907 ushtarëve italianë që nuk iu thamë kurrë ‘Grazie’ - NACIONALE

907 ushtarëve italianë që nuk iu thamë kurrë ‘Grazie’

7 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Nga prilli i vitit 1997 kur trazirat vëllavrasëse zezuan Shqipërinë e deri në verën e 1999-s kur mbaroi lufta në Kosovë, mijëra ushtarë italianë i shërbyen denjësisht paqes në tokën shqiptare. Me 907 paqeruajtës sa i ka hëpërhë në Kosovë, tok me 137 mjete ushtarake dhe 1 helikopter, Italia është një nga dalazotësit kryesor të sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës. Në një vepër të madhe mosmirënjohje, regjimi populist në Kosovë e kalon në heshtje kontributin e njërit prej aleatëve kryesorë të shqiptarëve në Ballkan. Alternativisht, partia në pushtet mbiprodhon lajmrrena e manipulime, siç bëri sivjet me prodhimin e dronëve vetëvrasës, për të krijuar bindjen se vendi nuk ka nevojë për KFOR. Sidoqoftë, sipas matjeve profesionale, faktet e shfaqin kokëfortësisht një realitet të tillë ku FSK-ja mban vendin e 141-të nga 145 ushtri nga mbarë bota.

Col Mehmeti

Një paralajmërim i tërthortë për zvogëlim të pranisë së NATO-s në Kosovë ka sjellë sërish fërgëllimin e përhershëm mbi çështjet e sigurisë.

Gjithnjë e zëruar në formë pëshpërimash, në administratën republikane në Washington është përmendur mundësia e tkurrjes së disa prej operacioneve të NATO-s në botë.

Pos përfundimit të një misioni në Irak, kjo do të shoqërohej edhe me zvogëlim të misioneve në Kosovë e Ukrainë.

Megjithatë, prania e tashpërtashme e KFOR-it në Kosovë nuk arsyeton shqetësimet e ngritura.

Me një personel që në gjithsejtin e vet ka 4,767 paqëruajtës nga 33 vende që janë ose pjesë e NATO-s ose partnere, Kosova paraqet përqëndrimin më të madh të Aleancës Veriatlantike në Evropë.

Kontigjente të tilla mbahen edhe në shtetet baltike dhe Poloni në kuadër të pranisë së zgjeruar të NATO-s (NATO Enhanced Forward Presence), ashtu sikundër edhe në Rumani, Bullgari, Hungari e Sllovaki.

Italia, hisedarja kryesore

Fare pak i zënë në gojë si fakt, Italia ka hisen më të madhe të pjesëmarrësisë në misionin e KFOR-it.

Sipas përditësimit të fundit të bërë për këtë muaj, Italia me 907 paqeruajtës kryeson listën e 33 shteteve që kanë dërguar ushtarë në Kosovë.

E kthyer në përqindje, hisja e Italisë në KFOR është 18.1 për qind, pasuar nga Shtetet e Bashkuara me 590 ushtarë ose 11.8 për qind, dhe Hungaria me 408 ushtarë ose 8.13 për qind.

Të vendosura kryesisht në kampin që mban emrin idilik ‘Villaggio Italia’, afër Pejës, trupat italiane shërbejnë në Komandën Rajonale Perëndimore të misionit të KFOR-it.

Sipas të dhënave nga Ministria italiane e Mbrojtjes, njësia thelbore përbëhet nga Regjimenti i 6-të ‘Lancieri di Aosta’ nga Brigada e Mekanizuar ‘Aosta’.

Radhëve të tyre u bashkëngjiten edhe ushtarë paqeruajtës nga Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Polonia, Turqia, Moldavia dhe Zvicra.

Një pjesë e personelit italian vepron edhe në Prishtinë në kuadër të Njësitit të Specializuar Shumëkombësh (MSU), që udhëhiqet nga karabinierët.

Aleati nga përtej-Adriatiku që iu gjet shqiptarëve pranë

Në të vërtetë, në kronikën mbi vendosjen e kontigjenteve në Kosovë, Italia del shembullorisht si shteti aleat që nuk u tremb nga marrja përsipër e angazhimeve të sigurisë.

Midis një trualli gjeopolitik të ndjeshëm dhe lidhjeve kulturore e historike me përtej-Adriatikun, sidomos me shqiptarët, Roma ishte një nga kryeqytetet evropiane që guxoi të bëhej pjesë e përpjekjeve perëndimore për stabilitet.

Paqeruajtësit e parë italianë në Ballkan, nja 3,200 syresh, u vendosën në kuadër të Forcës Zbatuese (IFOR) në Bosnjë në dhjetor të 1995-s.

Në orën e ligë të historisë kur Srebrenica mbahej e rrethuar, avionët e NATO-s u nisën nga bazat ajrore italiane për të mësyrë mbi forcat ushtarake e paraushtarake serbe.

Sprova e dytë për Italinë ishin trazirat vëllavrasëse në Shqipëri në vitin 1997.

