Zyrtari i lartë amerikan erdhi në Hagë dhe la gjurmët e veta aty - NACIONALE

Zyrtari i lartë amerikan erdhi në Hagë dhe la gjurmët e veta aty

11 muaj më parë

nga Berat Buzhala

Si mund të kërkosh dënimin e Hashim Thaçit, pa kërkuar realisht dënimin e tij?

Nëse mendoni se kjo është e pamundur, gaboheni.
Mjafton t’i bëhet thirrje që të marrë përgjegjësinë komanduese. Sepse nëse nuk e pranon këtë përgjegjësi, atëherë si mund të quhet komandant i UÇK-së?

E vërteta nuk mund të jetë më ndryshe se kaq.

Hashim Thaçi, si udhëheqës i delegacionit të Kosovës në Rambuje, ka qenë realisht komandant i UÇK-së. Ai ka marrë vendime në emër të saj – madje edhe përtej kësaj.
Ibrahim Rugova, në Rambuje, i dha Thaçit jo vetëm legjitimitetin e komandantit, por edhe atë të përfaqësuesit politik, duke i hapur rrugë një të riu 29-vjeçar të udhëhiqte delegacionin.

A keni menduar ndonjëherë pse Hashim Thaçi ishte në krye të delegacionit në Rambuje?

Pse sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, i kushtoi aq shumë vëmendje Thaçit, sa i kërkoi zëvendësit të saj, James Rubin, të bëhej mik me të?
Pse presidenti amerikan Bill Clinton e telefonoi pikërisht atë, dhe jo dikë tjetër?

Pse gjenerali më i rëndësishëm në botë në atë kohë, Ëesley Clark, në vitin 1999 e trajtoi Thaçin si komandant të përgjithshëm?

Dhe për më tepër: pse pritet që vetë Ëesley Clark të dëshmojë në Hagë në mbrojtje të Thaçit?

E dini se gjenerali kroat Ante Gotovina u shpall i pafajshëm në shkallën e dytë, sepse Gjykata në Hagë, me rezultat 3 me 2, nuk arriti të gjejë prova të mjaftueshme që ta lidhin atë me përgjegjësinë komanduese për krimet e kryera nga forcat kroate gjatë operacionit “Oluja”?

Kroacia ishte shtet. Gotovina ishte komandanti kryesor. Por, sërish, mungesa e provave për përgjegjësi komanduese e shpëtoi nga dënimi.

Pse atëherë besoni se Hashim Thaçi duhet të mbajë përgjegjësi komanduese për krime të ndodhura në rajonin e Dukagjinit, kur vetë Gjykata e Hagës e ka shpallur të pafajshëm Ramush Haradinajn, komandantin e asaj zone, për mungesë të provave për përgjegjësi komanduese?

Nëse Haradinaj nuk ka mbajtur përgjegjësi për ato krime, pse duhet ta mbajë Thaçi?

Po ashtu, Fatmir Limaj u shpall i pafajshëm nga Haga në vitin 2005 për krimet në rrethinën e Malishevës, edhe pse ai ishte komandant i zonës. Gjykata konstatoi se nuk kishte prova që ta lidhnin atë drejtpërdrejt me përgjegjësi komanduese.

Kjo nuk është ndonjë rast i veçuar. Rasti i Momçillo Perishiçit, gjeneralit kryesor të Serbisë për krimet në Bosnje, është një tjetër shembull. Ai u lirua në vitin 2013 sepse gjykata nuk gjeti përgjegjësi direkte komanduese.

Në drejtësi, ajo që nuk vendoset në selinë e Vetëvendosjes apo në Presidencë, është se përgjegjësia komanduese është një nga akuzat më të vështira për t’u provuar.

Këto ditë, e kemi dëgjuar me emocione të mëdha James Rubinin, një prej figurave kyçe të SHBA-së për Ballkanin, duke folur për rolin e Hashim Thaçit gjatë luftës dhe në procesin e paqes.
Ai përmendi se për Presidentin Clinton, Sekretaren Albright dhe Gjeneralin Clark, Hashim Thaçi ishte figura qendrore shqiptare në vitin 1999.

Por Thaçi, nuk ka pasur – dhe nuk mund të ketë – përgjegjësi komanduese për ndonjë vrasje në Dukagjin, Drenicë apo Klinë. Sepse ai nuk ka dhënë urdhër për askënd të vrasë askënd.

Këto dy ditë, James Rubin ka shkëlqyer. Ai e ka vulosur edhe njëherë historinë tonë.

Lajme të ngjashme