Krejt çka dihet deri më tash për vrasjen në Kaçanik - NACIONALE

Krejt çka dihet deri më tash për vrasjen në Kaçanik

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mesdita e sotme doli të jetë e kobshme për Kaçanikun. Rreth orës 14:00, te vendi i njohur “Fusha e Pajtimit” afër varrezave, u gjet një trup i pajetë dhe një tjetër i plagosur.

I vrari dyshohet të jetë Hasan Berisha nga fshati Dubravë, komuna e Kaçanikut, ndërsa i plagosuri është vëllai i viktimës.

E që i vrari dhe i plagosuri janë vëllezër, e kanë konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se gjatë ditës së sotme, rreth orës 14:00, në Kaçanik, një person është privuar nga jeta dhe një person tjetër ka mbetur i lënduar si pasojë e të shtënave me armë.

Motivet për këtë ngjarje ende nuk dihen dhe të dyshuarit lidhur me këtë rast gjenden në arrati, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa, personi tjetër i lënduar është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar rreth zbardhjes së rrethanave të ngjarjes”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Me komunikatë për rastin, kanë dalë edhe nga Policia e Kosovës, ku është sqaruar se për këtë rast, të dyshuar janë dy persona, dhe të njëjtit gjenden në arrati.

Policia Rajonale e Ferizajt sot, datë 10.05.2022 në ora 14:00 ka pranuar një informacion së në rrugën magjistrale Ferizaj – Kaçanik te vendi i quajtur “Fusha e Pajtimit“, përballë ” Varrezave të Dëshmorëve’’ në Kaçanik, nga arma e zjarrit, dy persona kanë pësuar plagë trupore dhe për pasojë në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë personi me inicialet H.B. (M/K) i moshës 30 vjeçare, vdekja e të cilit është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa plagë të rënda trupore ka pësuar edhe personi i dytë me inicialet K.B. (M/K) i moshës 32 vjeçar i cili për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) në Prishtinë .

Në lidhje me këtë, policia rajonale e Ferizajt, përkatësisht Sektori Rajonal i Hetimeve ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj ka nisur hetimet për zbardhjen e këtij rasti. Policët hetues po grumbullojnë informacione në terren dhe janë në kërkim të të dyshuarve, të kësaj ngjarjeje”, thuhet në komunikatën e policisë.

Lajme të ngjashme