Pse duhet te lirohen krerët e anatemuar të UÇK-së?
Shkruan: Agim Sopi
Merreni me mend, (nëse mund ta përfytyroni), sikur krahas kriminelëve nazist, në Gjyqin e Nyrmbergut (Nürnbereger Prozesse) të gjykoheshin dhe dënoheshin edhe krerët e rezistencës hebreje!!! (Natyrisht, për shkak të baraspeshës ‘humane’ të paragjykuar nga ‘mendjet e hapura të botës’ me pretekstin se nuk ekziston faji bardh e zi, por faji duhet të shpërndahet në të dy anët: në anën e viktimës (pse ka rezistuar dhe nuk ka ndenjur gatitu para vdekjes së dhunshme), dhe ne anën e xhelatit i cili është ‘lodhur shumë’ duke torturuar viktimën deri ne vdekje! E tmerrshme! Te dhjefsha logjiken e ‘mendjeve te hapura nacional-fashiste’. Vërtet, po që se atëbotë do të mbizotëronte një bindje e tillë, ku do të ishte bota sot?! A po bëhet sot, Vlladimir Putini humanist, kurse Nenë Tereza kriminele, apo Idi Amini hero, kurse Mahatma Gandhi tradhtar?!... O tempora o mores! ‘Turp për kohën tonë’ do të thoshte Marcus Cicero.
Në kohën tonë, që nga Viti Zero, shtrihet epoka e humanizmit. Nga kjo kohë, njerëzit nuk sakrifikohen më për ‘Perëndinë’, sepse Perëndia nga epoka Abrahamike, saktësisht, që kur Biri i Perëndisë (Joshua) u sakrifikua për njerëzimin, kjo logjikë thellësisht humane, sot mbizotëron në kontinentin tonë të vjetër – në Evropë, qoftë edhe në mesin e mosbesimtareve, gnostikeve apo besimtareve, sepse ky është parim i ekzistencës njerëzore! Pa dashur të predikoj mbi zgjedhjen humane apo jonjerëzore te akëcilit njeri, qofte ai zyrtar, epror, burrështetas, apo dreq i mallkuar me brirë, dua që për te gjithë neve që ndajmë boten si shtëpinë tonë te përbashkët, të rikujtoj edhe një herë një nga historitë e turpit me të cilat po hamendet të vishet Evropa sot. Po rikujtoj një histori të pabesueshme dhe te paarsyeshme për logjikën e njeriut normal, që megjithatë po ndodhë para publikut të verbër të Evropës i cili nuk e sheh, apo nuk do ta shoh ketë tregim turpi që do të lë vragë të thellë në moralin e shoqërisë të së drejtës dhe humanizmit. Po përpiqem te rendis disa faktet nga e para, me shumë pikëpyetje e dilema, sepse kemi të bëjmë me një proces kafkian kur ‘Jozef K ishte i dënuar duke mos e ditur pse?!”
Sipas burimeve zyrtare perëndimore, në luftën e Kosovës gjatë periudhës së vitit 1997 -1999, janë vrarë 12, 452 shqiptar dhe 2,197 serb. Janë vrarë 1,133 fëmijë shqiptar nga të cilët 239 fëmijë deri në moshën pesë vjeçare, janë përdhunuar rreth 20 mijë gra shqiptare dhe janë dëbuar me dhune nga Kosova mbi një milion shqiptar. Ushtria serbe dhe shteti serb, ka dëmtuar apo shkatërruar tërësisht 237,842 shtëpi dhe prona familjare të shqiptarëve. Gjatë vitit 2000, në Kosovë janë identifikuar 529 varreza masive me më shume se 5,000 shqiptar te vrarë. Gjatë luftës së paramenduar të shtetit serb me qëllim të spastrimit etnik dhe tendencës për ta okupuar përfundimisht territorin e Kosovës, Serbia ushtroj gjenocid mbi popullatën civile.
2.
