1 miliard euro të shpenzuara për energji: Hamza premton lidhjen me gazin amerikan, kritikon Kurtin për refuzimin
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza ka premtuar lidhjen me gazin amerikan nëse fiton pushtetin më 7 qershor, duke thënë se kështu i jepet fund varësisë nga importet e shtrenjta të energjisë.
Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Hamza ka thënë se Qeveria Kurti për vite me radhë ka refuzuar një mundësi të tillë.
“Për vite me radhë, Qeveria ka refuzuar mundësinë për ta lidhur Kosovën me gazin natyror amerikan (LNG), duke e lënë vendin më të varur nga importet e shtrenjta dhe më të pasigurt energjetikisht.
Vetëm në pesë vitet e fundit, Kosova ka shpenzuar rreth 1 miliard euro për importin e energjisë elektrike. Kjo është dëshmia më e qartë se vendi nuk mund të vazhdojë të mbështetet te importet e shtrenjta, por ka nevojë për burime të reja, më të sigurta dhe më të përballueshme të energjisë.
Sot, Kosova mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk është i lidhur me rrjetet e gazit natyror. Ndërkohë, gazsjellësi Aleksandrupoli–Shkup do ta sjellë LNG-në amerikane vetëm rreth 15 kilometra larg kufirit të Kosovës, duke krijuar një mundësi reale që nuk duhet humbur”, ka shkruar ai.
Hamza, tutje u shpreh:
“Si kryeministër, do ta ndryshoj këtë qasje. Do ta nisim menjëherë projektin për lidhjen e Kosovës me korridoret rajonale të gazit natyror dhe do të ndërtojmë partneritet strategjik energjetik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Më herët të shtunën, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, vlerëson se gazi amerikan mund të forcojë sigurinë energjetike të vendit dhe të zvogëlojë varësinë nga importi i energjisë elektrike. Ai kritikon mungesën e një qëndrimi të qartë të institucioneve për përfshirjen e Kosovës në rrjetet rajonale të gazit.
“Gjithçka varet nga vullneti politik. Ndoshta jemi pak mbrapa në aspektin e legjislacionit ose të infrastrukturës ligjore. Financimi mund të sigurohet lehtë për këtë projekt. Prandaj, mungesa e qartë e një zotimi të Qeverisë, se Kosova do të bëhet pjesë e një infrastrukture të tillë, është pak paradoksale”, ka thënë Zeka për REL.