“Nuk jam gjynah” –Rrëfimi i të riut kosovar me diabet për paragjykimet ndaj tij
Kur Valon Dervishaj ishte 22 vjeç, filloi që t’i ketë disa simptoma të diabetit të tipit 1. Për shkak që ishte student i mjekësisë, ai e kuptoi menjëherë që simptoma si urinimi i shpeshtë, ishin simptoma të diabetit. Prandaj, kur edhe këto simptoma po bëheshin të shpeshta, ai i bëri testimet e nevojshme për diabet. Rezultati ishte ai që dyshonte. Menjëherë u detyrua që të injektonte insulinë.
Por ndonëse mori këtë lajm, ai asnjëherë nuk e pranoi që njerëzit e tjerë ta shihnin si viktimë.
“Unë nuk jam gjyhna. Asnjë diabetik nuk është gjyhna, përveç nëse nuk e pranon diagnozën”.
Sipas tij ‘gjyhna’ mund të cilësohen vetëm personat që nuk e pranojnë diagnozën dhe rrjedhimisht kanë probleme të tjera shëndetësore.
Prandaj, ai sugjeron që kushdo që në moshë të re diagnostifikohet me diabet të mos stresohet pasi sipas tij kjo gjë ndikon edhe në nivelin e glukozës në gjak.
“Është e vështirë për shkak se unë edhe kam pa pacientë të rinj apo të vjetër, që kanë hezituar ta pranojnë sëmundjen. Tek njerëzit që e kanë pranuar më me sportivitet edhe niveli i glukozës u rri në rregull”.
Valoni ishte i ftuar në episodin e pestë të videocastit TOK ku u diskutua më në detaje për të rinjtë diabetikë në Kosovë.