Të rinjtë janë shpresa, lironi hapësirë! - NACIONALE

Të rinjtë janë shpresa, lironi hapësirë!

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka ndodhur një shkëputje e madhe viteve të fundit nga rrjedha tradicionale kulturore dhe është krijuar një rrymë krejt e re që ka orientim krejt të ndryshëm nga ai që instancat e vjetra provinciale kanë pasur dëshirë të jetë. Rinia ka përqafuar kulturën globale dhe është shkëputur shpirtërisht dhe kuturalisht nga e vjetra, tradicionalja, provincialja. Burimi kryesor kulturor, inspirimi, qëllimi, qenia e tyre sot është globale, e ushqyer nga rrjetet e shumta sociale të cilat ofrojnë një udhërrëfyes jete të një qytetari pa kufinjë, të një qytetari të botës.

Shkruan: Gazmend Demolli

Kur e mendoj të riun e sotëm më shkon mendja te kënga e Lorde, Royals. Në gjithë botën sot të rinjët bombardohen me imazhe të lluksit të shfrenuar, orë dore me çmim marramendës, zingjirë ari me diamante, pishina pa skaj, shampanjë në gota kristali, hotele me yje të panumërta. Është komercializuar ëndrra për një jetë më të mirë. Dubai. Maldives. E gjithandej të rinjët i numërojnë paret e hekurit fshehtas në xhepin e pafund, rrugës për të takuar shokët. Nuk brengosen për lluksin, e gjejnë në ëndrra, e gjejnë në Instagram. Duan që të kenë së paku ndonjë 50 cent që t’i bëjnë bashkë me shokët e tyre për një pije 2 litërshe që do t’a ndajnë së bashku. Edhe kur sot ju mungojnë ato 50 cent, nesër ndoshta do t’i kenë. Dubai është larg. Shokët do të jenë aty. Me rëndësi është që t’a gjejnë vetën në mesin e atyre që i kuptojnë, në mesin e atyre që janë sikur ata dhe ku ndihen mirë. T’i ikin provinciales dhe të pakuptimtës për t’u bërë gati të jenë të barabartë me gjeneratën e tyre.

Nuk më duket se i kuptoni mirë këta të rinjë sot. Nuk i dini as pyetjet për të cilat ata kanë përgjigjje. E mos të flasim për përgjigjjet në pyetjet e tyre. Ata janë shkëputur nga trungu kulturor dhe identitar që ju reprezentoni. Nuk kërkojnë shumë, as ato 50 cent nuk ua kërkojnë, jo nga krenaria, por sepse e kuptojnë jetën e vështirë që ju e keni mbi supe. Ata ju kuptojnë dhe e ndijnë pafuqësinë tuaj. Të gjithë e kuptojmë dhe askush nuk kërkon nga ju të pamundërën. Duhet t’a kuptoni se as ata nuk e kërkojnë të pamundërën. Lluksin. As në ëndërra.

Gjithandej Kosovës kemi Shtëpi Kulture. Shtëpi Kulture. Të mbylluna dry. Për dekor. Aty për të mbajtur tubime politike kur vijnë Baballarët e kombit. Aty për të mbajtur koncerte me instrumente që askush nuk e mbanë në mend kur janë përdorur herën e fundit në popull. Me kostume që askush nuk e mbanë në mend kur janë veshur herën e fundit. Shtëpi Kulture. Për kulturën e shekullit XIX.

Hapni dyert e Shtëpive të Kulturës dhe mbani hapur 24/7. Kthene rininë aty që t’a krijojnë kulturën e të nesërmes. Le të hynë e të dalin si në shtëpinë e tyre. Le të tagojnë, le të thyejnë, le të shkarravisin. Le të jetojnë. Le të dehën, le të lëshojnë muzikë në kupë të qiellit. Le të këndojnë, le të vallëzojnë. Le të dashurojnë, të ndahen, të qajnë. Të qeshin.

Shikoni si ka bërë Lisbona me kontjnerët dhe autobusët e papërdorur, duke i kthyer në qendër kulturore, Village Underground. Shikoni qindra vende tjera. Shtëpitë tuaja kulturore nuk kanë më shpirt. Mjaft më me këto restaurime të së kaluarës, nuk bëhet dot Kosova muze.

Ktheni Shtëpitë e Kulturës në Shtëpi të Rinisë, e rinia do t’a bëjë kulturën.

Lironi hapësirë!

Lajme të ngjashme