30 ditë paraburgim për Nuredin Lushtakun
Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vendosur që Nuredin Lushtaku të paraburgoset për 30 ditë.
Ashtu siç raportoi Nacionale gjatë ditës së sotme, ashtu edhe u konfirmua këtë mbrëmje.
Vetë Lushtaku ka deklaruar se ai nuk ka përdorur armë, por sipas Prokurorisë ekzistojnë prova të mjaftueshme për paraburgosjen e tij.
Tutje ka folur edhe avokati Çerkini, i cili deklaroi se do të ankohen për këtë vendim.
“Klienti im tri herë është paraqitur vullnetarisht në polici, nuk ka pasur nevojë për këtë masë”, është shprehur Çerkini.
Ndërkaq, Lushtaku kishte thënë se polici nuk e ka vetëm një armë, por edhe dy të tjera për vetmbrojtje.
"Duke i dëgjuar fjalët e prokurorisë dhe letrat që u dëgjuan në sallë, më çudit fakti pse polici në këtë rast po bëhet viktimë. Kisha pasë një pyetje, e dimë të gjithë që policët nuk e kanë mjet të mbrojtjes së dhunës vetëm revolen, mesa unë e di i kanë edhe dy mjete të tjera, ose tri nëse e sheh që po rrezikohet prej masës. E ka një shufër të plastikës ose të hekurit, që duhet me përdorë edhe atë, dhe unë mendoj që e fundit vjen revolja", thoshte ai.
Si ndodhi incidenti?
I biri i Nuredin Lushtakut, ishte ndaluar në komunikacion, të cilit i ishte shqiptuar një tiketë.
Pas kësaj ai kishte telefonuar babin e tij Nuredinin, i cili pas pak kohe kishte arritur në vendin e ngjarjes me automjetin e tij.
Ai ishte i shoqëruar me dy vëllezërit e tij, Faton dhe Arif Lushtakun. Të njëjtit kishin filluar të fjalosen me policin Enver Berisha.
Kujtojmë se për rastin në fjalë, kanë folur edhe Gani Geci e Sami Lushtaku.
Në prononcime të ndara për Nacionalen, fillimisht Geci mohoi të ketë lidhje familjare me policin e plagosur, Mërgim Geci, kurse nënkryetari aktual i komunës në ditën e parë thoshte se nuk kishte njohuri për rastin, ndërsa lajmin e kishte kuptuar nga mediat.
Plagosja mes së shtunës dhe së dielës nuk ishte e vetmja ngjarje, pasi mbrëmë pati një tjetër gjuajtje me armë, por pa dëme apo pasoja në njerëz.

