Sulmet e egra ndaj Rrahman Jasharajt: Gjërat që i kupton edhe një fëmijë por jo Qeveria
Vjedhja e dinjitetit nuk mund të krahasohet as me vjedhjen e pasurisë e as me vjedhjen e krejt jetës. Të vrasin, domethënë vdes, dhe kurrgjë kurrkujt. Ta vjedhin një pjesë pasurie, domethënë mbetesh i varfër, dhe kaq. Por, nëse ta vjedhin dinjitetin je i shtrënguar ta durosh dhimbjen në secilën frymëmarrje. Ky është fati që po provohet t’i shkruhet Rrahman Jasharajt nga pushteti dhe çështja tashmë është shumë serioze për t’u shpërfillur.
Është e zorshme të rroket nga një mendje e shëndoshë çfarëdo rrethane në të cilën një qeveri e drejtuar nga një parti e majtë i rren ashiqare punëtorët. Thanë se Ligjin e Pagave do ta çonin gjatë muajit mars në Kuvend dhe nuk e çuan. Marsi tashmë i takon të kaluarës, siç i takojnë edhe muajt e mëhershëm derisa sindikalistët me punëtorët pritën e pritën. Por, matanë kësaj rrene ka diçka edhe më të neveritshme: përpjekja e pushtetit që punën katastrofale mbi ide të trasha e naive ta mbulojë me poshtërimin e një qytetari.
Së fundi, zëdhënësi i partisë në pushtet i krahasoi sindikalistët – pra, edhe Rrahman Jasharajn – me qentë endacakë, për shkak të protestës së mbajtur të shtunën me kërkesa krejtësisht legjitime. Ky sulm i shëmtuar na e ekspozon naivitetin e idesë mbi të cilën shtrihet Qeveria.
Jasharajt i përmendet një marrëveshje me PAN-in në vitin 2017 në mënyrë që ta lidhin disi me partitë e mëhershme në pushtet (PDK, AAK, Nisma) dhe potencialisht ta përulin sa më shumë. Në fakt, ajo marrëveshje ishte publike dhe legjitime. U bë në sy të të gjithëve dhe ishte për të gjithë punëtorët e arsimit. Sindikatat bëjnë marrëveshje me partitë politike para zgjedhjeve në mbarë botën për t’i çuar interesat e tyre përpara. Vetëvendosje e kishte pasur të njëjtën ofertë në tavolinë dhe e kishte refuzuar. Pra, marrëveshja e 2017-ës me PAN-in është e vërteta përfundimtare për Rrahman Jasharajn sipas VV-së. Ai është çasti i vetëm domethënës, e prandaj edhe i vetmi që ekziston. Krejt fjalosjet, protestat e grevat e shumta të bëra për një dekadë e gjysmë nuk ekzistuan, siç nuk ekzistuan as komunikatat e Vetëvendosjes. Nuk ekzistojnë as kërkesat e vetë mësimdhënësve e punëtorëve teknikë të arsimit, e ndoshta nuk ekzistojnë fare as vetë mësimdhënësit dhe punëtorët teknikë të arsimit. Problemi përsëri na del të jetë fare i thjeshtë dhe tepër i kuptueshëm: një njeri i vetëm.
Në fakt, individualisht Rrahman Jasharaj nuk përfiton asgjë nga asnjëra kërkesë e shtruar gjatë protestës së 8 prillit. As nga 100 eurot shtesë, as nga Ligji i Pagave e as nga Kontrata Kolektive. Ai është kryesindikalist që po përfaqëson hallet e rritura nga një krizë ekonomike, të mbi njëzet mijë punëtorëve. Dhe, megjithatë përfaqëson edhe diçka më shumë.
Jasharaj është i qartë në kërkesën e tij për të drejtat e punëtorëve të arsimit. Qeveria, jo. Në një anë, ne kemi një kërkesë të qartë të shprehur nga SBAShK-u ndërsa në tjetrën e kemi një refuzim të paqartë e gjysmak të shprehur nga Qeveria. Në një anë kemi parullat dhe argumentet e punëtorëve, ndërsa në tjetrën sulme ad hominem ndaj përfaqësuesit të punëtorëve nga pushteti. Cili është argumenti i pushtetit kundër kërkesave të punëtorëve?
Derisa të mbërrijmë te përgjigja e Qeverisë, të merremi me Jasharajn.
Ideja e kryesindikalistit është që duke i zgjeruar të drejtat e punëtorëve dhe duke e rritur shpërblimin financiar për punën, profesioni i mësimdhënësit gradualisht do të bëhet më konkurues në treg me profesione tjera.
Të diplomuarit më të zotë kosovarë askush nuk mund t’i detyrojë kah mësimdhënia nën kushtet e tregut të lirë. Rrjedhimisht, ata fare natyrshëm janë orientuar kah profesionet që paguhen më së shumti dhe që u ofrojnë perspektivë dhe siguri më të lartë. Një pjesë e tyre nuk merr parasysh të punojë bile edhe as në pozita shtetërore - si deputetë e ministra - e lëre më si mësimdhënës të ciklit të ulët.
Por, Qeveria ka adaptuar nga kreu i saj një qasje tjetër. Ajo beson me njëfarë naiviteti të përçudshëm se mrekullisht një ditë njerëzit më të zotë do të zgjohen nga gjumi e do të punojmë si mësimdhënës thjesht nga vullneti i mirë, pavarësisht kushteve të punës. Siç e dimë, mrekullitë nuk ndodhin dhe realiteti na përplaset fytyrës përditë. Kosova po i humb bile edhe mësimdhënësit e tanishëm të mirë me zgjerimin e vazhdueshëm të tregut të punës, që ndërrojnë profesion sapo u ofrohet një mundësi pak më e mirë.
Nëse nuk besojmë te mrekullitë dhe nëse duam arsim publik më cilësor, nuk është shkencë raketore të kuptojmë se Rrahman Jasharaj ka dhe ka pasur plotësisht të drejtë! Nëse duam mësimdhënës më të kualifikuar nuk duhet t’i kërkojmë ata te vullneti i mirë por te kushtet e mira të punës. Cili është numri i tregtarëve kosovarë sot që punojnë me humbje vetëm që myshterinjtë e tyre t’i blejnë produktet esenciale pa rritje çmimesh? Zero.
Të kthehemi te fillimi i këtij shkrimi. Hajt, çka nëse Rrahman Jasharaj nuk do të kishte të drejtë në kërkesat e tij? Ta zëmë, nëse kushtet e mira për punëtorët e arsimit vetëm çka do t’i dëmtonin punëtorët e arsimit dhe vetë arsimit. A do ta meritonte që t’i zhdukej dinjiteti si qenie njerëzore e të poshtërohej siç po poshtërohet?