Me dritën jeshile të Këshllit të Sigurimit dhe Rezolutës 1101, Italia me 3,800 ushtarë ishte hisedarja kryesore në Operacionin Alba, tok me 10 shtete të tjera, që gjakimin e kishte në rivendosjen e rendit dhe ligjit.

Edhe pa e mbërritur kulmin lufta në Kosovë, diplomacia italiane mori vendim që të bëhej pjesë e vendimit të NATO-s për stacionim trupash në Republikën e Maqedonisë.

Kryeministri i asohershëm italian Massimo D’Alema vendosi që të dërgonte 2,850 ushtarë, gati sa një brigadë, të pajisur me helikopterë A-129.

Kur erdhi momenti vendimtar për t’iu bashkuar ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s në Kosovë, më 24 mars 1999, Italia kontribuoi me 50 avionë luftarakë në fushatën ajrore kundër Jugosllavisë që zgjati plot 78 ditë.

Në ndërkohë, qysh në prill të atij viti, Senati miratoi vendosjen e 2,000 trupave italiane në Shqipëri për të mbështetur misionin humanitar, kurse gjatë verës 5,500 trupa italiane tashmë ishin vendosur në Kosovë si pjesë e misionit të NATO-s.

Edhe politikisht, Italia u bë një nga vendet e para lajmëtare që do të përkrahte pavarësinë e Kosovës.

Qysh në maj të 2007-s, D’Alema e kishte qartësuar pozicionin e qeverisë italiane: “Ne e mbështesim planin e Ahtisaarit, një formë të pavarësisë së mbikëqyrur ndërkombëtarisht”.

Kosova nën regjimin e populizmit: mosmirënjohëse dhe arrogante

Një nga manifestimet kryesore të populizmit të Vetëvendosjes prej pesë vitesh, pra Qeveria Kurti 1 dhe Kurti 2, ka qenë shkrehja e një retorike ‘sovraniste’.

Kështu, në imagjinatën publike u krijua bindja e rreme sikur Kosova u bë e zonja e vetes për ta siguruar sovranitetin dhe integritetin territorial pa pasur nevojë për ndihmën e jashtme.

Derisa vendet hisedare të NATO-s vetëm sollën trupa shtesë nga viti në vit si pasojë e baticave dhe zbaticave gjeopolitike, kjo nuk e pengoi qeverinë populiste që të zhytej deri në fyt në mashtrime.

Ashtu sikur ishte kapardisur shpesh Kurti se “Serbinë e njekim hû gardhi”, gjatë muajit të kaluar bota digjitale shqipfolëse gëloi nga video false për dronë vetëvrasës që gjoja po i prodhonte Kosova.

Lexo edhe: 600 heronj të heshtur amerikanë e ruajnë Kosovën

Një trohë takat

Në anën tjetër, kaçiku ushtarak i Kosovës, përtej mburracakërisë qeveritare, del të jetë minimal.

Me planifikimet e shpallura që t’i ketë 5 mijë pjesëtarë aktivë dhe 2500 rezervistë, sipas matjeve të ‘globalfirepower’, FSK-ja u radhit vitin e kaluar në vendin e 141-të nga 145 vende sa ishin të përfshira.

Në një përqasje me vendet fqinje, Kosova radhitet shumë më poshtë.

Kështu, për vitin e kaluar sipas po të njëjtës platformë, Serbia ishte e 63-ta, Kroacia e 74-ta, Shqipëria e 78-ta, Maqedonia e Veriut e 112-ta, Mali i Zi i 128-i dhe Bosnja e 132-a.

Megjithëse buxheti i vjetmë për FSK-në ishte më i lartë se kurrë, me 208 milionë euro të ndara, edhe vendet në rajon kanë pasur alokime më të mëdha për sektorin ushtarak.

Kjo mund të shembullzohet më së miri me buxhetin e vjetmë të Maqedonisë së Veriut.

Kështu, buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes i janë ndarë 20.450.820.000 denarë që i bie përafërisht 332 milionë euro.

Prej vitesh, Forca e Sigurisë së Kosovës është përballur me largimin e një numri jo të vogël të kuadrit të saj.

Kështu, për vitin 2023 ishte raportuar se 130 pjesëtarë të uniformuar ishin larguar.

Sipas ekspertëve të sigurisë, arsyet kryesore për largimin e kuadrit ushtarak kanë për emërues të përbashkët pagat e ulëta si dhe pakënaqësitë e vazhdueshme për mosrespektimin e meritokracisë.

Sado që te Ligji për Pagat e Zyrtarëve ishin paraparë rritje edhe për pjesëtarët e FSK-së, impakti nuk ishte dukur kushedi sa pozitiv.

Në një shtjellim në NACIONALE të bërë para disa vitesh, paga e një ushtari të klasit të parë do të shkonte në 580 euro, kurse i një ushtari të thjeshtë 560 euro. /Nacionale/

Lajme të ngjashme