Vetëm disa njerëz mund ta kuptojnë dështimin e Kurtit në raport me ShBA’në - NACIONALE

Vetëm disa njerëz mund ta kuptojnë dështimin e Kurtit në raport me ShBA’në

2 muaj më parë

nga Berat Buzhala

Para disa vjetëve, do të kishte qenë e pabesueshme që të shohësh një zyrtar të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke u ngazëllyer për takimet në Serbi. Mjafton një analizë e postimeve në “Twitter” të Derek Chollet’it për të arritur në këtë përfundim.

Berat Buzhala

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë dështuar katërçipërisht me strategjinë e tyre që të kenë avantazh kundër Serbisë, duke e rrahur fort argumentin që Serbia është pro-ruse, kurse Kosova dhe këta janë pro-perëndimorë. Mjafton vetëm që t’i lexoni “tuitat” e këshilltarit të presidentit Biden, Derek Chollet, i cili këto ditë ishte në vizitë në rajon. Gjuha që Chollet’i e ka përdorur, kur i ka takuar udhëheqësit e Serbisë, është shumë më e ngrohtë sesa ajo që e ka përdorur, kur i ka takuar udhëheheqësit e shtetit të Kosovës.

Për shembull, në postimin që e ka bërë për takimin që e ka zhvilluar me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, Chollet’i ka thënë “great conversation”, shqip “bisedë e mrekullushme”. Këtë cilësim për bisedën Chollet’i nuk e ka përdorur për asnjë takim tjetër. Duket që Daçiqi i ka lënë shumë përshtypje. Sigurisht që të gjithë pajtohemi që kur një zyrtar i lartë amerikan shkruan në “Twitter” ose në “Facebook”, fjalët aty janë të përzgjedhura dhe të filtruara. Chollet’i këto postime nuk i shkruan duke ecur nga takimi në hotel, e as kur ai gjendet në veturë duke shkuar për në aeroport. Jo. Këto janë fjalë dhe fjali që mendohen dhe me të cilat dërgohet një mesazh. Kur e ka takuar kryeministren Bernabiq, Chollet’i ka shkruar “pleased to meet...”, shqip “i lumtur që e takova...” “I lumtur që e takova...” duket që është shprehje më pak përkëdhelëse sesa shprehja “bisedë e mrekullueshme”, që Chollet’i e ka përdorur për Daçiqin, por, megjithatë, edhe “i lumtur që e takova” është mjaft miqësore si frazë. Kurse pas takimit që e ka pasur me Aleksander Vuçiqin, Chollet’i e ka falënderuar atë për “bisedën e mirë për raportet mes Serbisë dhe ShBA’së”. Vuçiqin, Chollet’i e ka kursyer prej përkëdheljeve, mirëpo edhe për takimin me të, gjuha e përdorur është pozitive. Nuk janë përmendur sanksionet ndaj Rusisë e as nuk janë përmendur në asnjë vend rezervat amerikane ndaj Serbisë, ose anti-perëndimorizmin serb, e as sentimentet e Serbisë ndaj Perëndimit. Qartazi shihen një frymë pozitive dhe një angazhim i ri i Serbisë.



Tash, duke e ditur kontekstin historik dhe raportet e Kosovës me Amerikën në këto 30 e kusur vitet e fundit, entuziazmi i zyrtarit të lartë amerikan në takimet që i ka zhvilluar me udhëheqësit e lartë të shtetit të Kosovës duket për një shkallë më i zbehtë sesa në takimet me zyrtarët serbë dhe kjo është mjaft e dhimbshme për t’u konstatuar. Për shembull, nëse kur e ka takuar Bernabiqin, Chollet’i ka shkruar “pleased to meet”, shqip “i lumtur që e takova”, ai për takimin me Osmanin ka shkruar “good to meet”, shqip “mirë që e takova”. Chollet’i për takimin me Osmanin, gjithashtu, ka shkruar pastaj për raportet e mira të Kosovës dhe ShBA’së, mirëpo ka qenë i rezervuar tej mase për t’i dhënë atij takimi një ngrohtësi. Pastaj vjen takimi me Kurtin. Huh! “Bisedë e rëndësishme”, ka thënë Chollet’i për takimin me Kurtin. Bisedë të rëndësishme ShBA’ja zhvillon me këdo. Nëse nuk është biseda e rëndësishme, ata nuk të takojnë, mirëpo nuk ka kurrfarë epiteti për Kurtin e as për takimin. As nuk është i lumtur, as i kënaqur, as i pikëlluar. Drejt e në temë. Dialogu dhe fleksibiliteti. Mos të harrojmë, jo shumë kohë më parë, Chollet’i kishte zhvilluar një bisedë me Vuçiqin, ku e kishte shprehur zemërimin e tij me Kurtin. Ky zemërim shihet qartë që ende nuk i ka kaluar.

