Të ulërosh i vetëm në sallë - NACIONALE

Të ulërosh i vetëm në sallë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Hugo Chávez dhe Angela Merkel mund të citohen vetëm si shembuj të kundërt e të tjetëranshëm të të folurit publik. I pari, venezuelasi i ndjerë, njihej për të folmen e tij të egër, të shpejtë e plot temperament populisti, si dikush që vetëm me lugën e zbrazët të retorikës i ngopte mbështetësit e vet. E dyta, ish-kancelarja gjermane, mbeti në kujtesë për stilin e saj të vetëpërmbajtur, me zë të qetë e analitik, që aq shumë rezononte me kulturën gjermane të përkorësisë. Secili kontekst dallon prej tjetrit, dhe çështja që duhet pleqëruar është sa do ta fitojnë të drejtën e qytetarisë fjalimet e egra, plot britma e çjerrje që po i jep ditë-për-ditë kryeministri Kurti. Çudia është se, edhe në sallat e mbushura me mbështetës të flaktë, madje edhe me aso të marrë veresije prej Maqedonisë, Kurti mezi ndiqet nga audienca. Se një pjesë e konsiderueshme e elektoratit dhe Kurtit janë në një raport manipulimi të ndërsjellë, kjo nuk domethënë se gërvalljet e britmat plot arrogancë do ta mbajnë Kurtin edhe më tej popullor.

Col Mehmeti

Ka kultura ku bërtima apelon dhe bën përshtypje, dhe ka kultura ku kadenca e zërit duhet të ketë një fre. Këto të fundit janë kulturat e mbiemërzuara si kolektiviste, ku ekzistojnë sharte e norma zakonore që këshillojnë për vetëpërmbajtje e përkorësi në të folur kundrejt mllefit e zemëratës. Thënë shkoqur, në kultura ku çmohet ekspresiviteti emocional, ngritja e zërit në raste fjalimesh të zjarrta e pasionante mund të shihet si shenjë autenticiteti e fuqie.

Përkundrazi, në kultura të rezervuara e paksa introverte, gërvalljet gjatë fjalimeve mund të përjetohen si humbje kontrolli, dhe kështu ndodh që ulëritësit t’i plagoset besueshmëria. Por, nëse në politikë e fushata zgjedhore përnjëherësh shfuqizohen shumë rregulla përditshmërie, a është kultura e këtushme politike ajo që e akomodon ulërimën, britmën, vigmën e gjestet e agjituara?

Ka plot modele shpjegimore sociologjike e psikologjike, por përgjigjja e parë dhe e fundit është “Jo”. Fushata e VV-së, siç pritej edhe pa nisur, është ajo e një zhbalanci mes një Albini që gëzon mbivëmendje, dhe njëqind e nëntë mëtonjësve për deputetë që nuk bëjnë as gëk, as mëk.

Dy dekada ulërima

Albin ulërimash ka pasur për afro dy dekada mes fjalimesh bardhë-e-zi, gazlotuesve e cakërrimave në rrugë e sheshe me policë. Jonormaliteti i tij sot është gjetkë; tani rrethanshmëria e përgjithshme nuk është ajo e njëherë e një kohe, nuk ka tymuese që hidhen në Kuvend e as shishe molotovi jashtë tij—më nuk bëjnë përshtypje as thikat mbi harta, as kufijtë, as demarkimet, dhe gjithçka është si Djerrina e T. S. Eliotit.

Në një kontekst relativisht të stabilizuar ku opozita për katër vjet nuk nxori nga mëngët asnjë makinacion, Albini zëulëritës është ulërima e vetme edhe midis adhuruesve të tij më fanatikë. Reagimet e audiencës me bajrakë partiakë, me bezin ku shprehet synimi për 500 mijë votat fabuloze, mund të jenë duartrokitje, shpërthime të qeshurash, brohorima apo fishkëllima.

Albini ulëritës e jashtë kontrolli nuk përcillet dot as nga duartrokitje, as nga qeshje, brohorima a fishkëllima: seç vërehet një nemitje si përballë dikujt që e ka sefte skenën dhe mikrofonin. Kjo ‘misofoni’, padurueshmëri ndaj sokëllimave, mund të jetë edhe oguri i një nevoje gjithnjë e më të madhe për normalizim, për çpolarizim e qetësim.

Një trashëgimi e çmendur…

Sikleti vjen e bëhet më i padurueshëm që numrat e tij ekzbicionistë e fitojnë një jetë të re ende pa përfunduar mitingu. Të kontekstualizuara ose të çkontekstualizuara, ato bëhen brum taze për qarkullim viral në platforma e rrjete sociale.

Albini sygapërruar, me tëmtha të nxehur e lëvizje të çakërdisura, shenja këto të një tensioni masiv, po i vë kazmën imazhit edhe ashtu sipërfaqësor të Albinit të sofistikuar e gjuhëartikuluar. Derisa nuk kanë gjasë të fitojnë fare vëmendje pësht-pështet e ndonjë aktivisti zemërplastë se Albini më fort sesa po konsumon po konsumohet prej teprimeve me alkool e stimulantë narkotikë, vigjilenca në dukje mendore, llafazania, euforia e ndjesia e energjizimit zor që do të bëjnë vend në atë që e mendonte si trashëgimi moralisht superior për brezat.

Investimi i tij jetësor ishte kastile për një Albin të papërfunduar, demek të një prijësi që pati vullnetin për ndryshime kthesëshënuese, por që u ndal në gjysmë nga një botë e tërë që intrigoi kundër tij. Ish
Brenda dy javësh do të mësohet nëse Kurti do t’i bëjë shoqëri rastit vulëhumbur të ish-politikanit demokrat, Howard Dean.

Trashëgimia e tij politike si guvernator i Vermontit i lau hashuret kur, më 19 janar 2004, mbajti fjalim në West Des Moines të Iowas. Një “yeah” e tij që doli si çirrje e si sokëllimë, që u bë material për ditë e javë të tëra, e mori në qafë.

Lajme të ngjashme