Një sallon shtëpie në Galeri si ekspozitë arti - "Shtëpia" e një artisti që jeton jashtë vendit - NACIONALE

Një sallon shtëpie në Galeri si ekspozitë arti - "Shtëpia" e një artisti që jeton jashtë vendit

3 vjet më parë

nga Vullnet Krasniqi

Luan Bajraktari është një nga artistët kosovar që jeton jashtë Kosovës. Ai është rikthyer në Prishtinë me një ekspozitë në të cilën ka vendosur orendi dhe gjësende të tjera duke krijuar një sallon tradicional të shtëpive në Kosovë.

"Dhomë për Kujtime të Pabëra", kururar nga Hana Halilaj në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, quhet ekspozita e Bajraktarit, i cili e tjetërson galerinë në një dhomë dite ndërtuar me orendi dhe pajisje shtëpiake të vjetra. Duke u bazuar kryesisht në shëmbëlltyrën e shtëpisë së fëmijërisë së vet, autori krijon një mjedis tipik shtëpiak përmes ndërhyrjeve arkitekturale dhe të dizajnit të brendshëm. Ekspozita synon të vërë në pikëpyetje strukturat institucionale e, përmes kësaj, të krijojë një hapësirë që fton për reflektim dhe dialog.

Për të folur për këtë ekspozitë dhe mbi konceptin e shtëpisë për artistët kosovar që jetojnë jashtë shtëpisë së tyre, Luan Bajraktari flet në Podcast Nacionale duke rrëfyer idenë e tij mbi shtëpinë.

Duke eksploruar idenë e shtëpisë nga pikëvështrimi i diasporës, Bajraktari në këtë ekspozitë shfrytëzon mobilje të gatshme dhe orendi shtëpiake për të krijuar brendinë tipike të një dhomë ndenjje kosovare apo dhe të vendeve të rajonit.

Anipse rregullimi bazë i dhomës së ditës priret të jetë i ngjashëm anembanë globit, në morinë e objekteve të paraqitura, modelet dhe estetika e tepihut, divanit, perdeve dhe ngrohëses, tejçon heshtazi një afeksion të mishëruar në to. Ekspozita tërheq vëmendjen te kujtimet e sendërtuara në objekte e hapësira dhe shqyrton eksperiencat hapësinore si shenjuese të klasave shoqërore dhe ekonomike.

Ku i gjeti orenditë dhe si arriti në përfundim të kësaj ekspozite dhe si ka ndërruar koncepti i shtëpisë gjatë viteve, janë disa prej pyetjeve dhe temave që Bajrakari diskuton në këtë podcast.

Lajme të ngjashme