Esenca e problemit, ose e gabimit, të Kurtit dhe Osmanit është që janë duke vazhduar të shkundin gabimisht një trup të mollës, duke shpresuar që ai trup do të japë edhe ndonjë kokërr. Ata nuk po dëshirojnë që të shohin se tashmë asnjë kokërr aty nuk është. Janë duke e shkundur pemën e gabuar. “Ka pasë molla këtu”, po dëshirojnë të thonë. PO, mirëpo ato i kanë shkundur Rugova e Thaçi, shumë më moti. Tash jemi në vitin 2022, të gjithë kanë ecur përpara, e as Serbia nuk ka qëndruar duarkryq. Nuk i ka lejuar vetes që të shndërrohet në shënjestër të fuqive të mëdha, posaçërisht në shënjestër të ShBA’së, tash kur Rusia është krejtësisht e ngulfatur në konfliktin me Ukrainën, i cili duket se nuk do të përfundojë së shpejti.

Vuçiqi dhe intelegjencia serbe, jo nga bindja e as nga dëshira, prej kur Putini është përfshirë në luftë me Perëndimin, kanë filluar t’i bëjnë llogaritë e tyre në dy fletore. Njërën fletore për Perëndimin, kurse tjetrën për Rusinë. Këtë të fundit më shumë për konsum të brendshëm. Kushdo që nuk e ka parë këtë situatë të re, është i paaftë për çfarëdo pozite të lartë shtetërore. E duket që për shkak të shterpësisë totale, për shkak të mungesës së kreativitetit, Kurti e Osmani e kanë futur veten në këtë grackë, prej të cilës nuk po mund të dalin. Naivitet i madh. Kurti është viktimë e vetes. Disa libra që i ka lexuar e disa të tjerë që të tjerët i kanë lexuar për të, e kanë shndërruar në politikan të papërdorshëm. Faza e fundit e çmendurisë së tij do të jetë momenti kur do të fillojë t’i mbajë ligjerata Amerikës për vlerat amerikane. Do t’i tregojë Amerikës se cilat “në fakt” janë interesat amerikane në Ballkan. Një gjë të tillë, para tij, e kishte bërë Adem Demaçi në vitin 1999. Kur Amerika i bënte presion Kosovës që ta nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë, Demaçi i bënte presion delegacionit që të mos e nënshkruante atë dokument, sepse, sipas Demaçit, Amerika nuk ishte e vetëdijshme se cili ishte interesi nacional i saj. Pak a shumë, kështu edhe i kishte thënë në një bisedë telefonike Madeleine Albright’it. Bota është e madhe, kurse zyrtarët amerikanë ndër dekada janë përballur me marrëzi të ndryshme, mirëpo nuk besoj që janë përballur me diçka të këtyre niveleve.

Kosova, me vullnetin e qytetarëve të vet dhe në mënyrë demokratike, është marrë peng nga Kurti. Nuk është hera e parë në histori që një lider e merr peng vendin e vet përmes votës. Nuk dëshiroj që këtu të përmend emra, mirëpo vota si e tillë, edhe nëse është 70 për qind, edhe nëse është 90 për qind, nuk është argument i qëndrueshëm për qeverisjen e mirë ose vizionare. Hamasi i ka fituar zgjedhjet në Gaza. Gjendja e banorëve aty nuk është pëmirësuar kurrë. Nesër, nëse mbahen zgjedhjet në atë enklavë, prapë Hamasi fiton. Ligjet e njerëzve nuk funksionojnë në mënyrë të njëjtë sikur ligjet e fizikës. Diçka që funksionion në Suedi, nuk funksionon në Kosovë e as në Palestinë e Filipine. Janë plot përbërës të tjerë që mund ta ndryshojnë trajketoren. Njëri prej tyre, më i rëndësishmi, është edukimi i atyre që votojnë. Armiqtë kryesorë të demokracisë janë pasioni dhe impulset e njerëzve. Ah, edhe informatat gjysmake. Albini është usta për këto të fundit.

Lajme të ngjashme