Si pasojë e krimeve të rënda, në Kosovë u krijua rezistenca e armatosur e mbledhur rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas vitit 2000, Tribunali i Hagës, akuzoj shumë politikan dhe udhëheqës ushtarak të shtetit të Serbisë, për të cilët besohej se kishin kryer krime te renda dhe gjenocid mbi popullatën civile. Gjenerali i armatës jugosllave Nebojsha Pavkovic, i cili udhëhoqi luftën e spastrimit etnik dhe te vrasjeve masive në Kosovë u dënua nga Tribunali i Hagës me 22 vjet burg, kurse gjenerali famëkeq Vlladimir Llazarevic, u dënua për krime kundër njerëzimit me 15 vjet burg. Lideri nacional-komunist Sllobodan Millosheviq, i cili shkaktoj luftërat ne ish-Jugosllavi, vdiq derisa po mbahej ne paraburgim dhe nuk u dënua asnjëherë. Nuk u dënuan shumica e gjeneralëve, udhëheqësve politik dhe oficereve vrastar të kësaj periudhe. Përkundrazi, shume prej tyre u rehabilituan, u dekoruan dhe u ri-instaluan në majat e politikes dhe institucioneve supreme të shtetit serb, sikurse është rasti me presidentin e Serbisë Aleksander Vuqiq si dhe me drejtorin e Agjencisë të Inteligjencës së Sigurisë (BIA), ministrin e punëve te brendshme, ministrin e mbrojtjes dhe zëvendës-presidentin Aleksander Vulin, i cili bashke me Aleksander Vuqiq, ishin ministra te informacionit dhe propagandës gjate Luftës së Kosovës. Apo rasti i gjeneralit famëkeq Bozhidar Delic, komandanti i Brigadës 549, formacion i cili kishte udhëhequr masakrën e Mejës, masakrën e Krushës dhe masakrën e Suha Rekës, duke vrarë më shumë se 1,000 civil. Bozhidar Deliq, ishte Nen-Kryetari i Kuvendit te Serbisë. Tribunali i Hagës, duke dashur te relativizoj luftën okupatore te Serbisë kundër popullatës shqiptare të Kosovës, akuzoj disa nga udhëheqësit kryesor të UÇK-se. Në mesin e të akuzuarve ishin edhe dy komandantët më të njohur të UÇK-së, z. Ramush Haradinaj dhe z. Fatmir Limaj. Mbas hetimeve disa vjeçare dhe gjykimeve te stërzgjatura, të dy komandantet u liruan si të pafajshëm në mungesë të provave fajësuese.
Megjithatë, Rusia dhe Serbia nuk ndaluan qëllimet e veta ekspansioniste për okupimin e territoreve dhe shteteve te popujve tjerë, duke ringjallur ëndrrën e moçme pansllave për daljen e Rusisë ne ‘ujerat e ngrohta’ të Adriatikut, prandaj bënë një fushate djallëzore për te mashtruar opinionin publik dhe institucionet e Bashkimit Evropian me përralla ezopiane prapa së cilave do të fshiheshin qëllimet e tyre për fillimin e luftërave të reja pushtuese (ne Ukrainë e Moldavi dhe përmes Serbisë në Bosnjë Hercegovinë dhe Kosovë).
Duke u nisur nga porosia e ‘babait te kombit serb’, presidentit të dikurshëm të ex-Jugosllavisë, akademikut Dobrica Çosiq i cili kishte proklamuar se ‘gënjeshtra për interesat strategjike serbe, si armë e fortë, duhet të përsëritet në vazhdimësi derisa të behet e vërtetë’. Sipas këtij parimi, shteti i Serbisë, me mbështetjen e pa rezervë te Putinit dhe Rusisë, involvuan edhe çështjen e Kosovës në ‘Marrëveshjen për Iranin’ të dakorduar mes presidentit amerikan Barak Obama-s dhe presidentit rus Vladimir Putinit. Si aneks kolateral në këtë marrëveshje, u fut edhe kërkesa ruso-serbe ‘për gjykimin e krerëve te UÇK-se si baraspeshë politike për dënimin e ushtarakëve serb.’
3.
Pas kësaj marrëveshje famëkeqe e cila rezultojë me luftën e madhe te SHBA-ve dhe Iranit, të udhëhequr nga presidentit D. Tramp. Kjo luftë eskaloj në gjithë Lindjen e Mesme, duke paralizuar e destabilizuar të gjitha rrjedhat energjetike te botes, luftë së cilës ende nuk i shihet fundi, krejt falë ‘Marrëveshjes...’ miope në mes të z. Barak Obama dhe z. Vladimir Putin. Fatkeqësisht, kjo marrëveshje miope, destabilizoj rëndë edhe Republikën e Kosovës. Rrënoj një qeveri legjitime dhe të establishuar duke nxjerr nga binaret e normalitetit gjithë strukturat shtetërore që u shkaktua nga paraburgimi i Kryetarit te shtetit dhe Kryetarit te Parlamentit. Fillimi i rrënimit djallëzor i ‘shtetit më pro-Amerikan në botë’, filloj me punën e pakontrolluar të inteligjencës ruse dhe serbe, duke riorientuar popullatën e hutuar drejt Lindjes (Rusisë), saktësisht drejt të majtës ekstreme e cila aso kohe kishte marr fuqi në gjithë Evropën. Po, si ndodhi gjithë kjo avari politike e paramenduar?
