atij i kërkon ta votojë njërin kandidat, për të cilin Shabani pajtohet dhe ia konfirmon votën.

“A do merrni pjesë në votimin për komisioner të FSK-së”, e pyeti Dugolli kolegun e tij nga opozita.

“Po”, përgjigjet shkurt Shabani.

“A ke ndonjë përcaktim” e pyet sërish Dugolli.

“Unë jo, s’du me përkrah askënd. Për Hadërogjen kanë disponim disa”, ia ktheu Isak Shabani i PDK-së.

E këtu deputeti i pushtetit ia tregon kërkesën e tij kolegut opozitar.

“Votoje për mua Remzijen”, i tha Dugolli.

“Po e votoj pa problem. Nëse thua ti”, tha Shabani.

“Është me integritet, invalide e luftës”, ia ktheu deputeti Dugolli.

Nacionale ka kontaktuar me deputetin e VV-së, Enver Dugolli, i cili ka thënë se nuk ka asgjë të keqe nga komunikimet që kanë bërë.

Lajme të ngjashme