A do të ketë heqje të vizave për qytetarët e Kosovës?
Zëndhënësi i Parlamentit Europian, Ojamo Janne, ka njoftuar se procesi i liberalizimit të vizave do të shkojë edhe një herë në Komitetin e Parlamentit Europian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjët e Brendshme (LIBE), për shkak se ajo është një marrëveshje e leximit të dytë dhe duhen prapë votat e këshillit.
“Këshilli e ka miratuar së fundi marrëveshjen për liberalizimin e vizave dhe, për shkak se ajo është një marrëveshje e leximit të dytë (qëndrimi i Parlamentit është miratuar në vitin 2019 para zgjedhjeve të mëparshme), ne kemi nevojë që ta hedhim në votim prapë në LIBE për ta miratuar qëndrimin e Këshillit”- tha Janne për Gazetën Insajderi.
Ai njofton se votimi për LIBE-në është planifikuar për datën 23 mars 2023.
Ky akt ligjor në fund do të nënshkruhet nga Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian.
Më 9 mars, Këshilli i Ministrave i BE-së ka votuar pro liberalizimit të vizave për kosovarët. Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që janë jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm nëpër vendet evropiane.