Të vdesësh ose jo, çështja interesante e ortodoksisë shqiptare - NACIONALE

Të vdesësh ose jo, çështja interesante e ortodoksisë shqiptare

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka hyrë në momentin e saj me dramatik prej rimëkëmbjes e saj më 1992. Tani kur kryepeshkopi i saj 95-vjeçar, Anastas Janullatos, po lufton mbase të mbramën betejë me jetën, reagimet e publikut janë dyfarëshe, dyekstremëshe, me zhvlerësime e vlerësime. Përtej debateve ordinere, emri i kryepeshkopit Janullatos përcolli jetën fetare të ortodoksizmës shqiptare që prej rënies së diktaturës komuniste e deri te konsolidimi i KOASh-it dhe afirmimi i tij ndërkombëtar. Fati i jetës së tij ka në dorë edhe çështjen larg më të rëndësishme mbi atë se a do të demonstrohet tranzicion i qetë që e ruan stabilitetin e KOASh-it si njëri prej institucioneve fetare shqiptare me më së shumti kredibilitet ndërkombëtar.


Shkruan: Col Mehmeti

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë (KOASh) mund të jetë më afër se kurrë finales për titullarin e saj. Gjendja fort e rënduar shëndetësore e kryepeshkopit të saj, Anastas Janullatos, i aktualizon diskutimet e kahershme mbi pasuesin e tij. Ç’prej të premtes, kryepari i komunitetit ortodoks shqiptar është shtruar për trajtim mjekësor në spitalin ‘Evangelismos’ në Athinë pasi atje është bartur me avion ushtarak nga spitali ‘Hygeia’ në Tiranë.

Megjithëse të martën nuk ka pasur asnjë afishim për rastin nga KOASh, nga sa bëhet me dije prej burimeve të afërta me spitalin athinas gjendja e hierarkut 95-vjeçar është përkeqësuar seriozisht – sipas mjekëve të atjeshëm organizmi i tij mund të mos e përballojë një ndërhyrje kirurgjikale.

Sidoqoftë, janë disa arsye notore pse një zhvillim si ky ka gjasë të jetë njëra nga ngjarjet më të pazakonta të këtij fillimviti në Shqipëri.

(1) Zgjedhja e një pasuesi në fronin e KOASh-it do të ishte ndryshimi i parë në kupolën e këtij organizimi fetar; ai do ta pasonte kohëzgjatjen fabuloze prej 32 vitesh e 10 muajsh të Anastasit si “Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë”, siç e njeh atë neni 21 i Statutit të KOASh-it.

(2) Po e njëjta sasi kohe e qëndrimit në fron e Anastas Janullatosit ka kaluar me pezmin e madh të publikut shqiptar për përkatësinë etnike joshqiptare të kryepeshkopit. Në të vërtetë, Anastas Janullatos është i lindur më 1929 në Pire të Greqisë. Udha e tij prej teologu përfshin mbarimin e Shkollës Teologjike në Universitetin Kapodistrian të Athinës. Më 1960, ai u bë dhijak, kohë pas të cilës u përfshi në përgatitjen e stafit kishtar për misione. Ecajaku i tij fetar përfshin qëndrime priftërore në Afrikën Lindore (Ugandë, Keni dhe Tanzani). Sfondi i tij teologjik u pasurua me studime pasdiplomike mbi historinë e feve, misionarizmit dhe marrëdhënieve ndërfetare.

(3) Por si u bë që një klerik grek si Anastas Janullatos të bëhej kryeparë i ortodoksisë shqiptare? Ardhja e tij në Shqipëri pasoi fundin e diktaturës komuniste, kur në janar 1991 Patriarku Ekumenik i Konstandinopojës, Bartolomeu, e caktoi si ekzark për rimëkëmbjen e Kishës Ortodokse Shqiptare. Presidenti i asokohshëm shqiptar, Ramiz Alia, i kishte dhënë dritën jeshile autoritetit më të lartë të botës ortodokse për dërgimin e një ekzarku, porse nuk e pranoi propozimin që të dërgoheshin edhe katër peshkopë grekë. Siç u tha zyrtarisht asokohe, në Shqipëri e jashtë saj nuk gjendeshin priftërinj shqiptarë sa për të bërë ‘kuorumin’ e nevojshëm për sinod kishtar. Ai u zgjodh si kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare në verën e vitit 1992.

Rimëkëmbja e kishtarisë ortodokse u bë mbi rrënojat e një trashëgmie të zymtë të realitetit shqiptar nën diktaturën komuniste. Prej vitit 1967, kur u bë ndalimi i plotë i fesë, për dekada me radhë raportet ndërkombëtare kishin vënë në dukje gjendjen e rëndë ndaj komuniteteve fetare. Në fillimvitet ’90, midis mijëra kishash të shkatërruara e të mbyllura, kishin ngelur gjallë vetëm 22 priftërinj të moshuar.

4) Shoku i publikut shqiptar në lidhje me kryepeshkopin e parë në periudhën paskomuniste vinte, parasëgjithash, nga ai që u ndjesua si rrezik që ortodoksia shqiptare të instrumentalizohej nga Greqia. Kundërshtarët e zgjedhjes së grekut Anastas në pozicionin sipëran të komunitetit ortodoks shqiptar i mëshonin Statutit të vitit 1929. Në artikullin 16-të stipulohej që kryepeshkopi dhe pozitat e tjera udhëheqëse të Kishës Ortodokse Shqiptare të ishin “prej gjaku, gjuhe Shqiptarë, si edhe të kenë nënshtetsinë Shqiptare.” Autoqefalia shqiptare, në të vërtetë, qe shpallur më 17 shtator të 1922-s me rastin e Kongresit të Beratit. Sidoqoftë, ky akt nuk ishte njohur menjëherë nga Patriarkana e Konstandinopojës, e cila autoqefalinë shqiptare e pranoi vetëm më 1937.

5) Sipas të dhënave të cenzusit të fundit në Shqipëri, 173,645 vetë ose 7.22% e gjithsejtit të popullatës e deklaruan besimin e tyre si ortodoksë. Ndonëse një përqindje e tillë është vënë në pikëpyetje nga ana e KOASh-it, diskutimet për kryeparin e komunitetit ortodoks shqiptar kanë ngjallur diskutime e polarizime të shpeshta. Vëmendje publike kishte marrë veçmas prifti i kishës ortodokse ‘Shën Maria’ në Elbasan, Nikolla Marku, i cili kaloi në pozita mosnjohëse ndaj autoritetit të KOASh. Në anën tjetër, ka pasur jorrallëherë edhe zëra përkrahës ndaj kryepeshkopit Anastasios dhe rolit të tij në rimëkëmbjen e Kishës Ortodokse Shqiptare, krijimin e infrastrukturës fizike dhe stafit shërbyes si dhe, më e rëndësishmja, afirmimi i saj brenda kishave simotra dhe komunitetit botëror ortodoks.


Lajme të ngjashme