Si ta kuptojmë shkurt interpretimin kaotik të VV-së për Albulena Haxhiun? - NACIONALE

Si ta kuptojmë shkurt interpretimin kaotik të VV-së për Albulena Haxhiun?

1 vit më parë

nga Dafina Demaku

(S’është çështje gjinie, është çështje numrash)

Lëvizja Vetëvendosje që dështoi për të gjashtën herë në zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryeparlamentare, e lidh këtë dështim me ‘çështje gjinore’. Më shkurt, kinse opozita nuk po e dëshiron një grua për kryeparlamentare. Pse ky interpretim kaotik i Vetëvendosjes, është edhe i gënjeshtërt?

Në mënyrën më eksplicite, akuza për opozitën ‘patriarkale’ - u shpreh sot nga deputeti Dimal Basha, i cili e quajti opozitën ‘seksite, mizogjene’, “…që po i frikësohet një gruaje të rreptë”.

Vetë deputeti Basha, ishte piketuar si mizogjen nga Qendra Europiane për Shtyp dhe Liri të Medias - në rastin e një deklarate ndaj aktivistes dhe juristes së medias, znj.Flutura Kusari.

“Ka rëndësi edhe kanihere kush fol (ë)” – pati deklaruar deputeti Basha për znj.Kusari të cilën në rreshtat dramatik në vijim, do ta lidhtte me oligarkinë dhe zhvatjen.

“Për shembull e kemi Flutura Kusarin që del dhe do me ta diktu komplet Kuvendin e Kosovës qysh me bo ti një ligj për KPM-në, kur e njëjta në emër të lirisë së mediave del dhe i mbron Devollët në rrugë. Në emër të lirisë së mediave nuk mund me e mbrojt lirinë e oligarkëve , por as me e zhvat këtë Republikë”, kishte thënë Dimal Basha.

Ajo që po thotë opozita ndërkohë, është se për një proces politik e demokratik, siç është zgjedhja e kryeparlamentarit, e drejtë e tyre është të refuzojnë një emër, pavarësisht se cili është ai emër.

Dhe se për shkak të veprimtarisë politike të zonjës Albulena Haxhiut, e cila është e mbushur me fjalor kundërshtues e terma të ashpër ndaj opozitës, kujtojmë: ‘kriminelë’ – për këso fjalori, thotë opozita që s’e voton.

Duke mos e përjashtuar votimin e ndonjë emri tjetër për kryeparlamentar – shenja ka dhënë PDK, emra ka dhënë AAK - mes tyre edhe gra të shquara si znj.Saranda Bogujevci ose Shqipe Selimi, kolegë të znj.Albulena Haxhiu, me interpretimet kaotike të ‘çështjes gjinore’ – me dijeninë ose padijeninë e tyre po ofendojnë zonjat e tjera të partisë Vetëvendosje.

Mes interpretimeve të tyre kaotike dhe duke ekzaminuar nënvetëdijen e njerëzve që përbëjnë partitë (e deridjeshme) opozitare, ata po nënkuptojnë se është një ‘grua e rreptë’ (togfjalësh që e shpikën tek së voni vetë dhe ia ngjitën opozitës) për zonjën Haxhiu dhe janë ‘disa gra të tjera – jo të rrepta, jo të forta, të brishta’.

Për ironi, deputeti sot, iu drejtua edhe kolegeve gazetare “se nuk duhet ta pranojnë argumentin e opozitës” për znj.Haxhiu mu për shkak të 'çështjes gjinore'.

Ndërohë, janë gratë e angazhuara në jetën publike – mes tyre edhe gazetare, mes tyre edhe vetë, ato që kanë qenë në vazhdimësi shënjestër e fushatave linçuese në çdo rrjet social, kryesisht nën siglën: ‘#Me kryeministrin’.

Lajme të ngjashme