"Ne duhet të krijojmë raport të shëndoshë me vdekjen, është pjesë e jetës" - NACIONALE

"Ne duhet të krijojmë raport të shëndoshë me vdekjen, është pjesë e jetës"

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shpesh refuzohet të flitet për vdekjen, pasi vetëm ta mendosh të sjell trishtim. Por nga vdekja nuk mund të ik askush. Proces i patjetërsueshëm nëpër të cilin do të kaloj secili.

Humbja e personave të dashur sjell dhimbje por, realiteti duhet të pranohet.

Arjeta Spahiu që ka humbur babain gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe bashkëshortin në mars të viti të kaluar. Në emisionin TOK në Nacionale tregoi nga perspektiva e saj si ‘coach’ për gjashtë fazat e ‘zisë’.

“Kur kam qenë në stadat e pikëllimit, që e dijmë që janë 6 stada. Kam qenë koshiente në secilin stad që kam qenë. Më herët une kam menduar që është diçka lineare. Tek kjo pjesa kur e mohojmë, mandej pjesa e zemërimit, e ballafaqimit, depresionit. Kam mendu që i kalon edhe vazhdon. Mirëpo jo, është diçka që shkon cik-cak. Ajo që më ka ndihmuar mua, që ndoshta tjetër kush nuk i ka këto mekanizma, është që kam qenë e vetëdijshme edhe thjesht e kam kuptuar që secili person kalon nëpër ato stade”.

Spahiu thotë se njeriu duhet ti kaloj brenda një viti të gjitha fazat si dhe ta pranoj realitetin. Në rast se nuk mund të kalohet, ajo këshillon të kërkohet ndihmë nga psikologët, sidomos për fazat e depresionit.

E zakonisht në festa, mungesa e personave të afërt të cilët nuk jetojnë më, ndjehet më shumë. Mungesën e bashkëshortit, Arjeta e ndjeu më shumë se zakonisht për festën e Vitit të Ri.

“Jo që vetëm e kemi ndje, por e kemi ndje shumë thellë atë humbjen, faktin që Naci nuk ka qenë aty. Ai ka qenë person që ka ditë me bë një natë të paharueshme. Ka qenë shumë më vështirë se netët e tjera”, është shprehur Arjeta.

Ka persona që refuzojnë të flasin për humbjen e personave të dashur, por Arjeta Spahiu në TOK tha se të flasësh për personat e dashur të cilët nuk jetojnë më, është pjesë e shërimit.

“Nëse ti si emocion e mbyll dhe nuk e flet, domethënë ti ke problem me atë temë”, thekson ajo.

Arjeta Spahiu, në moshën 21 vjeçare e ka humbur babain, për të cilin varrin nuk e ka zbuluar asnjëherë.

“Puna e varrit është diçka që nevojitet me pasë një person, mirëpo është kjo pjesa spirituale që thjeshtë e ndjen kudo që është”.

Të pamen për ngushëllim në raste vdekjesh, Arjeta e sheh si pozitive dhe të nevojshme.

Arjetës i shkruajnë shumë persona të cilët po kalojnë kohë të vështira, ndër të tjerash ajo këshillon se nëse personat të cilat kanë ngecur në një stad ku nuk mund të vazhdojnë tutje duhet të kërkojnë ndihmë te psikologët sepse nuk është asgjë e keqe, por e nevojshme.

Lajme të ngjashme