UÇK-ja, NATO dhe magjia që ndodhi vetëm një herë
Shkruan: Shenoll Muharremi
Çka kishte me ndodhë nëse NATO nuk do të intervenonte? A do ta kishim sot një Kosovë të lirë, apo një plagë të pambyllur në hartën e Europës? A do të kishim rezistu për vite me radhë, të harruar nga bota sikur Gaza tani, ndërsa Kosova do të zbrazej nga shqiptarët një nga një? Cili është roli dhe përgjegjësia e Kosovës në rajon dhe Europë aktualisht?
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë organizimi më i mirë dhe serioz i shqiptarëve të Kosovës në histori. Zakonisht ka pasur organizime për rezistencë dhe çlirim, por shumica absolute kanë qenë të vogla, të fragmentuara dhe të pamjaftueshme për me ndryshu epilogun e robërisë.
Kështu, gjatë historisë, thuajse kush ka kaluar këndej e kush ka pasur ambicie, na ka sunduar dhe robëruar. Kanë ardhur Romakët, Bizanti, Serbët, Bullgarët, Osmanët... e më vonë edhe Gjermanët e Jugosllavët, dhe e kanë okupuar Kosovën me lehtësi.
Nuk kujtohet që ka pasur ndonjë rezistencë e luftë të madhe e të organizuar nga ne gjatë shumicës absolute të historisë, prandaj edhe kemi qenë të sunduar. Krimet edhe atëherë kanë qenë të jashtëzakonshme, sikuse herën e fundit.
Prandaj UÇK-ja ka qenë organizimi më serioz dhe më i mirë në histori. Por UÇK-ja, përkundër përkushtimit dhe misionit të lirisë, nuk do të mjaftonte për ta çliruar Kosovën për shkak të kapaciteteve dhe arsenalit të madh ushtarak, policor dhe paramilitar të Serbisë. Kishte me rezistutar gjatë, por me e fitu luftën nevojiten edhe infrastrukturë ushtarake dhe armatim. U pa sa shumë u nevojit NATO të bëjë që të përfundoj e fitohet lufta.
Rezistenca jonë, sikur mos të intervenonte NATO, kishte me vazhdu ndoshta me vite, e gjithashtu ndoshta pa u përkrahur shumë nga Perëndimi. Lehtësisht Kosova ka mund të përfundoj në njëfarë Gaze të Europës. Kishte me vazhdu me u zbrazë vendi, e ndoshta shumica nga njerëzit që jetojnë sot në Kosovë nuk kishin me qenë këtu, por në Shqipëri, SHBA ose në vendet europiane.
Ajo çka ndodhi në vitin 1999 intervenimi i NATO-s nën drejtimin e SHBA-së dhe vendeve mike europiane është një magji e vërtetë. Diçka që ndodh ndoshta vetëm një herë në histori. Aq shumë rrethana e situata janë koordinuar, sikur miliarda e triliona yje kanë punuar për me e mundësu këtë ndërhyrje.
Me siguri në rrethana aktuale, sot, nuk do të ndodhte një intervenim dhe shpëtim i tillë për kosovarët. Ndoshta edhe sot, pas kaq shumë vitesh, ne do të ishim ende duke negociuar për paqe dhe ndalje të konfliktit sikur atëherë në Rambuje. Fati jonë ka qenë zakonisht i hidhur në shumicën absolute të historisë.
Për këtë jemi jashtëzakonisht falënderues për ndihmën dhe shpëtimin nga Perëndimi. E kjo nënkupton që roli i Kosovës aktualisht është që ky të mbetet një tregim suksesi në historinë e njerëzimit.
Historia e Ballkanit ka treguar që në periudha të ndryshme, në Kosovë dhe në rajon, ka pasur ndryshime të mëdha. Pas çdo rendi të ri global, janë ndërruar "pronarët". Kjo nënkupton që, edhe pse e kemi fituar lirinë, kemi shumë punë për të bërë që edhe shtetin ta forcojmë dhe sjellim paqe të qëndrueshme. Kjo nuk është e lehtë të bëhet për shkak se nevojite një qasje dhe mindset anti-Ballkanik. Dicka që ndoshta nuk gjindet lehtë në rajon.
Për një paqe të qëndrueshme, duhet edhe dialog dhe komunikim me të gjithë pjesëtarët e komuniteteve. Sidomos me qytetarët tonë në veri që nuk e pranojnë ende sa duhet Republikën.
Na duhet gjithashtu të krijojmë një ekonomi funksionale dhe e fortë që i mban të "lumtur" njerëzit, i shtyn me e dashtë këtë vend më shumë. Përndryshe nuk ka paqe dhe stabilitet pa ekonomi. Nacionalizmi ballkanik jeton aty ku nuk ka përparim dhe shpresa.
Liria ka ardhur me shumë fat e me magji, edhe shteti është krijuar. Por ndërtimi dhe qëndrueshmëria e Kosovës ende nuk janë kompleuar. Ende nuk ka paqe sociale në veri të vendit. Ende ekonomia e Kosovës nuk është funksionale sa duhet për të garantuar mirëqenie që e mirëmban paqen dhe stabilitetin. Ende ushtria jonë nuk i ruan kufijtë e Kosovës.
Kosovarët kanë ende shumë punë për me e kompletu projektin historik të Kosovës. E ky projekt nënkupton që Kosova të jetë model i rajonit dhe të frymëzojë Ballkanin për të ndryshuar paradigmën nga konfliktet dhe nacionalizmi, drejt mirëqenies, individit, ekonomisë, dhe kushteve e mundësive të barabarta për qytetarët.
Ky projekt është në proces e sipër, ndërsa situata aktuale pas zgjedhjeve të 9 shkurtit po tregon shenja që klasa politike ende nuk është forcuar e rritur sa duhet për ta kuptuar rolin që ka në këtë proces. Mbase kjo është edhe pjesë e mësimit dhe përparimit.
Kosova ka pasur një përparim të madh gjatë dekadave të fundit. Me siguri përparimet e fundit janë më të mëdha sesa ato të shekujve më parë. Por trajektorja e përparimit nuk shkon vetëm lart, ajo ka edhe ulje, konsolidime. Ndoshta aktualisht, vitet e fundit, jemi duke u konsoliduar, gjë që duhet të jetë faza e ardhshme e përparimit.
Ajo që e bën Kosovën jo vetëm stabile është kryesisht ekonomi e fortë dhe funksionale. Ajo që e ankornon Kosovën në NATO dhe BE janë reformat dhe transformimet pozitive të shtetit, drejtësisë dhe administratës. Gjithashtu është maturia e politikanëve dhe institucioneve që përmes dialogut dhe komunikimit me komunitetet, sidomos në veri, të gjejnë një model për të mishëruar paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
Kosova është zemra e Ballkanit dhe funksionimi e suksesi i saj nënkupton transformim të rajonit dhe ndryshim të paradigmës për Ballkanin. Duket që kosovarët kanë më shumë rol, ndikim dhe përgjegjësi sesa që shihet në shikim të parë. Ndoshta intervenimi i NATO-së është vetëm një fillim i asaj që në histori e kuptojmë si transformimi dhe europianizimi i Ballkanit, edhepse kjo është po duket një projekt kërkues dhe vështirë të ndodhë shpejt.