Si fillim, presidenti rus Vladimir Putin, kishte angazhuar diplomatin dhe politikanin e tij të besueshëm, Konstantin Kosachev për një ‘mission delikat’. (Konstatin Kosachev, aktualisht është njëri nder zërat me te fuqishëm te Vladimir Putinit ne përkrahje te krimeve të luftës dhe gjenocidit që po ushtrohet mbi popullin e Ukrainës.)
Zoti Kosachev, me datë 15 prill të vitit 2008, kërkoj nga Këshilli i Evropës hetim special për Ushtrinë Çlirimtare te Kosovës duke pretenduar se krerët e kësaj ushtrie kishin ushtruar “trajtime çnjerëzor dhe trafikim të organeve” gjate periudhës se luftës ( Sipas dëshmitarëve okular nga rajoni i Drenicës, dyshohet se veprime te tilla kishte ushtruar ushtria serbe me viktimat shqiptare te cilave pasi u kishin marr organet, i kishin ekzekutuar dhe trupat e tyre i kishin djegur ne furrat e shkritores së Ferro-nikelit ne Drenas të Kosovës. Po ashtu, veprime te tilla dyshohet se ka kryer edhe ushtria ruse ne disa vende te Ukrainës). Duke injoruar faktet dhe realitetin në terren, Kosachev u ngrit mbi gërmadhat e viktimave civile dhe me bindjen e Dobrica Cosiq-it ‘se gënjeshtra qe vazhdimisht perseritet bëhet e vërtetë’, kërkoj nga Këshilli i Evropës, duke besuar se: “Anëtarët e Kuvendit janë të bindur se krime të tilla monstruoze meritojnë dënimin më të fortë në emër të popujve evropianë, të mbledhur në Këshillin e Evropës në qëllimin e përbashkët për mbrojtjen dhe zbatimin e idealeve dhe parimeve që janë vlerat tona të përbashkëta’. Kështu kishte arsyetuar asokohe gënjeshtrën djallëzore K. Kosachev. Për thurjen e narracionit fantastiko-infantil, ai ishte pajisur me shume ‘te dhëna te dorës së pare’ të fabrikuara nga shërbimet sekrete ruse dhe nga prokuroria e ushtria serbe në Beograd. Ai, aso kohe kishte ngritur një mocion të manipuluar, të cilin kishte arritur ta kontrabandoj dhe ta shtyjë për votim në Këshillin e Evropës duke i hapur rrugën pastaj përpilimit të ‘Raportit (po ashtu te manipuluar) të Dick Martyt’.
4.
Mbështetur në këtë ‘Raport’, ishte themeluar një ‘Taskë Forcë’ speciale për hetimin e pretendimeve që do të ngritë raporti i tij. Ketë ‘Task Force’ e udhëhoqi prokurori amerikan John Clint Williamson. Pas disa muajsh hetime, Wiliamson kishte deklaruar se: ‘nuk kishin gjetur prova për trafikim me organe njerëzore’.
Ne fillim te vitit 2021, u zbulua se ish-prokurori, këshilltari shtetëror dhe raportuesi për Këshillin e Evropës, Dick Marty i cili sipas Agjencisë Informative te Zvicrës, u kërcënua me vdekje nga ‘elementë radikalë të shërbimeve inteligjente serbe’, të cilat e kishin shënjestruar për ekzekutim.’ Ekzekutimin e shmangu veprimi i shpejtë i policisë federale zvicerane, e cila siguroi mbrojtje të ‘hekurt’ për zotin Marty.
“Në datën 18 dhjetor 2020, mora një telefonatë nga policia që më njoftonte se kërcënohesha me vdekje’, thotë Dick Marty, duke vazhduar: "kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t'ua vënë fajin kosovarëve”.
Sipas Ministrisë Publike te Konfederatës se Zvicrës, ‘vrasja e Dik Martit iu besua burrave serbë që kanë kryer prej kohësh misione të tilla për shërbimin sekret serb dhe të cilët ishin trajnuar prej tyre si 'profesionistë absolut' që do ta zotëronin atentatin 'pa lënë gjurmë'.
