Yin dhe Yang: e mira e një të keqe dhe e keqja e një të mire
E keqja e rivalitetit mes Kurtit dhe kopjes së tij femërore është vetëm përshtypja fatalisht e rreme sikur zgjedhësit kanë dy alternativa.
E mira e rivalitetit mes Kurtit dhe kopjes së tij femërore është dobësimi reciprok i tyre. Dhe kur modeli origjinal dhe modeli kopje kapen mes vete në emër të origjinalitetit, kjo është histori ku të dytë nuk do të jenë më të njejtë.
E keqja e rivalitetit mes Kurtit dhe kopjes së tij femërore është që u desh vetëm një dyluftim mes tyre që populizmi të shkërmoqej nga brenda. E keqja është që kjo shkërmoqje nuk erdhi nga ata që nuk e pinë helmin e populizmit. Opozita sot do të duhej të ishte ajo që e sikteris Kurtin mashkull e Kurtin femër dhe jo kur këta të dy kapen mes vete ku njëri i bën opozitë tjetrit.
E mira e këtij rivaliteti është që turma për një moment e gjen veten me këmbë në tokën e të gjallëve ku nuk ka më fanitje për shenjtorë, mesi e të dërguar. Është pikërisht ky çasti i deluzionit të madh që Bardhyl Londo e poetizoi bukur dikur: “Mbaruan duartrokitjet/ thirrjet entuziaste,/ u ulën krahët me ‘V’-të e gishtërinjve në erë./ Pastaj filloi shiu,/ si për të na kujtuar se këpucët na fusnin ujë,/ e lata e druve duhej prerë...”
E mira është që PDK-ja i mbylli me shula dyert për Fatmir Limajn e desperadot e tij. Më mirë një vendim paqeje me veten sesa dorëzim para matematikave të pazarit. Me paushalle se ky ose ai erifi vjen magjikisht me 15 mijë vota pas nuk dilet as nga shtëpia, e lëre më mësymja në zgjedhje.
E keqja është që PDK-ja nuk krijoi deri më sot mjaftueshëm profile të reja ashtu që regjistri i saj diskursiv të ishte i rrënjëzuar kudo. Ajo do t’i kishte punët në vijë kur njerëzia do ta shpjegonin mikrokozmosin tonë përmes ligjërimit PDK-ist, madje edhe pa qenë pjesë e radhëve të saj. Në vend se në krye të saj të zinin vend fytyra nga e ardhmja, trokitjet e vetme në derë ishin ato të një ishi. Dhe kur ishi e ishja pikëtakohen sërishmi, jeta e tyre është nën hijen e një dështimi të madh karakteresh. Domethënë, fati është i merituar.
E mira është që, para Fatmirit, PDK-ja i çmoi të vetët që kurrë as nuk shantazhuan emocionalisht, as nuk mësynë me tazin e lypsarisë nga dera në derë e as nuk e braktisën partinë kur e gjithë Kosova u bë mendje e njejtë me dy V-ja. Ta mbash ishin ose ishen brenda shpís është një mënyrë e trishtë për t’i futur brenda krejt bandillët e krejt armiqtë me të cilët ai ose ajo jetuan kaq e kaq vite.
E keqja është që qerrja sërish ka ngecur në baltovinë. Kosova e 2026-s shërbehet me copëza e vjetërsira nga sënduku.
E mira e LDK-së është që njëherë në jetë u kujtua se gradat, stemat e arritjet e dikurshme janë vjetërsira që nuk kanë kuptim përtej një dollapi të kujtesës. Me rruazat e së kaluarës nuk luftohen betejat e reja, e sidomos jo kur je një fatkeq që po mezi po mbahet me një dorë para një gremine të thellë.
E keqja është që për plasat e plagët po kërkohet ilaç nga ajo që i shkaktoi gjakftohtësisht. Albinit i lypet mejdan me një Albin femër.
E mira është që publiku më fort ka simpati për Isa Mustafën e Agim Veliun, Avdulla Hotin e Hykmete Bajramin sesa për ata që kanë një delir vetëvrasës për të bindur se humbjet e thella ishin veçse fitore të sofistikuara.
E keqja është që LDK-ja po antagonizon VV-në duke u bërë një kopje e gjallë e saj. Dhe shenja më e sigurt e këtij albinkurtizimi është kur Kurti femër rikthehet pa të keq në parti, dhe në listën e re me kandidatë i hahet haku atyre që ishin anti-kurtistë.