Tri teori për Veriun nga një treshe e PDK-së
Javën e parë të Nëntorit tre emra të rëndësishëm në kontekste të ndryshme nga partia opozitare PDK, i folën Nacionales për temat aktuale, duke na dhënë rastësisht një pikëpamje më të gjerë të partisë e cila ka mbetur pa liderët e saj, që gjenden në Hagë.
Teoria nr 1: S’ka rehati në Veri pa u shkëmby territoret
I dorëhequr nga kryesia e partisë para një muaji, Ramë Buja dha intervistë në Nacionale duke folur për ngjarjet aktuale në vend. Ish-ministri i Arsimit dhe anëtarë i kryesisë së PDK-së, alarmoi në këtë intervistë duke thënë se Veriu i Mitrovicës nuk do të mund të stabilizohet asnjëherë. Më pas foli për idenë që Qeveria aktuale e ka shpallur të vdekur: shkëmbimi i territoreve. Sipas Bujës, kjo duhet të jetë zgjidhja e dialogut me Serbinë. Por sa ka relevancë ky propozim nga Buja që më nuk është pjesë e kryesisë së PDK-së, dëgjojeni intervistën:
Teoria nr2: Veç NATO dhe KFOR-i munden me na shpëtu
Nëse propozimi i Bujës është duke u folur në PDK, nuk dihet, dhe këtë se përmendi as deputeti i kësaj partie, Reshit Qalaj. Ish-drejtori i Policisë që iu bashkua partisë në zgjedhjet e fundit, foli më shumë për ndikimin që do të ketë dorëheqja e policëve serb nga Stacioni Policor në Mitrovicën e Veriut.
Qalaj dha gjithashtu një alarm se Qeveria e Kosovës e ka humbur kontrollin mbi Veriun, duke thënë se këtë ia dëshmojnë edhe informacionet që ai nui u zbuloi se kush janë, por tha se ato i kanë thënë se “NATO-ja dhe KFOR-i i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës, të mos dërgojë forca shtesë të Policisë në veriun e vendit”. Si e argumenton Qalaj këtë gjykojeni gjatë intervistës.
Teoria nr3: Ka shpresë, por duhet me e dëgju Amerikën
Për veteranin e partisë që ende është një nga figurat kryesore në Kuvend, Xhavit Halitin, Kosova është duke u sjellur në mënyrë të tmerrshme me serbët dhe kjo metodë e qortimit dhe ndëshkimit nuk do të prodhoj asgjë.
"Mos e përdor shkopin, sepse shkopi për ballkanasit nuk shkon", thotë Haliti duke shtuar se Qeveria nuk e ka idenë sesi të zgjidhë dialogun me serbët në Veri.
Por sipas tij, situata mund të ndryshojë nëse Qeveria e dëgjon propozimin e Amerikës dhe BE-së: shtyerjen e afatit për targat, por nuk foli shumë gjatë për kërkesën tjetër “formimin e Asociacionit”. Nëse dëgjohet Amerika dhe BE-ja sipas Halitit, Kosova do t’i japë mundësi që të punohet në drejtim të arritjes së marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.