Tani më është e ditur se raporti i Dick Marty-t ka qenë i pabazuar. Këtë e ka vërtetuar edhe Gjykata Speciale, e cila u krijua mbi pretendimet e këtij raporti, por çfarë është me rëndësi të nxirret në pah pas dështimit për tu argumentuar ‘operacionet e pretenduara monstruoze’, është fakti se prokuroria serbe dhe shërbimet sekrete, e kishin pajisur me materiale te shumta z. Dick Marty ne përpjekje për te ngritur akuza false. Në fakt, te gjitha burimet e akuzave te rreme ndaj UÇK-së janë fabrikuar nga shërbimet famëkëqija te ushtrisë, prokurorisë dhe policisë së Serbisë, shërbime te vërtetuara ndërkombëtarisht se kanë kryer gjenocid dhe krime kundër njerizimit ne luftërat kundër popujve jo-serb te ish-Jugosllavisë.
“Ideja ime, pasi që jam vendosur në Zvicër, faktikisht ka qenë të takojë Dick Martyn, i cili asokohe sapo ishte emëruar raportues i Këshillit të Evropës. Nga ana e prokurorisë sonë për krime të luftës, kam qenë i informuar se dëshmitë tona mbi atë se çfarë ka ndodhur në veri të Shqipërisë kanë qenë shumë të forta, bindëse dhe kam vlerësuar se kjo është një arsye e mjaftueshme që veprimi im i parë në Zvicër duhet të jetë njoftimi me Dick Martyn dhe atë e kam njohur para se të dorëzoja letrat kredenciale dhe kam vazhduar të bashkëpunojë me të”, ka deklaruar ish-ambasadori serb në Zvicër, Milan Protiq. “Dick Marty e ka pranuar materialin e mbledhur me përkushtim nga njerëzit tanë, nga prokuroria, hetuesit, përfshirë edhe policinë, dhe në bazë të këtij materiali, ai e ka hartuar raportin”, thotë ish-ambasadori i Serbisë në Zvicër, Millan St. Protiq.
5.
Çfarë besueshmërie mund te ketë pasur një raport i cili është sajuar mbi bazën e ‘materialeve te policisë, prokurorisë dhe shërbimeve të ushtrisë serbe’ e cila ne luftërat e ish-Jugosllavisë ka vrarë mbi 140.000 civil dhe sot e kësaj dite vazhdon të mohoj masakrat e gjenocidin, vazhdon të mohoj Srebrenicen, Sarajevën, Vukovarin, Prekazin, Reçakun, Mejën apo Suharekën?! Çfarë vërtetësie ofron shteti i cili kryekriminelin e masakrës se Srebrenicës, gjeneralin Ratko Mlladiq, e shpall sot hero të popullit serb! Çfarë populli na qenka ky që jeton dhe ushqehet nga procesionet nekrofile te luftës dhe nga hijet e të vrarëve pas spine dhe të masakruarve në copa mishi për ushqim të qenve të ushtrisë?! Çfarë vërtetësie ofron shteti që solidarizohet me Vladimir Putinin dhe krimet monstruoze qe sot po ndodhin ne Ukrainë. Çfarë vërtetësie ofron shteti që kërcënon vazhdimisht me zgjerimin e luftës në Kosovë, Bosnje dhe gradualisht në gjithë Evropën?!
