U përfol se do ta takonte Kurtin, Zv. presidentja Kamala shkon në një varrim në anën tjetër të botës

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Është përfolur shumë se kryeministri Albin Kurti do të takohej me Zëvendës-presidenten Kamala Harris në vizitën e tij të gjatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Por, kjo e fundit del se është nisur ‘në anën tjetër’ të dynjasë.

Sipas Associated Press (AP), Kamala Harris po udhëheq një delegacion zyrtarësh të lartë amerikanë që po udhëton sot drejt Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) për të nderuar liderin e kësaj federate që vdiq së fundi, dhe për t’u takuar me presidentin e ri.

Ky udhëtim shenjon vizitën e parë të nivelit të lartë nga administrata Biden në Abu Dhabin e pasur me naftë, e që ka për qëllim të tregojë mbështetjen e fortë derisa Amerika provon të riparojë marrëdhëniet me partnerin e saj, veçanërisht mes peizazhit gjeopolitik që po ndryshon shpejt nga lufta e Moskës në Ukrainë” shkruan AP, përkthen në shqip Nacionalja.

Delegacioni përfshin Sekretarin e Shtetit, Antony Blinkenin, po ashtu. Por, mes tjerëve, edhe miqtë e Kosovës si William Burns dhe John Kerry.

Për shumë ditë ka pasur thashetheme në Kosovë se Kurti megjithatë do të arrinte në Shtëpinë e Bardhë për një takim me rëndësi. E emri i përmendur ishte pikërisht Kamala Harris, zëvendësja e Presidentit Joe Biden.

Sheiku i ndjerë, Mohammed, ka arritur ta bëjë vendin e tij, Emiratet e Bashkuara Arabe, një fuqi rajonale që ka shërbyer edhe për zgjidhjen e konflikteve, prej Jemenit në Libi.

Emiratet bashkë me Arabinë Saudite janë përballur së fundi me një trysni të fortë nga Amerika, për të prodhuar më shumë naftë që të përmirësonin tregjet e energjisë duke zbehur ndikimin rus.

Por, Emiratet janë edhe partner kyç tregtar i Rusisë dhe anëtar i së ashtuquajturës marrëveshje e OPEC Plus në të cilën Rusia është anëtare e rëndësishme.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka hyrë në ditën e tij të njëmbëdhjetë të vizitës në Amerikë dhe nuk ka takuar asnjë zyrtar të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit apo të Shtëpisë së Bardhë.

Një dështim i tillë është cilësuar si “alarmues” për njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare në vendin tonë, derisa është kritikuar edhe nga opozita e vendit.

Ndërkohë, nuk dihet nëse ndonjëri prej zyrtarëve të lartë amerikanë do të rikthehet në SHBA, duke shtuar gjasat e Kurtit për takim.

PËRDITËSIM: Kamala Harris me delegacionin amerikan tashmë kanë mbërritur në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Lajme të ngjashme