11 pro, 1 kundër: Asamblistët e Mitrovicës së Veriut votojnë për hapjen e Urës së Ibrit, trazohen Vuçiqi e Lista Serbe
Kuvendi komunal i Mitrovicës së Veriut ka nxjerrë një vendim interesant sot gjatë ditës. Në një mbledhje sot gjatë ditës, asamblistët që morën pjesë aty, votuan pothuajse unanimisht për të hapur për qarkullim të automjeteve “Urën e Ibrit”, e cila ka vite që është bllokuar.
Në lidhje me këtë çështje, ka reaguar ashpër Lista Serbe, e cila e ka cilësuar si ilegale e hap i radhës i pushtimit të veriut nga Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.
Por çfarë ndodhi në Mitrovicën e Veriut?
Sot paradite, Kuvendi komunal i Komunës së Mitrovicës së Veriut u mblodhën në objektin e Asamblesëm, për të votuar për një pikë të rendit të ditës: hapja për qarkullim të Urës së Ibrit. E gjitha nisi pas një iniciative të asamblistes së VV-së, Aida Doli. Siç raportoi gazeta Veriu.info, me 11 pro dhe një kundër, asamblistët e këtij kuvendi komunal e kanë votuar hapjen e Urës së Ibrit.
Në një prononcim për këtë gazetë, Nexhat Uglanin, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Nexhat Uglanin, ka deklaruar se ky vendim është marrë me shumicën e votave.
“U mor ky vendim me 11 për, 1 abstenim, dhe 1 votë kundër nga një asamblist nga komuniteti serb” – deklaroi Uglanin.
Tutje, ai deklaroi se Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut po kërkon që edhe rindërtimi i xhamisë së vjetër afër lumit Ibër.
“Është po ashtu edhe objekti religjioz, xhamia e vjetër të cilën kërkojmë që ta rindërtojmë, na po lypim veç diçka çka u kan e asgjë çka s’u kanë” – deklaroi mes tjerash Uglanin.
Reagimi i Listës Serbe…
Përmes një reagimi në Facebook, Lista Serbe e ka kritikuar ashpër këtë vendim të Kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut, duke e quajtur si vendim të kundërligjshëm.
“Lista Serbe dënon ashpër vendimin e kundërligjshëm dhe jolegjitim të shumicës së paligjshme dhe jolegjitime parlamentare në Mitrovicën e Veriut për hapjen e urës kryesore të qytetit për qarkullimin motorik, gjë që shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen në këtë zonë. Duam të paralajmërojmë se hapja e mundshme e urës padyshim që do të rezultojë me incidente në këtë zonë, gjë që duket se është edhe qëllimi i Prishtinës.” – thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Në reagimin e tyre, asamblistët që votuan sot në favor të hapjes së Urës së Ibrit, Lista Serbe i quan “kuazi këshilltar”.
“Ky vendim i paligjshëm dhe i paligjshëm i marrë nga kuazi këshilltarë pa asnjë legjitimitet mes qytetarëve do të ketë pasoja të mëdha për paqen, sigurinë dhe bashkëjetesën në këto zona.” – thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Tutje, partia më e madhe serbe e ka përmendur edhe emrin e kryeministrit Kurti.
“Njëkohësisht, është vazhdimësi e pushtimit të veriut nga Albin Kurti, i cili u mësua me rolin e pushtuesit të Gauleiter.
Kërkojmë që KFOR-i, EULEX-i dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare urgjentisht të pengojnë zbatimin e këtij vendimi, t'i japin hapësirë për zgjidhjen e çështjeve të hapura në dialog dhe në këtë mënyrë të ruajnë paqen në këto fusha. Parandalimi i lëvizjeve të tilla nga ana e këshilltarëve të Prishtinës dhe Kurtit do të ishte në përputhje me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për të ndaluar të gjitha veprimet që cenojnë procesin e dialogut.” – thuhet në këtë reagim.
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
"Lideri okupator Albin Kurti morri vendim për të hapur urën që për shumë kohë ka shërbyer si digë për sigurinë e serbëve, që shqiptarët të mos e marrin Mitrovicën. Për shumë vite, njerëzit tonë kanë kundërshtuar dhe pyetur se pse ky njeri po e bën këtë. E vetmja gjë që ai dëshiron të bëjë është të dëbojë njerëzit anë dhe dëshiron konflikte." - deklaroi Vuçiqi.

