Ep.3 Çka u fol sot në Kosovë dhe si raportoi Nacionale - NACIONALE

Ep.3 Çka u fol sot në Kosovë dhe si raportoi Nacionale

3 vjet më parë

nga Anita Nikaj

Kryeministri i Kosovës u shfaq shumë nervoz në seancën e sotme të Kuvendit, ku sipas tij po i bëhej gjyqi “njeriut në burg.” E kishte fjalën për Nagip Krasniqin, kryeshefin ekzekutiv të KEK-ut që u arrestua dje.

Emri i Blerim Isufajt po pret të dekretohet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tash e një kohë të gjatë.

Por, duket se kryeministri i vendit vendos edhe në emër të Vjosa Osmanit.

Ai akuzoi Blerim Isufajn se kishte disponim negativ ndaj tij dhe qeverisë së tij.

“...emri i kundërshtimit të ndryshimit të madh në Kosovë... sot është Blerim Isufaj. Ky është thelbi i çështjes, të tjerat janë pasoja,” – u shpreh z. Kurti.

Më pas, ai pati edhe akuza direkte ndaj prokuror Isufajt:

“Kjo lidhet më shumë se me askënd tjetër me figurën e prokurorit Blerim Isufaj... bëhet fjalë për një prokuror, i cili është mirënjohur në skenën tonë politike që me rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së, Dino Asanajt, të cilën e kategorizoi si vetëvrasje ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të informimit në kryeministri, Hamdi Sopës, e shndërroi në vrasje.” – tha ai.

Kurti mbrojti edhe shefin e arrestuar të KEK-ut, duke e rënduar edhe më shumë pavarësinë e sistemit gjyqësor.

“Prokuroria është shumë e zellshme në këtë rast, kur fitimi i KEK-ut në vitin 2022 ka qenë 107 milionë euro.” – u shpreh z. Kurti.

Ai akuzoi deputetët e Kuvendit se i kishin bërë gjyqin Nagip Krasniqit në sallë të Kuvendit.

“Njeriut në burg i bëhet në parlament gjyqi. Unë nuk ndërhyra po të flitej për KEK-un. Por këtu, i bëhej gjyqi një personi...”

Kryeministri Kurti pati sulme edhe ndaj Gjykatës Kushtetuese që sipas tij po e shkruante kushtetutën për shkak të rrëzimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

Lajme të ngjashme