31 tentime, 31 dështime: Tallja në Kuvend vazhdon
Edhe sot, sikur 30 herë të tjera. Skenari i njëjtë.
Ka dështuar për herë të 31-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Deputetët kanë shkuar e janë kthyer, pa e konstituuar institucionin më të rëndësishëm në Kosovë.
Në këtë seancë nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa e njëjta vazhdon pas 48 orëve, pra më 15 qershor.
“47 deputetë kanë votuar për, kundër asnjë, abstenim nuk ka asnjë, nuk kemi kuorum. Ndërpritet seanca, shihemi më 15 qershor në orën 11:00” – tha kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari.
Theksojmë se tashmë janë bërë katër muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve, dhe Kosova ende nuk ka institucione.
Palët janë barrikaduar në qëndrimet e tyre: opozita e refuzon Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, VV-ja nuk tërhiqet nga ky emër.
Theksojmë se në fillim të muajit maj, VV-ja kishte propozuar formimin e një komisioni, i cili do të monitoronte votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit.
Një propozim i tillë ka ardhur pasi kandidatja e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, kishte dështuar gjashë herë rresht që t’i merrte votat e nevojshme.
Çështja e votimit të fshehtë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga AAK-ja, e cila është mbështetur edhe nga PDK-ja dhe LDK-ja.
Seanca për konstituimin e legjislaturës se nëntë ka filluar më 15 prill dhe eri tani janë kaluar vetëm dy pika të agjendës.
Deputetët e kanë votuar raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe janë betuar.
Theksojmë se VV-ja nuk e ka ndryshuar emrin e kandidates për kryeparlamentare, edhe pse PDK-së dhe AAK-ja janë shprehur të gatshme të votojnë një kandidatë tjetër për kryetar.
Në anën tjetër, LDK-ja po insiston në Qeverinë e Unitetit Kombëtar.
Me këtë synim, Lumir Abdixhiku dje prezantoi 15 pika të kësaj qeverie potenciale.
Përkrahje kësaj ideje nuk i ka dhënë as VV-ja, por as PDK-ja. Këta të fundit, insistojnë në qeveri të opozitës.