4 mesazhet më të rëndësishme nga intervista e Gabriel Escobar
Urdhri i kryeministrit Albin Kurti, i kumtuar në mbledhjen e fundit të Qeverisë, që Kadastri t’ia regjistronte pronat Manastirit të Deçanit, u mor si shkalla e fundit që Kosova kapërceu për të hyrë në Këshillin e Evropës.
Por, intervista e sotme e z.Gabriel Escobar dhënë REL-it, zbeh arsyen e ‘festës’.
Ai jep edhe dy kushte të tjera – që aleatët perëndimorë kanë për Kosovën, për rrugën drejt KiE-së: shpronësimet në veri dhe Asociacionin.
Për çështjen e dinarit, tha se ‘nuk arriti ta bind kryeministrin Kurti’ por shtoi se ‘duhen veprime urgjente’ lidhur me këtë.
Escobar foli edhe për atë se a do të mund të ketë masa të reja ndaj Kosovës, për shkak të rrethanave të fundit të krijuara sidomos mes Qeverisë së Kosovës dhe Administratës amerikane me Aleatë (Brukseli, Roma, Berlini & Parisi).
Tregohet i prerë me “jo” – pra se nuk do të ketë masa, por shton se në vend të masave, ka ‘pasoja’. (Ali hoxha, hoxhë Alia?!).
Më poshtë, po përmbledhim katër mesazhet më të rëndësishme të z.Escobar nga kjo intervistë:
1.’Nuk munda ta bind Kurtin për dinarin’
Kur emisari amerikan, pyetet për çështjen e dinarit, thotë se ‘nuk ka arritur ta bind Kurtin’ për këtë punë, duke shtuar se ‘…na duhet një veprim urgjent për këtë çështje’.
“Kështu që ishte mirë që kryeministri e pranoi se ka njerëz që po vuajnë. Por, kjo nuk mjafton. Na duhet një zgjidhje. Unë i kërkova kryeministrit ta suspendojë vendimin përderisa ne, bashkë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeverinë e Kosovës, punojmë për një zgjidhje më afatgjate që u përshtatet nevojave tuaja, pra transfereve elektronike në euro përmes sistemit të Kosovës. Por, tani, ne duhet të bëjmë diçka urgjente. Fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur atë për këtë”, thotë Escobar në këtë intervistë.
2. "Janë dy kushte të tjera për Këshillin e Evropës"
Zoti Escobar, në këtë intervistë, dha lajmin që i druheshin shumë prej opinionistëve e njohësve të politikës në Kosovë, atë se zbatimi i vendimit për tokat e Manastirit të Deçanit, nuk do të ishte i vetmi kusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është... [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, thotë Escobar.
3. "Ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosje"
Një pjesë interesante nga intervista e Escobar, është edhe ajo lidhur me raportet aktuale mes Qeverisë së Kosovës dhe administratës amerikane.
Escobar, vë në pah se ‘nuk është hera e parë që refuzohen’.
Me tone dramatike përmend kryeqendrat botërore të cilat po ashtu janë të zhgënjyera me mungesën e komunikimit me Qeverinë dhe këto kryeqendra përveç Uashingtonit janë: Brukseli, Roma, Berlini dhe Parisi.
“Nuk është hera e parë, këtë ua them. Dhe, ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosje – jo vetëm në Uashington, por në Bruksel, në Romë, Berlin dhe Paris gjithashtu. Ne, përderisa i afrohemi 25-vjetorit të aksionit të NATO-s, është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë që forca e marrëdhënies ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes njerëzve.
4. A do të ketë masa ndaj Kosovës?
Në pyetjen e gazetares së Radios Evropa e Lirë, se a mund të konsiderohet vendosja e masave ndaj Kosovës, për shkak të rrethanave të fundit, Escobar tregohet i prerë me ‘Jo’.
Megjithatë ka diçka për të shtuar. Thotë se nuk do të ketë masa, por ka pasoja.
Kështu përgjigjet Escobar kur pyetet për masat:
“Jo... Dua të them, fakti është që ne po përpiqemi ta ndihmojmë atë të kujdeset për qytetarët e tij. Dua të them se jemi pothuajse në një pikë ku po përpiqemi shumë të punojmë me të.
Tani, pyetja nuk është nëse do të ketë masa, por padyshim ka pasoja. Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës me askënd administratën amerikane. Pra, ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia”.