"9 shkurti, mes shqiptarizmit dhe qeverisjes me Beogradin": Konjufca nxiti urrejtje, VV dënohet me 5 mijë euro
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje me 5 mijë euro për shkak të një deklarate skajshmërisht polarizuese të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë një tubimi të mbajtur më 23 janar, i cili përdori gjuhë që, sipas PZAP, "mund të nxisë urrejtje, përçarje apo dhunë mes qytetarëve."
Sipas PZAP-së, Konjufca ka shkelur Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme me deklaratën e tij, ku ndër të tjera është shprehur: “A ka me u qeverisë në Kosovë mas 9 shkurtit shqiptarizmi dhe kombëtarizmi shqiptar, a ka me u qeverisë bashkë me Beogradin, qikjo është dilema”.
Ankesa ndaj kësaj deklarate është bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
PZAP ka vlerësuar se kjo deklaratë bie ndesh me Ligjin Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, konkretisht me nenin 30, paragrafin 1, si dhe paragrafin 1.11 të tij, të cilat ndalojnë përdorimin e gjuhës që mund të nxisë urrejtje, përçarje apo dhunë mes qytetarëve.
Në bazë të këtij vlerësimi, PZAP ka vendosur të pranojë ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të shqiptojë një gjobë ndaj subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje në vlerë prej 5,000 euro.
PZAP ka vendosur që kjo gjobë duhet të paguhet brenda një afati prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që PZAP e gjobit këtë parti për deklarata ofenduese dhe polarizuese.
Paneli gjobiti VV-në për përdorim të gjuhës së urrejtjes nga kryetari i saj dhe kryeministri aktual, Albin Kurti.
“Të dashur qytetarë të Llapit, LYDYKYHI-Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është Lidhja, por është lodhje, dhe nuk është demokratike por është dokrratilke. E në përgjithësi mendermethanë opozita po i japin zor mule knej për vend të dytë, poget e kanë pa edhe ata vet që s’ka ymyt, se qashtu qysh Shpejtimi i ka myt, Vetëvendosja po i myt cep më cep në Republikën e Kosovës.”, kishe deklauar Kurti.