Veriu, toka e ftohtë e Kosovës ku banditët serbë tallen hapur me shtetin
Makinën e redaksisë e lamë në jug, nënvetëdijshëm ashtu ndiheshim më të sigurtë. Vetëm nga pamja s'do na dallonte askush në turmë që s'ishim serbë. As unë e as kolegu që më shoqëronte s'po e flisnim me zë të lartë këtë gjë, por të dy, në njëfarë mënyre po mundoheshim të mos binim shumë në sy.
Kolegun e pashë në një moment që fshehu edhe bexhin e gazetarit që mbante në qafë, ndërsa po ecnim në ‘Car Lazar’, në ditën që kishte pasur disa shpërthime në qendrën e KZZ-së.
Po flisnim me njëri-tjetrin, por sikur e mbanim gjuhën më me kujdes e po e ulnim zërin që të mos dëgjoheshim, shmangnim vazhdimisht edhe kontaktet me sy me njerëzit që ndanim trotuarët. Edhe pse të dy u nisëm për atje duke qeshur e duke u tallur me fjalët 'o sot o kurrë do biem heronj', në fakt s’e kishim menduar edhe aq seriozisht që realiteti atje kuptimsonte talljen tonë. Jo që do shpalleshim heronj, se maksimumi do bënim tituj lajmesh për nja dy ditë, por që, po, atë ditë edhe mund të goditeshim nga ndonjë nga ato bombat që ranë 5-6 herë radhazi.
Ndërsa kalonim në sheshin e stolisur me flamuj serbë, nga gazeta, redaktori na kërkoi të merrnim ca prononcime nga qytetarët. E pashë një herë kolegun e i thashë 'aiiiii sikur dimë të flasim serbisht ne, kërkesë koti’. Në fakt jam e sigurt që s'ishte ky problemi, në një situatë tjetër edhe mund te gjenim mënyra për të komunikuar me një të huaj, por thjesht aty s'ishte vendi e as koha e duhur, po rezervoheshim të identifikoheshim edhe si gazetarë, prandaj kërkesën e tij e kaluam në heshtje e sikur për ta arsyetuar veten propozova që të nisemi nga ‘Lagjja e Boshnjakëve’, ‘andej ka edhe shqiptarë, mund të marrim nja dy-tre pronocime’ thashë...
Ndërsa i shkuam rreth veriut, më një drojë që sado s'thuhej po na shoqëronte të dy, arritëm të lagjja ku do flisnim me dikë, por ama aty s'kishte njeri. Rrugët ishin të boshatisura, sikur e gjithë ajo pjesë ishte braktisur... Po kërkoja nja dy djem që i kisha njohur më parë, ata kishin një dyqan mu sa kalohej ura nga jugu. Dyqan që edhe pse ora s’shënonte akoma 20:00 ishte mbyllur.
Duke vrarë mendjen se ku janë këta njerëz, morëm një mesazh tjetër nga redaksia, 'nisuni nga zyrat e KZZ-së, ka shpërthime të reja'. Ashtu në këmbë nisëm të ecnim me të shpejtë e për t'i gjetur zyrat u bë shumë e lehtë. Dritat blu e të kuqe nga makinat e policisë na treguan rrugën që nga larg. U afruam, tre-katër makina të Policisë së Eulexit e një a dy të Policisë së Kosovës. Në një anë ishin mbledhur edhe gazetarë nga media të ndryshme, mund të ishin 10 a 15.
Sytë e të gjithë këtyre njerëzve ishin drejtuar nga disa zyra të vjetëruara që tashmë ishin me xhama të thyer nga shpërthimet, ndërsa pritej një ekip tjetër të vinte për të deminuar një bombë të vendosur aty. Ngjitur zyrave ndodhej një ndërtesë banimi, që për aq kohë sa ne qëndruam aty, nga ballkoni vëzhgonte një grua e moshuar me shqetësim.
Ne thjesht po prisnim në të ftohtë, e po merrnim pamje, herë pas here duke ndezë ndonjë cigare. Një moment u ula në tokë, sikur isha çliruar pak, po ndihesha më e sigurt se një orë me parë te ‘Car Lazar’, thjesht prezenca e policisë po jepte efektin e saj. Por, papritur ndërsa unë isha ulur më në distancë nga të tjerët, një zhurmë e madhe më ngriti në këmbë e sytë më shkuan direkt te turma me gazetarë nga ku njëherësh nisi të dalë tym i bardhë. Bërtita, nga një moment i qetë u krijua një kaos i vërtetë. Policët u çorientuan dhe qortimi i'u bë gazetarëve, 'a të kujdesemi për ju a çfarë të bëjmë më parë', na thanë ata, ndërsa na larguan të gjithëve nga vendi i shpërthimit.
