Seksistë, dhunues e patriarkalë: Big Brother tregon çka janë shqiptarët - NACIONALE

Seksistë, dhunues e patriarkalë: Big Brother tregon çka janë shqiptarët

1 vit më parë

nga NACIONALE

Big Brother është një botë shqiptare në miniaturë e kornizuar në një shtëpi me 16 banorë. Duke qenë e këtillë, nuk ka si të mungojnë gjuha seksiste, standardet e dyfishta ndaj grave dhe ngacmimet seksuale. Madje edhe sulmi seksual.

Arta Avdiu

Tashmë ndaj shout televiziv “Big Brother” ka shumë kritika, përfshirë një peticion për ta ndaluar tërësisht shfaqjen e tij. Një numër i madh dëshirojnë ta censurojnë sepse, sipas tyre, në këtë emision ka joetikë, degradim shoqëror dhe kulturor. Por, në bindjen time, kërkesa për censurim vjen si irritim ndaj shpërfaqjes së realitetit shoqëror shqiptar e kosovar. Pra thjesht, shoqëria jonë nuk dëshiron ta shoh veten para pasqyrës, sepse shoqëria shqiptare para BBVK dhe BBVA është para pasqyrës, ashtu si në librin e Alan Andonit. Andaj, kërkohet ndalimi i tij, si një formë për t’i ikur diskutimit mbi vlerat thellësisht problematike, patriarkale e shtypëse.

Duket që një numër i madh shqiptarësh po irritohen kur përballen me traditën e tyre të trupëzuar në një shtëpi të përcjell 24 orë nga kamerat e në formën e njeriut. Nuk ka si të jetë ndryshe për një traditë që nuk qëndron për liri, barazi e drejtësi.

Java e kaluar e BBVK shquhet për ngacmimin seksual të Stresit, ndaj banores ndoshta më të pëlqyer të BBVK, Xhulit. Më herët Stresi e kishte ngacmuar seksualisht edhe banoren tjetër, Gresën. E dhunë seksuale ndaj Gresës ka ushtruar edhe Andi, i cili shihet në një video teksa e puthë pa dëshirën e saj Gresën. Por, të gjitha këto raste u arsyetuan se kështu duan ato. Ashtu siç arsyetohen përdhunimet dhe ngacmimet seksuale kur ndodhin jashtë Big Brother “viktimat vetë kanë dashtë”.

Sulm seksual kishte edhe në Big Brother Vip Albania, nga heroi më i ri i gjithë shqiptarëve, Luiz Ejlli. Luizi iu hodh sipër Kiarës, pa miratimin e saj. Kiara është një grua e re, që njihet kryesisht për refuzimet e saj ndaj Luizit. Por kot refuzon, ajo ende mbetet e përndjekur nga ai. Arsyetimi: Luizi është i dashuruar. Por që Kiara nuk është e dashuruar, që ajo refuzon të ketë ndonjëgjë me të, kjo nuk ka fare lidhje. Ajo duhet t'i plotësojë dëshirat e burrit aty, Luizit. Ashtu siç ndodh kur një burrë i bën presion një gruaje ose edhe e vret pse ajo s’don të jetë më të, vrasësi apo dhunesi arsyetohen në emër të dashurisë e “mbrojtjes së nderit”.

Këto sjellje nuk shihen si të dënueshme nga audienca e emisionit, ndaj edhe produksionet nuk marrin masa. Kur Kejvina e goditi me shuplakë Luizin, shpërthyen sharjet seksiste, raciste dhe kërkesat që produksioni ta largojë atë nga gara. Produksioni, më të drejtë, u detyrua të marr masa ndaj saj. E përjashtoi nga gara. Madje për rastin e saj reagoi edhe Autoriteti i Mediave Audiovizive.

Ndërsa, kur Ejlli e sulmoi seksualisht Kiaren, duke iu hedhur përmbi asaj pa aprovimin paraprak, veprimi i tij as që u konsiderua dhunë. As nuk e shau askush Luizin, dhe nuk ishte asnjë kërkesë që ai të largohet nga loja. AMA heshti siç heshti edhe Komisioni i Pavarur i Mediave për rastet e Stresit dhe të Andit.

