500 kopje, 15 mijë euro: si e promovoi MPJD-ja në botë librin e Shkëlzen Gashit me pasaktësi për masakrat në Kosovë
Skandali me ekspozitën e Shkëlzen Gashit për Masakrën e Dubravës, e cila ngjalli indinjatë për shtrembërim të historisë dhe ushqim të propagandës serbe përmes pretendimeve për "të burgosur të armatosur", rikthen në vëmendje edhe rolin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në promovimin e librit të Gashit “Masakrat në Kosovë 1998-1999”.
Ajo që e rëndon edhe më tej skandalin është fakti se ky libër nuk mbeti në margjina si një botim privat, por u promovua institucionalisht nga shteti.
Dokumentet e tenderit tregojnë se Ministria Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në atë kohë e drejtuar nga Donika Gërvalla, e kishte trajtuar këtë botim si material për përhapje ndërkombëtare përmes rrjetit diplomatik të Kosovës.
Libri ishte paraparë të qarkullonte nëpër misionet diplomatike si pjesë e mënyrës se si Kosova do ta paraqiste para botës kujtesën e luftës, vuajtjen e viktimave dhe të vërtetën për krimet e kryera nga Serbia.
Në specifikimet teknike kërkoheshin 500 kopje. Libri duhej të dorëzohej i paketuar për transport ndërkombëtar dhe “në gjendje të gatshme për shpërndarje përmes Misioneve Diplomatike të Kosovës”. Vetë tenderi e paraqet këtë libër si mjet të diplomacisë shtetërore.
Sipas dosjes, shpërndarja e librit përmes misioneve diplomatike synonte “ngritjen e vetëdijes ndërkombëtare”, “luftën kundër mohimit dhe revizionizmit”, “kontribut për drejtësinë ndërkombëtare”, “forcimin e pozitës së Kosovës në diplomacinë ndërkombëtare” dhe sjelljen e “zërit të viktimave në skenën globale”.
Dosja përmban edhe disa shenja të dukshme pakujdesie teknike. Në disa pjesë titulli figuron si “Masakrat në Kosovë 1998-1998”, jo 1998-1999.
Distancimi i Fondit për të Drejtën Humanitare
Fondi për të Drejtën Humanitare ka kundërshtuar publikisht pretendimet e autorit Shkëlzen Gashi lidhur me ekspozitën dhe librin “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, duke i cilësuar disa nga konstatimet si të pasakta dhe joprofesionale.
Në reagimin zyrtar, organizata hedh poshtë pohimin se në Burgun e Dubravës janë vrarë “persona të armatosur”, duke theksuar se viktimat ishin të burgosur shqiptarë nën kontroll të plotë të autoriteteve serbe.
“Të dhënat e paraqitura […] në disa raste japin një pasqyrë të pasaktë të krimeve. Kjo nuk është çështje interpretimi, por mungesë elementare e njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare”, thuhet në reagim.
Sipas fondit, edhe në rastet kur disa prej viktimave kishin qenë më parë pjesëtarë të UÇK-së, ata në momentin e vrasjes nuk ishin luftëtarë, por persona të privuar nga liria dhe të mbrojtur nga Konventat e Gjenevës.
Organizata thekson se ngatërrimi i përkatësisë me rrethanat e vdekjes ka çuar në deformim të natyrës së krimeve. “Është gabim dhe joprofesionale të nxirret përfundimi se një person është vrarë si luftëtar vetëm sepse ka qenë më parë pjesëtar i UÇK-së”.
Reagimi evidenton gabime të ngjashme edhe në rastin e Mejës, ku viktimat, ndonëse disa ish-pjesëtarë të UÇK-së, u vranë si civilë të paarmatosur nën kontroll serb.
Po ashtu, kritikohet interpretimi i ngjarjeve në Reçak, duke iu referuar dëshmisë së Shukri Bujës në gjyqin e Slobodan Milošević-it, ku bëhet dallim mes luftimeve dhe vrasjes së civilëve.
Fondi e konsideron shqetësues përpjekjen për t’ia atribuar këto pasaktësi vetë organizatës, duke e cilësuar si tentativë për diskreditim të bazës së saj të të dhënave.
“Paraqitja e pasaktë e fakteve […] relativizon krimet dhe cenon seriozisht dinjitetin e viktimave”, përfundon reagimi, duke kërkuar tërheqjen e ekspozitës nga hapësira publike.