“Puthja” Kurti-Vuçiq, artistja kërcënohet nga kosovarët e serbët: Cili ishte qëllimi i veprës? - NACIONALE

“Puthja” Kurti-Vuçiq, artistja kërcënohet nga kosovarët e serbët: Cili ishte qëllimi i veprës?

1 vit më parë

nga Leonora Kolukaj

Ermira Murati e njohur si “Orange Girl”, njihet për pikturat e muralet e veçanta. Ajo identifikohet me ngjyrën e portokallt. Përmes aktivizmit të saj ajo tenton të sjellë ndryshime në shoqërinë kosovare, duke promovuar tema tabu.

Por, “bomba” e Ermira Muratit, ishte para pak ditësh, më saktë me datë 17 shkurt, kur u shënua 15 vjetori i Pavarësisë së Kosovës.

“Orange Girl”, publikoi pikturën e saj të re, ku paraqet “dy rivalë” të shumpërfolur duke u puthur, Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kjo është piktura e tretë në ciklin e punimeve të projektit “K is S”, dy të tjerat kanë qenë reprezentim i prezencës së dashurisë mes gjinisë së njejtë në të kaluarën shqiptare, duke u bazuar në histori e në këngë të rapsodëve, si avokim për njohjen e të drejtave të komunitetit LGBTQ+ në Kosovë.

“Qëllimi im me këtë pikturë është kritika politike ndaj udhëheqësve të të dy shteteve. Por, dëshira ime është që piktura të kuptohet sido që dëshiron audienca, që ata të jenë të lirë të ndërtojnë pikëpamjet dhe gjykimet e veta mbi pikturën pa ndërhyrjet dhe spjegimet e mia”, tha Ermira Murati për Podcast Nacionale.

“Orange Girl” konsideron se edhe pse kanë kaluar 23 vite që nga lufta, të dy shtetet janë të ngujuata në proceset politike e me këtë rast po humbasin vetëm qytetarët.

“17 Shkurti është data më e rëndësishme për Kosovën. Por, kjo datë është njësoj e rëndësishme edhe për shtetin e Serbisë – edhe pse për arsye të tjera. Janë bërë 23 vite nga përfundimi i luftës dhe 15 vite nga shpallja e pavarësisë ndërsa të dy vendet janë të ngujuara në procese politke nga të cilat vetëm qytetarët e dy vendeve humbin. Prandaj, ata të dy duke u puthur, në një datë të rëndësishmë për të dy, është kritika ime dhe arsyeja përse në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa, kjo vepër edhe pse vije nga një artiste nga Kosova, ajo i përshtatet situatës politike edhe të Serbisë”.

Kjo vepër e saj ka pasur shpërndarje të madhe si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, me ç'rast ka pasur ofendime e kërcënime si nga kosovarët ashtu edhe nga serbët

“Kam pranuar ofendime e kërcënime si nga kosovarët por edhe nga serbët por njësoj, kam parë edhe kosovarë edhe serbë që në fakt u ka pëlqyer paraqitja e Kurtit dhe Vucic në këtë mënyrë. Por nuk u kam kushtuar shumë vëmendje atyre dhe nuk mund ta bëj ndonjë përfundim se a kanë qenë militantë të LVV dhe Vuçiq ata të cilët kanë ofenduar dhe kundërshtues të këtyre dyve ata që e kanë përkrahur”.

Ani pse në pikturë puthen dy burra, Kurti e Vuçiq, Murati tha se kjo pikturë nuk ka të bëjë dhe nuk synon të dërgojë mesazhe për LGBTQ+, mesazhi i vetëm është politik.

Murati tregoi se qysh pas veprës së parë të këtij projekti është përballur me urrejtje online, por që nuk i ndikojnë në jetën reale “i kam denoncuar në polici shumë nga kërcënuesit”. Por, pavarësisht kësaj, ajo ka frikë e i duhet të kujdeset më shumë kur është në publik.

“Nëpërmjet krijimeve të mia, përpiqem të luftoj tema tabu që mbizotërojnë në shoqërinë tonë, duke ndërtuar rrugë të reja dhe të sigurta për brezat e ardhshëm. Reagimet dhe diskutimet që krijohen rreth veprave të mia tregojnë se kjo që krijohet ka ndikim të madh, duke rikujtuar njerëzit për tema dhe probleme të caktuara që po i trajtoj”, thekson ajo.

“Por gjithsesi, gjithnjë ekziston frika se mos ndeshem në rrugë me ndonjë prej tyre që mund të më sulmojnë prandaj gjithnjë e më shumë më duhet të kujdesem më shumë në publik”.

Ajo tregoi se njerëzit në rrjete sociale janë munduar ta diskreditojnë veprën duke aluduar se “K is S” ka kuptimin “Kosovo is Serbia”. Por, emri "K is S" ka origjinën nga emri i vendit, Kosova (KS), ndërkohë që "Kiss" është fjala për puthjen në anglisht.

“K is S”; "K is S" është një projekt artistik i cili përbëhet nga një cikël pikturash të cilat trajtojnë çështje sociale duke u përqendruar puthjen. Emri "K is S" ka origjinën nga emri i vendit, Kosova (KS), ndërkohë që "Kiss" është fjala për puthjen në anglisht. Ky projekt i pikturave ka synuar të krijojë një lidhje mes dy elementeve, Kosovës dhe veprimtarisë së puthjes, nëpërmjet formimit të fjalës "kiss". Qëllimi i këtij projekti është të shprehë mesazhe të rëndësishme sociale, duke përdorur teknikën e pikturës për të ndërtuar një histori vizuale. Për këtë arsye, projektin e kam nisur me qëllim të nxitjes së reflektimit dhe dialogut në mes të publikut dhe artit, në mënyrë që të ndihmoj në rritjen e vetëdijes dhe ndërgjegjësimit në lidhje me çështjet sociale të cilat unë vendos t’i trajtoj”.

Vlerësimin e artit në Kosovë dhe Shqipëri, Ermira e sheh si shumë sfidues. Ajo shpreson se si shoqëri "do të vlerësojmë dhe të respektojmë artin siç meriton". Pavarësisht sfidave, "Orange girl" tha se nuk do të ndalet, por do të vazhdoj të punoj për të krijuar vepra të reja si dhe të jep kontibutin e saj artistik.

Lajme të ngjashme