2 vjet në turp: VV s’mban premtimin për komunikatat e fshira, vazhdon turpi me të kaluarën
Sot u bënë dy vjet prej që VV-ja kishte premtuar ripublikimin e komunikatave të hequra nga sajti i saj zyrtar. Kjo nuk ka ndodhur ende, megjithëse një gjë e tillë mund të marrë maksimumi disa minuta kohë. Çka thoshin këto komunikata dhe a po turpërohet VV-ja nga e kaluara e saj?
Lideri i kësaj partie politike, Albin Kurti, ka ndryshuar shumë qëndrime e për të cilat nuk ka dhënë asnjëherë shpjegim serioz. Dhe sapo i bën këto ndryshime në qëndrim Kurti, i bën edhe partia që e drejton.
Por, në vitin 2021 kur po mësynte të fitonte në mënyrë plebishitare në zgjedhje, Vetëvendosja po nevrikosej pas mediatizimit të komunikatave të saj. Ato komunikata ishin ripublikuar prej vet Vetëvendosjes fillimisht. E megjithatë, kjo po i pengonte partisë së Kurtit aq shumë sa vendosi t’i hiqte nga sajti zyrtar.
“Ti (Hashim) që thirresh në emër të gjakut të derdhur u përkule para arkivolit të Rugovës... Në varrimin e Rugovës nuk ishte familja Jashari, nuk ishte Vetëvendosje dhe nuk ishin shumë bashkëluftëtarë... Por ti (Hashim) ishe aty dhe nuk të vinte fare turp sepse tani më nuk dalloheshe nga ai. Jo vetëm që flisje si ai, por tani ishe mësuar edhe të silleshe si ai.” - i thoshte VV-ja Hashim Thaçit në komunikatën e famshme “Gjaku i humbur” ku e denonconte ish liderin e PDK-së që i kishte shkuar në varrim një (sic.) kolaboracionisti si Rugova.
Bashkë me këtë komunikatë do të fshihej edhe ajo për KFOR-in, për presidentin aktual amerikan Joe Biden, disa të ndryshme për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (Zajednicën), për Oliver Ivanoviqin për të cilin Kurti do të thurte fjalë shumë pozitive para disa javësh.
Këto komunikata ishte raportuar se i takonin periudhës 2005-2014.
Pse u fshinë?
Arsyeja zyrtare e dhënë nga Vetëvendosje ishte se komunikatat ishin hequr në mënyrë që të ripublikoheshin me emra autorësh.
Vetëvendosje i kishte mbajtur të publikuara këto komunikata për vite me radhë dhe e kishte mbajtur autorësinë e tyre, ndërkohë që disa të caktuara kishin pasur autorësinë e përveçme të disa aktivistëve të saj përfshirë Albin Kurtit.
Dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, më 12 shkurt të vitit 2021, zëdhënësi i atëhershëm dhe i tanishëm i partisë së Kurtit që mban emrin Arlind dhe mbiemrin Manxhuka duke e adresuar problemin i kishte thënë këto fjalë:
“Asnjë komunikatë s’është shlyer, ato janë shkrime autoriale dhe nuk kanë të bëjnë me qëndrimet e VV-së; ato janë hequr derisa t’u vendosen emrat e të gjithëve. Të gjitha komunikatat janë aty...””.
Por, komunikatat nuk janë ‘aty’. Pra, ato nuk janë në sajtin zyrtar të Vetëvendosjes ku ndodheshin më parë. As me emra autorësh të rinj, as me emrin e Vetëvendosjes siç kishin qenë. Kjo, as pasi kanë kaluar gati 21 muaj që nga ai premtim.
Pse ato janë të rëndësishme?
Vetëvendosje është partia politike me më së shumti pushtet ndonjëherë në Republikën e Kosovës. Në zgjedhjet e vitit 2021, ajo i fitoi plot 50.2 për qind të votave duke marrë në dorë drejtimin e vendit.
Historia e Republikës së Kosovës do të mund të shkruhej edhe përmes pasqyrimit të qartë të evoluimit të kësaj partie politike, e ku bëjnë pjesë edhe komunikatat e publikuara prej saj (qoftë nëse mbajnë autorësinë e aktivistëve, qoftë nëse kanë autorësinë e partisë).
Komunikatat e Vetëvendosjes janë veçanërisht të rëndësishme në kohën kur pretendohet se kryeministri i vendit Albin Kurti nuk po mban fjalët dhe qëndrimet politike të shprehura dikur. Kjo do të mund të verifikohej edhe përmes komunikatave të partisë.
Kurti ka vizituar dhe i është përkulur varrit të presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugovës të paktën në tri raste deri tash megjithëse partia e tij e akuzonte Thaçin pse e bënte një gjë të tillë.
Në shumicën prej këtyre komunikatave shkruhej shënimi “Kopjimi lejohet. Të lutem kopjoje!” me qëllimin që ajo të shpërndahej sa më shumë.
