100 mijë euro vëllait, 100 mijë dajës: Familjarët e deputetes Pacolli përfitojnë grante stratosferike brenda dy muajsh - NACIONALE

100 mijë euro vëllait, 100 mijë dajës: Familjarët e deputetes Pacolli përfitojnë grante stratosferike brenda dy muajsh

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjithsej 200 mijë euro grante – 100 mijë për vëllain dhe 100 mijë për dajën – iu ndanë familjarëve të deputetes së pushtetit, Fitore Pacolli, nga Ministria e Bujqësisë e drejtuar nga Faton Peci.

Vetëm pak ditë pas njoftimit rreth grantit stratosferik për vëllain e deputetes, sekretari i përgjithshëm i Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike, Egzon Pacolli, ka bërë të ditur sot se dy muaj më vonë, Ministria e Bujqësisë i ka dhënë edhe 100 mijë euro grant për dajën e deputetes Pacolli.

Sekretari i Forumit Rinor të LDK-së bëri thirrje për dorëheqje teksa i kujtoi deputetes Pacolli fermerët që nuk kanë arritur të përfitojnë grant nga thirrjet e Ministrisë së Bujqësisë.

“E tash dikush duhet me dhanë dorëheqje. Fitore Pacolli, përveç që ia ka jep 100 mijë vëllait të saj, ka vendos me ia dhënë edhe 100 mijë euro të tjera dajës së saj. Bash dajës së saj, Sylejman Islamit. Dy muaj pasi që e ka shpërblyer vëllain e saj me 100 mijë euro, ka vendos me shpërbly edhe dajën, njëjtë, me 100 mijë euro tjera. Qysh bre Fitore tash edhe dajës a? A e dini sa fermeri e bujku kanë mbetur pa përfituar grant nga thirrjet e Ministrisë së Bujqësisë? A nashta për të fituar grant në këtë ministri duhet me pasë motër ose mbesë Fitore Pacollin”, tha sekretari i Përgjithshëm i Forumit të Rinisë së Lidhjes Demokratike.

Vëllai i deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacollit, e cila është edhe kryetar i Komisionit për Bujqësi në Kuvendin e Kosovës, kishte përfituar grant për ndërtimin e stallës dhe lopë qumështore.

Absurditeti i ndarjes së grantit thellohet nga fakti që kompania Alda Farm Ria me të cilën ka aplikuar vëllai i deputetes Pacolli, ishte hapur në ARBK vetëm disa ditë para se të zgjedhjes përfitues i grantit.

“Familjarët janë veç për dasma, thoshte Lëvizja Vetëvendosje para se me ardhë në pushtet. Ama, deputetja Fitore Pacolli e ka shpërbly vëllaun me grant gati 100 mijë euro, prej ministrisë së bujqësisë”, deklaroi Egzon Pacolli në videon e parë.

Nacionale kontaktoi ditë me parë biznesin e vëllait të deputetes Pacolli. Gjatë kontaktit me familjarë të vëllait të deputetes pati akuza të rënda ndaj mediave. Reagim për grantin e parë pati edhe nga vetë deputetja Fitore Pacolli e cila paralajmëroi padi ndaj të gjithë gazetarëve të cilët kanë raportuar rreth kësaj çështje.

Ndërkohë, Kooperativa Bujqësore “Krusha”, të cilës iu refuzua aplikimi për grant bujqësor nga Agjencioni për Zhvillim të Bujqësisë në Ministrinë e Bujqësisë, reagoi ditë më parë duke e quajtur “shqetësuese dhe zhgënjyese” vendim e Faton Pecit.

KB Krusha njoftoi përmes një shkrimi në Facebook krejt shkallët e refuzimit nga Ministria e Bujqësisë, duke shtuar edhe se nuk kanë përfituar ndihmë nga ministria që nga viti 2015.

Lajme të ngjashme