Pas gjithë këtij realiteti të vrazhdë, pas gjithë këtyre fabrikimeve monstruoze dhe pas dështimit për të dëshmuar qofte edhe me dëshmitar të fabrikuar e të rreme lidhur me ‘trafikimin e organeve njerëzore’, Dick Marty vdiq në mënyrë të mistershme, por atij nuk i ra nder mend asnjë herë që edhe pas dekonspirimeve manipulative dhe pas tentimit për tu likuiduar nga shërbimet sekrete serbe, do të duhej t’ju kërkoj shqiptareve falje për raportin e tij të rremë? A do t’i bie dikujt nder mend nga gjithë ata deputet dhe politikan evropian të cilët e kanë përkrahur e votuar atë raport famëkeq te fabrikuar, që pas hetimeve të thella dhe konstatimeve te prokurorit Willimason se ‘nuk ka pasur trafikim te organeve’, vërtet t’ju kërkohet falje shqiptareve dhe krerëve të UÇK-së? A do ti bie dikujt nder mend, se pas dëshmive të personaliteteve më kredibile të involvuar ne luftën e Kosovës dhe në ‘Bisedat e Roumbullet-s’, pas dëshmive të krerëve te NATO-s dhe zyrtarëve të involvuar të State Departament-it Amerikan, dhe konstatimeve të tyre se UÇK, ishte një guerile që mbronte qenien e vet, pragun e shtëpisë, pra pas gjithë këtyre dëshmive zyrtare, ende duhet besuar përrallave?! Ende duhet besuar Prokurorëve te dyshimtë dhe të involvuar në afera të kurdisura siç ishte rasti i kryeprokurorit Jack Smith, apo rasti i Zdenka Pomper, koordinatore e hetimeve në Prokurorinë e Specializuar të Hagës, së cilës iu zunë dëshmitë e përgjuara telefonike me bashkëpunëtor të BIA-s serbe, Nazim Bllacën i cili ishte rekrutuar nga ajo për të rekrutuar dëshmitar të rrejshëm, të cilët do të pretendonin se komandantët e UÇK-së dhe krerët e shtetit të Kosovës, ishin ‘Organizatë e bashkuar kriminale’?! Kush duhet te kërkoj falje nga politikanet evropian, apo nga krerët e gjykatës se vetme me premisa raciste, e krijuar nën petkun politik për të paragjykuar luftën çlirimtare të shqiptareve me qellim të barazimit të viktimës me xhelatin (kriminelin)?! Kush duhet te kërkoj falje për mbajtjen ne burg të heronjve dhe udhëheqësve shqiptar të Kosovës për më shumë se pesë vjet, pa asnjë lloj akt-gjykimi kredibil?! A mund të gjejë kjo gjykatë qoftë edhe një shembull të vetëm në botën demokratike, kur i akuzuari mbahet ne burg pa aktvendim gjykate?!
6.
Cili është ai shtet që ka krijuar këtë gjykatë në kundërshtim me Kushtetutën e vet, në kundërshtim me ligjet e veta në fuqi?! ...
Kush duhet t’ju kërkoj falje shqiptareve për këtë panaxhyr cirku që po zhvillohet ne zemër të Evropës?! Jo për t’ua shëruar shpirtin e lënduar atyre, por të paktën për te pastruar ndërgjegjen e vet të vrarë.
Nëse ende dikush në Evrope i beson raportit propagandistik të sajuar mbi fabrikimet e ushtrisë, gjyqësisë e policisë serbe, të veshur me kostumin e Dick Marty-t, atëherë le ta kuptoj se logjika e civilizimit evropian në shekullin e XXI po futet në zonat e errëta prej nga druaj se askush prej nesh nuk do te dal si qenie humane! Gjykata Speciale, sajoj një aktgjykim pa subjekt! Një aktgjykim shterpë i cili në asnjë rrethanë normale juridike, nuk mund të prodhoj drejtësi!
Dhe për fund, dua të shtoj: Gjykata Speciale e Hagës, është krijuar nga shteti i Kosovës. Është votuar nga Parlamenti i Kosovës. Gjykon në emër të popullit të Kosovës. Por shtrohet pyetja: Në emër të cilit popull?! Në emrin tim si shtetas i Republikës së Kosovës, sigurisht se jo! Në emrin e familjes sime, shumë sigurisht se jo! Në emër te miqve dhe të njohurve të mi, jo se jo! E unë kam shumë miq dhe njoh e më njohin, shumë njerëz. Me një fjalë, në emrin e popullit të Kosovës, kjo gjykatë nuk ka të drejtë as legjitimet për të gjykuar. Ne, në fillim jemi pajtuar me vendimin e Kuvendit të Kosovës që të themelohet kjo Gjykatë duke besuar ne drejtësinë evropiane. Por tani, kur është dekonspiruar misioni anti-shtetëror dhe anti-kosovar i kësaj gjykate, ajo më nuk e ka besimin e popullit të Kosovës. Do të donim shumë që kjo Gjykatë ta dëshmonte të kundërtën. Ta dëshmoj se përkundër trysnive, nuk ka pranuar të shndërrohet ne instrument politik, por ka ruajtur parimin primar të së drejtës dhe gjykon vetëm në emrin e të drejtës! Atëherë, pavarësisht diskriminimit dhe mbajtjes së paligjshme në paraburgim të heronjve tanë, pavarësisht destabilizimit të shtetit të Kosovës, ne do t’i duartrokasim! Do ti duartrokasim bashkë me duartrokitjen e madhe për çlirimtarët tanë: Hashim Thaqin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Baca Jakup Krasniqin! Ky do të ishte një fund i lumtur për të gjithë neve. Para së gjithash, një fund i lumtur për stabilitetin në Evropë!