Java e Krenarisë: Më e hapur dhe kreative por përsëri mungon guximi për të dalë jashtë Prishtinës - NACIONALE

Java e Krenarisë: Më e hapur dhe kreative por përsëri mungon guximi për të dalë jashtë Prishtinës

4 vjet më parë

nga Vullnet Krasniqi

Parada e Krenarisë ishte aktiviteti i fundit që mbylli këtë vit Javën e Krenarisë që është mbajtur në Prishtinë. Por çka ndodhi gjatë javës prej 6 qershorit deri më 9 qershor? Në disa prej aktiviteteve është një shpërfaqje e një tentimi të organizatorëve për të dalë pak jashtë konturave institucionaliste. Pak a shumë ka pasur sukses këtë vit, por përsëri i mungon guximi për të dalë jashtë Prishtine. Së paku për ndonjë debat.

Debatet nga të cilat po përfitojnë vetëm hotelet

Java e Krenarisë që këtë vit u mbajt me moton “Edhe n’shtet edhe n’familje” nisi në objektin ku ndodhet një nga institucionet më të rëndësishëm të shtetit, Qeverinë e Kosovës. E organizuar nën patronimin e Zyrës për Qeverisje të Mirë, të Drejtat e Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Kundër Diskriminimit në kuadër të Zyrës e Kryeministrit, në ngjarje mungoi akteri kryesor, kryeministri. Por aty foli e para e shtetit, Vjosa Osmani e cila foli me gjuhë burokratike dhe diplomatike duke e përfunduar edhe praninë e saj në këtë Javë. Pra, një fjalim presidentja edhe aq. Nejse. Burokratike ishte edhe dita e dytë. Dy panele u mbajtën brenda një dite në të cilat si zakonisht akterë të ndryshëm të shtetit dhe shoqërisë civile përsërisin veten dhe premtimet duke u paraqitur në të njejtën kohë. Kësisoj u mbajtën dy debate “Mosnjohja e martesave së seksit të njejtë në Kodin Civil” dhe "Pranimi dhe njohja ligjore e personave LGBTIQ+” me dy panele por nga asnjëri debat nuk mund të nxjerrësh diçka që ia vlen të thuhet ose diçka që ia vlen të hapet ndonjë debat publik.

Plus i parë për këtë vit - dalja në shesh para Paradës

Në ditën e tretë, Java e Krenarisë filloi të dalë nga zona e mërzitshme institucionale, duke u zhvendosur në hapësira më publike, duke u bërë e qasshme nga të gjithë. Madje edhe duke hapur debat. E tillë ishte ngjarja në sheshin “Nëna Terezë” në të cilën organizatorët i varën disa rroba të pjesëtarëve të komunitetit LGBTIQ+ që nuk janë pranuar nga familja apo shoqëria.

“Përmes aksionit rrugor ju sjellim storiet e sfidave të personave LGBTQI+. Këto storie të pranimit të vetes tregojnë rezistencën që e kemi në një vend ku shoqëria dhe familja në thelb janë heteronormative dhe patriarkale. E njëkohësisht, përmes këtyre storieve festojmë për familjet që na kanë pranu dhe ato që i kemi zgjedhë. Përmes këtyre storieve protestojmë kundër familjeve që shtypin fëmijët e tyre”, thuhej në përshkrimin e organizatorëve.

Shumë njerëz që kalonin nëpër shesh, u ndalën për të lexuar këto rrëfime. Dhe sa më shumë rrëfime të tilla që dëgjohen e lexohen, më shumë edukohet mendimi kolektiv për komunitetin. E tillë ishte edhe një ngjarje tjetër, ku persona queer në Kosovë lexuan poezitë e tyre. Ndërsa disa artistë të rinj, kanë organizuar një ekpsozitë të fotografive përmes së cilës thanë shumëçka.

“Shpinë e gjej kur t’dal prej shpisë” - eventi me më së shumti kuptim i Javës së Krenarisë

Regjisori Leart Rama, fotografi Besfort Syla dhe artisti Atdhe Behluli kanë qenë së bashku gjatë kohës kur i gjithë vendi u mbyll për shkak të Pandemisë. Dy vjet më vonë në kuadër të Javës së Krenarisë, të tretë kanë mbledhur fotografitë dhe i ekspozuan në hapësirat e lokalit të parë për queer, “Bubble”.

“Një nga fotot e mia që është ekspozuar është një e shkrepur në ballkonin e banesës sime. Fotoja është shkrepur në orët e para të mëngjesit, kur dielli sapo kishte filluar të dalë. Derisa në gjithë botën po gufonte Covid-19, në ballkonin e banesës sime, unë dhe shoqëria ime po festonim jetën edhe pse kishte shumë pak për të festuar”, thotë Rama, që gjatë pandemisë gjithashtu e realizoi filmin “4 pills at night” që më pas edhe u shfaq në festivale ndërkombëtare.

“Titulli i ekspozitës për mua flet shumë më shumë dhe kap masë më të madhe sesa vetëm komunitetin queer”, shton Rama, teksa kujton se “ka shumë persona që përjetojnë dhunë nga familjet e tyre, ka shumë persona që ndihen të palumtur nën një kulm me babin ose mamin e tyre, ka njerëz të ngulfatur emocionalisht dhe të mbyllur gjithë ditës në dhomën e tyre vetëm që të jenë sa më larg familjeve të tyre.”

Sipas treshes së artistëve, “historikisht komuniteti queer, pothuajse gjithmonë e ka pasur shumë vështirë koekzistencën e tyre të vërtetë nën një kulm me familjen e tyre”.

“Nga e gjithë kjo ka lindur nevoja për ta gjetur familjen tënde tjetër, një familje që të do dhe të feston çdo moment që ti merr frymë. Kur e them fjalën shtëpi, menjëherë më asocion me një vend paqësor, një vend ku mund të shtrihesh në divanin e sallonit tënd dhe të mos ndihesh i parehatshëm as edhe një sekondë të vetme. Shtëpi nuk mund ta quaj një vend ku çdo sekond që ti e kalon aty është ferr dhe makth”, thotë Rama.

Treshja thotë se fatmirësisht, “artistët në ditët e sotme në Kosovë kanë filluar të jenë më të guximshëm, për të treguar ose dokumentuar storie gej si në film e fotografi ashtu edhe në muzikë e performancë”. Megjithatë thotë Rama, “si shumëçka, edhe kjo nuk është fushë me lule, por vjen me shumë rrezik dhe sakrificë, ama nëse gjenerata jonë nuk do të jemi të guximshëm ta ngrisim zërin tonë, atëherë mund të jetë shumë vonë”.

Si përfundim, edhe Java e Krenarisë mund të përmblidhet me këto që tha Rama, dhe gjithashtu me faktin se Java e Krenarisë nuk do të jetë fushë me lule përderisa të mungojë guximi për të dalë jashtë Prishtinës. Ky duhet të jetë synimi i vitit të ardhshëm.

Lajme të ngjashme