Si shpërfytyrohet dhe humb rrugën një luftë për liri
Shkruan: Agon Maliqi
Origjina e konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës është te mënyra se si u menaxhua dekolonizimi i “Mandatit të Palestinës”, një territor shumetnik por me shumicë arabe, të cilin Britania e Madhe “e trashëgoi” nga Perandoria Osmane.
Ishte vala e dekolonizimit dhe, pas Luftës së Dytë Botërore, përmes një procesi të OKB-së, u hap çështja se si ky territor me kaq peshë historike për popuj të ndryshëm mund të bëhej i pavarur. U propozua në vitin 1947 plani i ndarjes në një një shtet çifut dhe një shtet arab, me Jerusalemin si njëfarë protektorati ndërkombëtar.
Çifutëve me këtë propozim iu dha një përqindje më e madhe e tokës se popullsia që e kishin, sepse parashihej migrimi i tyre prej Evropës pas gjenocidit shfarosës dhe lobimit të madh nga komuniteti çifut në SHBA. Dominoi bindja se pas gjithë kalvarit të dhunës që e përjetuan, çifutëve u takonte një shtet komb në territorin ku edhe u themelua etnia.
Origjina e konfliktit qëndron te refuzimi palestinez (dhe më gjërësisht arab) për ta pranuar me dekada të tëra çfarëdo varianti të shtetit çifut - edhe të atij me territor të kufizuar të vitit 1947 - dhe te insistimi për shfarosjen e Izraelit. Këtu fillon edhe cikli i dhunës që i shtyn të dy popujt drejt militarizimit dhe ekstremeve që e ushqyen dhe e “arsyetuan” njëri-tjetrin.
Dallimin në sukses në fund e bënë aleancat. Izraeli me mbështetjen e SHBA e prodhoi një shtet super të zhvilluar ekonomikisht e ushtarakisht dhe një demokraci liberale funksionale.
Palestinezët ndërkohë dëshmuan se kur lufton për liri, po aq e rëndësishme sa lufta për liri është edhe loji i lirisë për të cilën po lufton, dhe se sa lejon që lufta jote të instrumentalizohet nga fuqitë e mëdha.
Rezistenca fillestare palestineze ishte e frymës së majtë dhe dekolonizuese, e mbështetur nga Bashkimi Sovjetik si pjesë e Luftës së Ftohtë. Prandaj edhe gëzoi (dhe vazhdon të gëzojë) mbështetje prej të majtëve.
Por sa më shumë që ngujoheshin në ghetto- tashmë edhe të shtyrë në mjerim nga ekstremi i djathtë agresiv në Izrael me projekte kolonizimi dhe sundimi me forcë, dhe me Bashkimin Sovjetik jashtë loje - aq më shumë Palestinezët e përqafuan Islamin Politik dhe u mbështën në regjime makabre mesjetare si ai i Iranit, duke e vulosur kështu dështimin e kauzës së tyre.
Rezistenca palestineze sot është e shpërfytyruar nga çfarëdo ideje fillestare dhe argumenti moral. Me Hamasin në krye - një organizatë fashiste që para disa ditësh vrau në mënyrën më mizore mbi 1000 civilë të pafajshëm - rezistenca palestineze e ka përmbushur andrrën e ekstremit të djathtë izraelit për ta prodhuar pikërisht këtë lloj armiku dhe për ta legjitimuar thellimin e dhunës. Hamasi i ka mallkuar më së shumti civilët arabë.
Palestinezët, përveçse viktima të fatit dhe rrethanave gjeopolitike që i ndjekin popujt e vegjël, janë edhe viktima të vendimeve shkurtpamëse dhe ngurtësisë për ta pranuar ekzistencën e një shteti hebre si po aq të bazuar mbi parimin e vetëvendosjes sa shteti i tyre. Janë edhe viktima të instrumentalizimit: dje prej Bashkimit Sovjetik, sot prej Iranit. Pyetja që sot shtrohet si rezultat i kësaj nuk është më se a kanë të drejtë për vetëvendosje, por çfarë dreq vetëvendosjeje është ajo e Hamasit?
Ne si shqiptarë të Kosovës nuk është se shquhemi shumë për largpamësi. Por fatmirësisht momenti kyç iluminist na kapi në vitet vendimtare 90 - kur Rugova dhe elita e rezistencës shikonin drejt demokracive të perëndimit, dhe kur Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së i refuzonte grupet e jashtme Islamike dhe grushtin komunist si formë të përshëndetjes ushtarake. Sot, me kaq shumë tifozë të Hamasit nëpër rrjete sociale, dyshoj nëse se do ta kishim këtë largpamësi.