Regjimi i Kurtit hapave të shokut Enver – nga ideologjia deri te mafia me drogë
Kur shteti është buzë kolapsi, dallëndyshet e para lajmërojnë ardhjen e një stine të re, për periferinë që i afrohet dhe i mbivendoset qendrës me krim, mafi e kontabandë. Kësaj i rri për bukuri thënia latinçe “Mors tua, vita mea” (Vdekja jote, jeta ime). Pra, vdekja e shtetit, jeta e krimit! Kur shtetit shqiptar i mbaruan rezervat në hambarë dhe ekonomia socialiste shterpë nuk prodhonte gjë, Sigurimi i Shtetit mori përsipër rolin e mafisë. Cigare e narkotikë ngarkoheshin në Durrës me instruksionet e zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme, dhe çpaketoheshin në Brindisi e Bari prej pjesëtarëve të mafisë italiane. Ndërkohë, popullata e uritur dhe e kequshqyer, nën efektet e narkotikëve ideologjikë, besonte dhembsurisht se Shqipëria socialiste ishte nëna e puritetit dhe vlerave më të kulluara njerëzore. Por, pse ky epizod ka pikëpërkime me mafiozllëkun në katet e sipërme të pushtetit albinkurtist?
Col Mehmeti
E mbetur pa vizion, duke lëshuar çdo ditë grahma e ofshama në rrënojat e eksperimentit të dështuar socialist, diktatura enveriste ç’prej fundviteve ‘60 nisi t’i bënte duart pis edhe me kontrabandë ndërkombëtare.
Pa lejuar ekzistencën e grupeve mafioze që do t’i bënin rivalitet, Sigurimi i Shtetit e pati monopolin e të qenit mafi shtetërore në linjat transadriatike.
Kontrabandoheshin ngarkesa kryesisht me cigare, e mbase edhe me narkotikë, nga njëri breg në tjetrin.
Kjo kronikohet në plot raporte të dekonfidencializuara të shërbimeve inteligjente nga bota perëndimore e lindore.
Kështu, cigare të kontrabanduara, kryesisht të markës Marlboro, vinin prej fabrikave të Shteteve të Bashkuara drejt Evropës Perëndimore, e pastaj ngarkoheshin me kamionë dhe përfundonin të magazinuara në Durrës.
Nga moli i atyshëm, me anije e skafe të huaja cigaret barteshin drejt brigjeve puljeze.
Shteti komunist me vetëdije vilte fitime nga kjo kontrabandë cigaresh që iu përbironin ledheve doganore.
Nëse në fillet e kësaj veprimtarie kriminale kishte qenë e ngarkuar Ministria e Tregtisë, serioziteti i kësaj ndërmarrje me risk bëri që Ministria e Brendshme të ngarkohej me mbarëvajtjen e saj.
Kështu, nga Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit, ajo kaloi në Drejtorinë e Tretë ose te një njësi që quhej ‘Zbulimi Politik’.
Ky mafiozllëk i shtetit komunist shqiptar tajoi rritjen e organizatave namkeqe të mafisë italiane Ndrangheta e Sacra Corona Unita.
Edhe sot mund të përfytyrohet se çfarë zahmeti duhet të kenë përjetuar profesionistët e Direzione Investigativa Antimafia dhe Guardia di Finanza që nuk kishin të bënin thjesht me mafi endemike e piratë çfarëdo, por me një shtet militant komunist që i jepte licensë vetes për veprimtari të tilla.
Popullata e skllavëruar, në anën tjetër, besonte për veten e saj se është një racë e pathyeshme punëtore që nxjerr xehe nga thellësitë e dhéut dhe gërxhet malore i kthen në toka buke.
Megjithëkëtë, kupola e shtetit komunist veç po e racionalizonte piratërinë, mafinë dhe kontrabandën maritime.
Shtypi evropian, sidoqoftë, i kishte rënë në fije kësaj kontrabande të komunistëve shqiptarë.
Më 29 qershor 1989, gazeta zvicerane Journal de Genève shkruante: “…Sipas brigadës së luftës kundër drogës, cigaret vinin nga përtej Atlantikut. Në Anverse ose në Shqipëri ato ngarkoheshin nëpër anije që i çonin drejt brigjeve spanjolle. Malli, cigare, por ndoshta dhe kokainë, transferohej në anije të shpejta dhe shitej në Spanjë.”
Një dokument i brendshëm që qarkullonte mes sigurimsave, me artikullin e mësipërm të gazetarëve zviceranë, kishte të skajshkruar disa porosi të ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Simon Stefani.
“Porosit edhe njëherë shokët që të bëjnë tepër kujdes. Nuk duhet në asnjë çast të ekspozohet vendi ynë. Tepër kujdes do bërë në Durrës.”
Shënime si këto tregojnë se marshallët komunistë më fort ishin në hall nga gazetat evropiane sesa nga prapësitë e xanxat që i bënin.

Kriminaliteti shtetëror nxjerr krye kurdo që ekonomia e merr teposhtëzën dhe elitat nuk janë në gjendje as të kenë një përfytyrim se çfarë duhet ndryshuar.
Është ajo zhvendosje mes skajesh që Jens Stilhoff Sörensen e kishte quajtur kolaps shteti dhe rindërtim periferie.
Edhe regjimi albinkurtist, në rrethanat e një ‘rrethimi’ të plotë me sanksione të dyfishta ndërkombëtare, po e racionalizion kodin mafioz.
Kur ekziston vullnet absurd i qeverisë kundër biznesit vendor, njerëzit e regjimit priren të sofistikojnë mjetet e të përvjelin mëngët edhe për punë mafie.
Deri më tani, njerëz të tryezës së Kurtit janë përfshirë edhe në mafinë energjetike në rajon, edhe në mafinë e narkotikëve.
Për të parën, rasti më ngjethës ka qenë ai i ambasadorit të Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj, i cili në saje të lidhjeve të tij me institutin kundërthënës slloven IFIMES e kishte promovuar Kurtin dhe partinë e tij.
I quajtur prej ish-kryeministrit si “patriot Malësie dhe profesor i shkëlqyeshëm”, Berishaj, në cilësinë e drejtorit dhe aksionarit në “MB Consulting”, ishte përfshirë në transaksione të dyshimta parash (së paku 1.5 milion euro) me filialin e GEN-IT në Beograd.
Në anën tjetër, anëtari tjetër i VV-së Shemsi Bahtiri del të jetë një baron i frikshëm droge që, sipas cilësimit të Prokurorisë, me grupin e tij kriminal merrej “me trafikimin e lëndëve narkotike si kokaina, heroina e marihuana, nga Shtetet e Amerikës së Jugut, Iranit dhe Turqisë për në Kosovë.”
Një VV-ist tjetër që i kishte përvjelur mëngët në biznese të pista ishte edhe asambleisti i saj në Prishtinë, Besnik Mujeci.
Në një ditë të zabullimtë të gushtit të vitit 2023, Policia e Shtetit, në Shqipëri, e vuri në pranga aktivistin e VV-së.
Hetimet e autoriteteve shqiptare kishin zbardhur skemën e dilerit prishtinas dhe grupit të tij me bashkëpunëtorë tironsa që shfrytëzonin linjat e autobusëve Prishtinë-Tiranë dhe bënin shpërndarjen e ‘mallit’ me anë të autoveturave të marra me qira.
Sipas njoftimit të Policisë, të arrestuarve iu ishin gjetur 11300 tableta ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.
Afërmendsh, raste si këto, prima facie, nuk mund të merren si akuzë për ta flakareshur VV-në si narkoparti; në të vërtetë, raste si këto dëshmojnë se kur vizioni ekonomik nuk ekziston, kur edhe ideologjia kallpe nuk kryen punë, atëherë dëshpërimi i bën gjithnjë e më shpeshta manifestimet eskobariste. /Nacionale/