Big Brother për reflekton saktësisht atë cfarë në fakt është shoqëria shqiptare. Sikurse në realitetin e përditshëm, edhe në BBVK e BBVA, gruaja është një qenie lehtësisht e cenueshme, pre e “gjuetarit burrë” e objekt që duhet të zotërohet.

Por Big Brother po shpërfaqë edhe hipokrizinë e shoqërisë shqiptare. Standardet e dyfishta ndaj grave dhe po dëshmon edhe njëherë që dhuna seksuale dhe paragjykimet ndaj grave janë normale në të dy vendet tona. Për këtë jemi një pa asnjë dyshim.

Përveç ngacmimeve e dhunës seksuale, brenda dy shtëpive më të famshme në Kosovë dhe Shqipëri, ka edhe paragjykime ndaj grave. Ka një model (shtypës) se si duhet të jenë dhe sillen gratë. Paragjykime që mirëmbahen dhe forcohen edhe nga vetë gratë. Psh. banorja me emrin Xhuli.

Xhuli është ajo banorja grua e idealizuar nga tradita patriarkale shqiptare. Ajo është “nëna” e mirë, gruaja e nënshtruar, amvisja par excellence. Ajo pastron, gatuan, lanë rrobat e të tjerëve, kujdeset për mirëqenien emocionale e fizike të të tjerëve. U buzëqesh të gjithëve. Nuk i kundërpërgjigjet askujt kur e sulmojnë. Tipik një grua e projektuar nga patriarkati: grua e desubjektivizuar. Andaj edhe pëlqehet shumë nga qytetarët. Është favorite për ta fituar BBVK. Xhuli është nga rastet e rralla kur një grua mbështetet masivisht nga shoqëria kosovare. Por si të mos mbështetet kur Xhuli është një shembull i përkryer i patriarkalizmit? Sistemit shoqëror që kjo shoqëri e ndjek dhe mendon së është i shenjtë. I ndërtuar nga vetë Zoti.

Për dallim prej Oltes në Shqipëri, të gjithë e duan Xhulin, gruan e nënshtruar dhe shërbyese. Të gjithë e urrejnë Olten, gruan dominuese dhe rebele. Olta është gruaja më e urryer dhe më e ofenduar e momentit në rrjetet sociale. Olta është njeri moralisht i keq dhe i ligë, sepse ajo nuk i nënshtrohet askujt, aq më pak burrave. E as Luizit. Ajo nuk gatuan dhe nuk pastron asnjëherë. Këto sipas moralit të shqiptarëve janë gjërat më joetike që mund t’i bëjë një grua.

Olta është grua e ligë, e poshtër, që i meriton gjitha të këqijat e kësaj bote. Ajo bile nuk e meriton të jetë as nënë, sipas shumë komentuesve, sepse nënat duhen të jenë të nënshtruara, shërbyese dhe të kujdesën për tjerët. Olta këto nuk i bën. Ajo bën ligësi, sepse ajo kudo që është e merr rolin e lideres. Dominon. Shanë e bertet. Dhe për këto ajo kryqëzohet në rrjete sociale.

Kur Luizi bullizon, bën sulme verbale e seksiste për ta eliminuar ndonjë banorë nga loja, kjo është fantastike, sepse formati është i tillë. Edhe kur bën sulme ndaj një gruaje intelektuale si Diola Dosti. Kur Olta përdorë ndonjë strategji për ta eliminuar ndonjë banorë, ajo është njeri më i ligë i planetit. Epo Big Brother është emisioni i duhur për një aspekt thelbësor. Ai u tregon shqiptarëve se cfarë realisht janë seksist, patriarkal, dominues e keqtrajtues ndaj grave. E natyrisht që shqiptarët irritohen kur e shohin veten në pasqyrë (BBVK e BBVA).

Lajme të ngjashme