Ushkuri i Lajçakut – krijimi i mitit sovranist
Col Mehmeti
Fashikujt me gjëra rreth ushkuri për ish-emisarin e BE-së, Mirosllav Lajçak nuk ia eliminojnë aq lehtë pasojat e tij.
Ato do t’ia zezojnë ambiciet për karriere, por zor që do ta prekin trashëgiminë e tij në bisedimet politike mes Kosovës e Serbisë.
Anët e errëta promiskuoze, ku edhe një diplomat karriere humb terezinë para tundimeve të seksit, do të jenë një rast i mirë për qitësit tanë me pushkë morale që janë garda e përhershme e mbrojtjes së regjimit albinkurtist.
Lapërdhitë e tij me Epsteinin nuk mund ta zbehin faktin se njëfarë kohe jo të largët Albin Kurti llogariste në të si një aset i çmuar gjeopolitik.

Ishte koha e Trumpofobisë dhe një pjesë e gjermanëve dhe evropianëve të tjerë nuk është se i mbanin të fshehura përpjekjet e tyre për të gjetur ndonjë budalla ballkanik që i kruhej koka leshtore për të bërë bela me amerikanët.
Nëse në BE kishte ngurrim për ta marrë përsipër një kuturisje të tillë, në Kosovë do të dilte serbez një ‘sovranist’ që me llafe e vinte kufinin te thana, se edhe amerikanëve ua numëronte gjynahet në emër të mbrojtjes së ‘krenarisë kombëtare’.
Për ata që janë të paaftë për të harruar, ekziston një Albin Kurt që shkonte deri atje sa Kosovën donte ta ‘çlironte’ nga Amerika e ta bënte çështje evropiane. “Kosova është shtet në kontinentin e Evropës e nuk është atje në kufi me Meksikë”, pallavronte ai.
Me kaq pak koqe mend sa kishte Kurti asokohe, Borrelli e Lajçaku llogariteshin si dosta më të mirë të Kosovës sesa Grenelli ose kushdo tjetër në administratën e Trumpit.

Fryt i kësaj aventure gjeopolitike ishte vetë Marrëveshja e Ohrit, aty ku Kurti e kuptoi përmasën e tij si klloun.
Kur u menderos puna, ‘pesë minuta në dymbëdhjetë’, si thotë fjala, Kurti u ndërmend që Borrelli e Lajçaku ishin “në anën e Serbisë”.
I vetmi që e kishte pikasur se po fuqizohej një element me “defiçite në raport me shtetin e Kosovës” qe ish-presidenti, Hashim Thaçi.
Kurdo që shkruhet një histori e re e Kosovës, një histori postpandemike, do të jetë e pamundur të mos shihen qartë rrënjet e mitit sovranist mu në relacionin Lajçak-Kurti.
Kur injoranca negociale e Kurtit në diplomaci solli një Asociacion më problematik se cilido shestim për të më 2013 e 2015, atëherë ai e filloi aventurën e madhe drejt veriut me spektakle mujore me njësi speciale.
Një koncesion i rëndë si injoranca në Ohër duhej të mbulohej me gjethe fiku.
Kjo punë mund të bëhej pa djersitur sa kohë publiku në Kosovë vuante për simbolizma dhe ngopej me lugë thatë.
Asnjë rob i gjallë nuk pëlqente t’i ekspozohej kujtesës së hidhur për Ohrin nëse propaganda e Kurtit i ofronte atij err’ e terr imazhe ‘kryetarësh’ shqiptarë që me një grusht vota gjoja e mbanin gjallë autoritetin e shtetit në veri.
Për ta thënë sa më shqip, Lajçaku ua fali shqiptarëve kosovarë edhe një Albin ‘sovranist’, edhe një mit për të, edhe një iluzion të madh nga i cili zor që do të shkëputën ndonjëherë.

Dhe dëmi më largvajtës ishte te stërkeqja e kognicionit publik ku njerëzia nisën ta besojnë vërtet përrallën e sovranitetit në veri.
U besua marrëzisht se tani siguria ishte meritë e muskujve të Prishtinës, dhe se KFOR-i nuk ishte as deterrent e as dalazotës.
Iluzioni ballkanik është trajtë e përgjithshme ku nuk dallohet cili është shqiptari e cili serbi, boshnjaku a turku.
Te dy palët — vuçiqistë e kurtistë – e lexuan idiotësisht këtë gjendje të re “pa KFOR”, madje deshën edhe ta zgjidhnin këtë punë kryenëvete.
Në 2023-n, sidoqoftë, ndodhën dy ngjarje kthesëshënuese ku u pa që iluzionet populiste mund ta thyejnë kokën sa herë i tejkalojnë disa kufij dhe e sfidojnë arkitekturën e sigurisë së Perëndimit.
Atë ditë kur KFOR-i ia bëri qejfin ‘sovranistëve’, pra ia la një ditë në dorë sigurinë, xhandarmëria serbe sa hap e mbyll sytë e poshtëroi shtetin e Kosovës duke i arrestuar tre policë të shkretë.
Mësimi që fliste zëshëm këtu ishte se ja ç’ndodh në çastin kur KFOR-i nuk është dalazotës në Kosovë.
Në shtator, me këso deliriumi, grupe paramilitare e terroriste serbe që mendonin se KFOR-i është prani koti, vendosën ta fillojnë përpjekjen për ta imponuar veten si ‘çlirimtarë’.
Ajo nisi dhe mbaroi në Banjë me tre paramilitarë që i lanë eshtrat aty. Mësimi që nxori krye këtu ishte se ja ç’ndodh në çastin kur Serbia e ha në sy KFOR-in dhe provon ta ‘çlirojë’ Kosovën.