Republikanët u çmendën për bastisjen e Trumpit, tash po duken budallenj - NACIONALE

Republikanët u çmendën për bastisjen e Trumpit, tash po duken budallenj

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sa më shumë që mësojmë për bastisjen e rezidencës “Mar-a-Lago” nga FBI-ja, aq më budallaqe e të liga duken mbrojtjet me kafeinë të tepruar të republikanëve për ish-presidentin Trump.

Shkruan: Max Boot, The Washington Post

Si zëdhënës në nivelin e gjenive, Trumpi e përcaktoi frymën me një deklaratë të hënën në mbrëmje duke njoftuar: “Këto janë kohëra të errëta për kombin tonë, pasi shtëpia ime e bukur, Mar-a-Lago, në Palm Beach, Florida, tash për tash është nën rrethim, e bastisur dhe e pushtuar nga një grup i madh i agjentëve të FBI-së. Asgjë si kjo nuk i ka ndodhur ndonjëherë një presidenti të Shteteve të Bashkuara.”

Ky përshkrim i lejoi ndjekësit e tij që të imagjinojnë një skenë drejt nga një pamje e një aksioni të Hollywood-it, ku agjentët e FBI-së i mësyjnë dyert dhe i mbajnë nën tytën e armëve ish-presidentin e ish-zonjën e parë përderisa e plaçkitin shtëpinë. Ndonëse ekipi i Trumpit kishte një kopje të urdhrit për bastisje, ai nuk dha ndonjë shenjë se pse FBI-ja mund të ketë qenë aty, duke pretenduar: “Ky është një sulm nga demokratët e së majtës radikale, të cilët dëshpërimisht nuk duan që unë të garoj për president më 2024.”

Ndjekësit e tij – që e nënkuptojnë goxha shumë tërë Partinë Republikane – iu bashkuan thirrjes pa pasur më shumë informata se këto. Gazetari i “Fox News”-it, Mark Levin, e quajti bastisjen “sulmi më i keq ndaj kësaj republike në historinë moderne, pikë”. Senatori Ted Cruz e quajti “korruptim dhe abuzim i pushtetit”. Senatori Rick Scott e krahasoi FBI-në me Gestapo-n. Pa e lënë anash as ish-kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich, i cili tha se FBI-ja është “Stasi amerikan” dhe i krahasoi agjentët e saj me ujqër “që duan të të hanë”. “Sot është luftë”, deklaroi Steven Croëder, autor podcast-esh me audiencë prej 5.6 milionë njerëzish në “YouTube”. Republikania Marjorie Taylor Greene në Twitter shkroi: “NDALJANI FONDET FBI-së!” Ish-ndihmësi i Trumpit, Stephen Bannon, në mesin e shumë të tjerëve, sugjeroi se FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë (“në thelb organizata kriminale pa ligje”) mund t’i kenë fabrikuar dëshmitë.

Vetëm tash, siç thoshte Paul Harvey, po e dëgjojmë pjesën tjetër të rrëfimit – dhe ajo që është raportuar deri më tani nuk lidhet me fantazitë e përndjekjes të Trumpit dhe të ndjekësve të kultit të tij. Të enjten në mbrëmje, gazeta “The Washington Post” raportoi se agjentët e FBI-së po kërkonin dokumente shumë të klasifikuara që lidhen me armët bërthamore dhe inteligjencën e sinjaleve – dy nga fushat më të ndjeshme në tërë qeverinë e ShBA-së. Muaj më parë, Trumpi mori një fletëthirrje për dokumente dhe Departamenti i Drejtësisë nuk ishte i bindur që ai i është bindur thirrjes.

Trumpi fillimisht pretendoi se “armët bërthamore janë mashtrim, si Rusia”, edhe pse bashkëpunimi i tij i fshehtë në fushatën e vitit 2016 me Rusinë ishte i dokumentuar mirë dhe pastaj pothuajse pranoi se e ka bërë atë duke pretenduar (në mënyrë të rreme) se “Presidenti Barack Hussein Obama” ka marrë dokumente bërthamore. Gazeta “The Wall Street Journal” raportoi të premten se FBI-ja ka marrë 11 grumbuj dokumentesh të klasifikuara, përfshirë disa që e kishin shenjën “top secret”.

Ndërkohë gazeta “The New York Times” raportoi se bastisja u krye nga agjentët e FBI-së “qëllimisht pa i veshur xhaketat me logon e agjencisë, që i veshin zakonisht gjatë bastisjeve”. Klubi ishte i mbyllur dhe Trumpi nuk ishte aty. Ai ishte në Nju Jork, ku do ta përdorte Amandamentin e Pestë kundër vetinkriminimit më shumë se 400 herë gjatë dëshmisë para prokurorit të përgjithshëm të Nju Jorkut. Por sipas avokates së Trumpit, ai dhe familja e tij nuk mundën që ta shikonin tërë bastisjen në kamerat e sigurisë me qark të mbyllur të rezidencës “Mar-a-Lago”. Tepër për pretendimin e krisur se FBI-ja ka mundur t’i fabrikonte dëshmitë!

Kjo informatë e re e kthen narracionin e Trumpit – se ai po trajtohet më keq se kushdo tjetër në tërë historinë e ShBA-së – në kokën e saj. Imagjinoni se çfarë do të kishte ndodhur ndaj një punëtori qeveritar të një niveli më të ulët, të dyshuar për marrjen e dokumenteve shumë të klasifikuara pa autorizim. Unë dyshoj shumë se FBI-ja do të merrej me një person të tillë aq butë sa u morën me Trumpin. Kushdo tjetër që kapet me dokumente “top secret” – dhe i dyshuar për pengimin e drejtësisë e shkeljen e Aktit të Spiunazhit – ndoshta tashmë do të ishte në ndalim federal. Reality Winner, ish-kontraktore e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, ishte dënuar me më shumë se pesë vite burgim për rrjedhjen e dokumenteve të lidhura me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016, shumë më pak të ndjeshme se ato për të cilat dyshohet se Trumpi i ka marrë.

E djathta tash duket se është në rrëmujë. Rrëfimi i vjetër i ish-presidentit është bërë “i paoperueshëm”, siç thoshte sekretari i shtypit i Nixon-it, Ron Ziegler, dhe ata kanë nevojë për një rrëfim të ri.

Por dëmi është bërë. Reagimi histerik dhe i zmadhuar i së djathtës i ka shndërruar në armë ndjekësit e tyre të krisur. Të enjten, një burrë i armatosur vdiq nga një përleshje me policinë, pasi u përpoq që të hynte në një zyrë të FBI-së në Cincinnati. I armatosuri ishte dukshëm kontribuues pjellor në faqen “Truth Social” të Trumpit. Pas bastisjes së FBI-së, një përdorues me emrin e tij shkroi se kjo ishte “thirrje për luftë” dhe “ne duhet të përgjigjemi me forcë”.

Ky do të duhej të ishte moment i kontrollit për republikanët e përgjegjshëm – nëse ka mbetur ndonjë i tillë – për t’u zmbrapsur dhe për të marrë frymë thellë para se të shpërthejë më shumë dhunë. Por fatkeqësisht, shumica e republikanëve duket se nuk mërziten se çfarë tërbimi kanë lëshuar në përkushtimin e tyre ndaj parimit se lideri i tyre suprem duhet të mbetet mbi ligjin.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme