Pse fjalia e sotme e Kurtit para ushtarëve të FSK-së, na rikthen me shkas në një bisedë të tij me invalidin e luftës? - NACIONALE

Pse fjalia e sotme e Kurtit para ushtarëve të FSK-së, na rikthen me shkas në një bisedë të tij me invalidin e luftës?

9 muaj më parë

nga Dafina Demaku

Në vitin 2010, një invalid i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë një takimi me Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, kishte kërkuar ngritjen e një statuje të Adem Jasharit në Prishtinë.

Kjo kërkesë, tingëllon ende sot në veshët tanë, më shumë se njëzet vjet pas çlirimit të Kosovës, sepse sot e shumë vjet, është kërkesa e shumë prej nesh.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila më vonë do ta drejtonte kryeqytetin për dy mandate radhazi, nuk e përmbushi këtë kërkesë.

Në atë takim të vitit 2010, Albin Kurti kishte dhënë një deklaratë:

Politika pa histori është lojë.”

Si një thirrje që tingëllonte e fuqishme, kundër harresës, në atë fjalim Kurti do të bënte edhe një kritike për klasën politike të asaj kohe, ‘për shpërfilljen e luftës çlirimtare dhe të veteranëve të saj”.

Ai theksonte me vendosmëri se e kaluara nuk duhet të harrohet, sepse pikërisht mbi sakrificën dhe vlerat e asaj lufte ishte ndërtuar shteti i Kosovës. UÇK-ja zinte vendin që i takonte – në atë fjalim të Kurtit.

Por sot, një dekadë e gjysmë më pas, qëndrimet publike të Kurtit tingëllojnë ndryshe. Lënë hapësirë për interpretim.

Gjatë një ceremonie para ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës – pasardhëse institucionale e UÇK-së – ai deklaroi:

“Përballë armikut e çfarëdo kërcënimi të paqes a të sigurisë, më nuk qëndron Kosova e dikurshme, por Ushtria e Kosovës me shumë të rinj e të reja, që si ju ballëhapur bartin uniformën me shqiponjën sypatrembur në krahë.”

Kjo fjali, megjithëse për qëllime motivuese, përmban një abstraktizim të plotë të historisë së luftës çlirimtare dhe të kontributit të UÇK-së.

A nuk ka kurrëfarë relevance më ‘Kosova e dikurshme”?

Ironikisht, pikërisht këtë veprim, politikën pa histori – Kurti e kishte gjykuar e kritikuar dikur.

Ai sot e bën atë që dikur e kritikonte me bindje: ndërtimin e politikave duke e lënë pas të kaluarën.

Lajme të ngjashme