Ai moment sikur më solli pak në vete, aty në veri s'kishte siguri as për ne me policinë afër e as për vetë ata pak policë që megjithatë vazhdonin të qëndronin aty.
Ky ishte shpërthimi i parë që unë isha dëshmitare, por ama s'qe i fundit edhe për dy orë të tjera ndodhën edhe disa dhe jo s'ishin mjete piroteknike siç janë munduar shumë t'i paraqesin.
Ishin lloj bombash që po hidheshin nga disa persona që me shumë mundësi as nuk ndodheshin shumë larg nesh, por ama ndiheshin më të sigurtë se ne. Ata që po i hidhnin, dukej sikur e dinin fare mirë që askush s'do i’u vihej prapa për t'i kërkuar. Një situatë ku edhe ata policët që ndodheshin aty, dukej sikur s'e kishin shumë të qartë se si duhej të vepronin. Në një realitet tjetër, pas atyre sulmeve ajo rrugë do të ishte e mbushur me efektivë që do u viheshin pas shkaktarëve. Por jo, në këtë rast të gjithë në atë rrugë thjesht qëndronin si të pashpresë duke pritur për shpërthimin e radhës. Edhe gazetarët, që mund të ishin nisur për aty duke u tallur po përballeshin me një realitet që i bëri të mendojnë më shumë. Një kolege nga një media tjetër mu afrua duke u dridhur, jo se s'po dridhesha dhe unë. Më tha, 'huhh sa ftohtë', e pohova dhe unë me kokë. Po ishte ftohtë, por s'ishte e gjitha nga temperaturat, përgjithësisht ishte ajo që po ndodhte, që kombinonte ftohtin me frikë deri në drithërima.
Aty ishte Kosovë, Kosovë që bandat kriminale e kishin shpallur të tyren e me çdo veprim që bënin dukeshin sikur talleshin me statuset e përditshme të politikanëve me të cilat u shesin trimëri popullit.
Nejse, ne u kthyem në jug e jo shumë të sigurt që situata u qetësua, u dakorduam të rikthehemi edhe një herë tek ato zyrat. Tani rruga ishte e mbyllur me mjete të blinduara, ndërsa u bëmë dëshmitarë edhe të një shpërthimi të fuqishëm rreth orës 00:00 ku morëm edhe urdhërin e fundit e të prerë për t’u larguar. Këtë herë në jug kaluam nën përcjelljen e policisë…
Tani, ky avazi i bandave i nisur në veri ditë më parë, po vazhdon. Shpërthimet ndodhin thuajse në të njëjtin orar çdo natë. Situata po bëhet më e rëndë ndërsa kriminelët serbë më as nuk po fshihen. Kanë nisur të dalin hapur e po sulmojnë edhe njerëz në rrugë. Çështje e ndjeshme dhe s’e kam idenë se çfarë duhet bërë, por e di që e kemi vendosur dikë në krye që të mendojë e të gjejë zgjidhjen e duhur, që deri më tani s'po duket askund. Teksa tensionet sa vijnë e rriten me liderët serbë që kërcënojnë rëndë, topi veçse te pushtetarët tanë, duket se është shumë më shumë tek ndërkombëtarët, ata që qëndrimet e tyre i ndryshojnë në varësi të atij që shfaqet më i vendosur në qëndrimet e veta.
Se a do të na sjellin ditën kur në veri të Mitrovicës do të jetë më ngrohtë, apo do të na sjellin ditën kur udhëtimet deri atje më nuk do të jenë të mundura - gjë e vështirë për t’u parashikuar. Të zgjedhurit tanë janë herë të vendosur për të mos bërë lëshime e ditën tjetër na nxjerrin përballë faktit të kryer me marrëveshje të pranuara në orët e mesnatës, larg kamerave e vëmendjes së qytetarëve. Gjithsesi, ndërsa duket se nuk janë të vetëdijshëm as vetë se çfarë po bëjnë, ajo që nuk duhet të harrojnë e që nuk mund të negociohet, është nevoja e dukshme e shqiptarëve të veriut të Kosovës për siguri në shtëpitë e tyre.


