A do ta dërgojë VV-ja në Supreme vendimin për certifikimin e Listës Serbe?
Paneli Zgjedhor për Anesa dhe Parashtresë, dje vendosi që ta urdhërojë KQZ-në për certifikimin e Listës Serbe.
Kjo pak ditë pasi në KQZ, nuk u votua për certifikimin e kësja partie.
“Paneli vlerëson se në vendimin e ankimuar të KQZ-së nuk është dhënë asnjë arsye se përse është refuzuar rekomandimi i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ për certifikimin e listës së kandidatëve të subjektit politik Listës Serbe. Arsyetimi i vendimit të atakuar është i mangët, jo i plotë dhe nuk i ka elaboruar të gjitha çështjet dhe faktet vendimtare që kanë të bëjnë me këtë çështje administrative, sa i përket refuzimit të kërkesës për certifikimin e Listës së kandidatëve për asamble komunale dhe kandidatëve për kryetar të komunave të subjektit politik, Lista Serbe. Vendimi i kontestuar nuk përmban një vlerësim të fakteve në raport me dispozitat ligjore, andaj një vendim nuk mund të quhet se është i drejtë dhe i ligjshëm dhe se është marrë me respektimin e dispozitave ligjore të LZP-së dhe Rregullores 04/2024 për Certifikimin e Subjekteve Politike dhe Kandidatëve të tyre”, thuhet në vendim e PZAP-së.
Ka mjaftuar vendimi, dhe zyrtarët e VV-së janë hedhur në sulm të këtij institucioni. Madje, nuk u ka mjaftuar. Hekuran Murati dje e akuzoi opozitën, për vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
“Fatkeqësisht, e shohim si një veprim skandaloz. Një tjetër që ka kontribuar këtu është abstenimi i vakët i partive opozitare në KQZ – do duhej të kishin vepruar kundër, sepse do duhej të ishin kundër një subjekti të tillë. Por e pamë që në KQZ për Listën Serbe abstenojnë, kurse këtu në Kuvend për përfaqësuesit e LVV, kur propozohen për kryetar, votojnë kundër. Pra, ky është dallimi”, tha Murati.
Ndërsa deputetja Albulena Haxhiu ka paralajmëruar se rastin mund ta dërgojnë në Supreme.
“Është vendim skandaloz, nuk arrita ta lexoj në plotni por siç e pashë PZAP ka urdhëruar KQZ që të bëjë certifikimin e Listën Serbe. Për mua është një vendim tejet i dëmshëm. Ngutia e PZAP pavarësisht që ka pasur kohë 72 orë, lë të nënkuptojë se ka pasur presione mbi këtë institucion. Duhet të shihet mundësia që ky vendim të dërgohet në Gjykatën Supreme”, tha Haxhiu.
Vendimi që Lista Serbe të mos certifikohet kishte shkaktuar reagime të ashpra nga QUINT-i, shtetet që dolën me komunikatë duke kundërshtuar vendimin.
Gjithashtu, edhe Bashkimi Evropian pati kritika sidomos për qëndrimin e Vetëvendosjes.