Vdekja e Njeriut - NACIONALE

Vdekja e Njeriut

1 javë më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Ermal Mulosmani

Në Jabllanicë të Kosovës, një fshat diku në mes Gjakovës dhe Klinës, mbrëmë u gjetën të vdekur 3 fëmijë-adoleshentë, dy 15 vjeç dhe njëri 14.

Vdekja, sipas të gjitha gjasave, është shkaktuar nga shembja e një objekti të pabanueshëm, brenda të cilit fëmijët gjendeshin.

Një tragjedi e tmerrshme, një dhimbje e madhe.

Mu kujtua poezia e Migjenit, disa vargje të mjerimit:

"Kur pullaz i shtëpisë u shemb e ra

Nga peshë e qiellit, nga kalbsinë e kohës,

Ku mbi gjithçka u ndie një i tmerrshëm za,

Ish zani i njeriut që vdiste nën tra!"

E kam të qartë që vdekja është aksidentale dhe nuk ka lidhje fort me mjerimin apo le të themi as me "kalbsinën e kohës". Policia do të hetojë dhe do nxjerrë me siguri që "faji është i viktimave që u futën në një objekt të rrezikshëm". Tragjikisht.

Por në këtë shkrim dua të merrem me një gjë tjetër, humbjen totale të njerëzillëkut!

Shkova pak në profilin e Kryeministrit Kurti. Kishte bërë nja 8 postime "cep më cep". Në të fundit, duket gjithë hare, një gaz i madh i buiste në gjithë qenien. Shikojeni vetë. Sipas asaj që shkruante, një djalë në Lipjan kishte bërë 19 vjeç dhe me siguri do të votonte për VV!!! Ky postim sapo ka ndodhur, nuk e ka as një orë! Hareja që e kishte kapluar Kryeministrin dhe fakti që përmendte ditëlindjen e 19-të të një të riu kur tre adoleshentë sapo ishin ndarë nga jeta, tragjikisht, me një tragjedi migjeniane, i përkiste të shkuarës! Ajo kishte ndodhur disa orë më parë! Tani jemi në fazën e haresë!

Cep më cep (sa nuk u shkon kosovarëve letrarja "më": cep më cep, rrugë më rrugë, shtëpi më shtëpi. Por nejse).

Nga Lipjani në Ferizaj, Has e Arkashticë, festa e fitores vijonte, hareja e militantëve harbonte, ligjërimi i Liderit delironte.

*****

Për ironi të fatit, vetëm 2 ditë më parë, në një tallava-ligjërim, Kryeministri i Kosovës kishte deklaruar se prindërit e Kosovës po ia besojnë atij fëmijët e tyre, po e thërrasin Albin Baba! Çfarë neverie! Po ua merrte edhe prindërimin, të drejtën dhe obligimin më natyror popullatës! Ky është një depersonalizim publik dhe i pafytyrë i prindërve hallexhinj, i të gjithë banorëve të një vendi të vogël. Prijësi bajraktar ishte prindi i gjithë Kosovës! Dhe qeshte e gëzonte si halabak lagjeje.

Tani, Kryeprindit i kanë vdekë tre fëmijë, tre ëngjëj që nuk e nisën mirë jetën.

Prindi i tyre i vërtetë po i qan e vajton, ndërsa Kryeprindi po feston në Lipjan!

Ku je o Kryeprinddddd???!!!!

Çfarë po ndodh me ne?!!! Si mundet që postimi ngushëllues i Kryeprindit, Albin Babës, për vdekjen tragjike të 3 adoleshentëve mori 3.5k miratime (like) dhe 25 share, ndërsa postimi tjetër, i mëvonshëm, për Lipjanin "cep më cep" mori 7 mijë miratime dhe 250 share?! Çështë ky turp, kjo mizori, ky kanibalizëm?

A mundet të kurseheshin sot mitingjet? Të paktën sot, vetëm sot! Albin Babës i kanë vdekë 3 fëmijë sot, ai të paktën formalisht duhet të heshtë! Në traditën e çdo shqiptari, në kodin moral të çdo njeriu, fatkeqësia, morti, drama respektohet me heshtje! E kujt i plasi bytha se ai djali 19 vjeçar do të votojë VV?!! Apo se Lipjani qenka mbushur cepëmcep! E pastaj?!

Në emër të dhimbjes për ata ëngjëj që pullaz i shtëpisë u mori jetën, në emër të asaj tragjedie mizore, duhej që Kosova, e gjithë klasa politike të heshtte! Të solidarizohej me dhimbjen e fatkeqëve.

Por jo.

Sot kanë dhimbje të thellë vetëm prindërit e atyre gjynafqarëve. Ata nuk votojnë më dot.

Prandaj Kryeprindi ka tjera halle, ai po feston ditëlindjen e 19-të të një votuesi. Ai duhet.

Lajme të ngjashme