Politika nuk është vetëm arti i së mundshmes, por edhe arti për të bërë të mundur atë që është e nevojshme - NACIONALE

Politika nuk është vetëm arti i së mundshmes, por edhe arti për të bërë të mundur atë që është e nevojshme

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan Gazmend Demolli

Josep Borrell, kur doli nga takimi i Ohrit, tha "djalli është në detaje", dhe vazhdoi të theksojë se “ndonjëherë, djalli mund të qëndrojë edhe në kalendar, në agjendë dhe në kohë”.

Moszbatimi dhe mos-implementimi i marrëveshjeve të arritura, ka rritur mosbesimin se marrëveshjet në vijim do të mund të implementohen, dhe si pasojë ka shpjer drejt një pamundësie të akordimit në sekuencën e implementimit, pra në status-quo, në ngecje, dhe si rrjedhim në një spirale ku mundësitë ngushtohen, shtegdaljet janë të pakta, ndërsa gabimet të shumta.

Ishte pasojë e mosbesimit, edhe gabimi i madh i komunitetit serb, kur lëshuan institucionet në komunat veriore. Mundësitë vazhduan të shteren. Dhuna të shtohet. Gabim i madh që bojkotuan zgjedhjet vijuese.

A ishte e mundur lënia e vakumit institucional dhe administrativ në ato komuna? Jo, në asnjë mënyrë. Ligji definon kompetenca, obligime dhe detyra për nivelin lokal që nuk mund të tjetërsohen dhe kryhen nga një organ tjetër. Në një komunë, kryetari i saj ka kompetencë, të tjerët kanë detyra dhe obligime.

Pra, zgjedhjet ishin të nevojshme, të domosdoshme, dhe e vetmja mundësi. Në domenin e kompetencave nuk mund të ketë improvizime, sepse çdo akt i jashtëligjshëm prodhon vetëm vendime të jashtëligjshme.

Nuk kishte mundësi tjetër.

Vakumi institucional kur stërzgjatet është i dëmshëm për qytetarët, bllokon jetën ekonomike, sociale, pamundëson jetën në komunitet, duke forcuar ilegalen, krimin, anarkinë - e dëmton të dobëtin, të drejtin. Kjo tanimë ka shpërthyer në dhunë. Në mosbindje. Në spirale.

Është më se e nevojshme të krijohen ura mirëbesimi me komunitetin lokal. E mundshmja nuk mjafton. Duhet bërë të mundur atë që është e nevojshme.

Marrëveshja e Ohrit është çelësi i madh. Është një marrëveshje e mirë, e nevojshme, dhe e domosdoshme. Është në të mirë të Kosovës, dhe të gjithë qytetareve të saj. Implementimi i saj sa më i shpejtë do të krijojë mundësi për kthimin e rendit dhe qetësisë, ligjit dhe zbatimit te tij.

Në ndërkohë, dhe urgjentisht, duhet diskutuar me komunitetin lokal atje. Jo vetëm për de-eskalim, shumë i domosdoshëm, i pamjaftueshëm, por edhe për rikthim të mirëbesimit dhe bashkëpunimit.

Shembull, një mënyre e mundshme do të ishte, një marrëveshje që mundëson që drejtoritë të udhëhiqen nga drejtorët paraprak, dhe kryetarët paraprak të emërohen në pozita ndërlidhëse mes kryetarit dhe drejtorive. Të krijohet një vazhdueshmëri efektive.

Ose, nëse kjo nuk është e mundur, drejtorët mund të emërohen nga personeli administrativ lokal, ta zëmë, me te moshuarin nga sektori, për të evituar që ata të diskualifikohen nga komuniteti, si ‘të ndershëm’.

Ose, siç kanë sugjeruar ndërkombëtaret, kryetarët mund të punojnë nga zyra alternative. Edhe pse ngjanë në krijimin e strukturave paralele ndaj strukturave paralele. Nuk besoj se është zgjidhje afatgjate, por e nevojshme deri në një marrëveshje më të madhe.

Mirëbesimi mund të ndërtohet edhe nga profesionistët: për shembull mjekët, duhet të bisedojnë me kolegët e tyre për te zgjedhur probleme që mund të dalin si pasojë e politikes.

Mirëbesimi mund te arrihet edhe përmes një terapie shoku investimesh infrastrukture lokale, përmes firmave lokale, duke krijuar punë dhe mirëqenie.

Është art, politika, përtej të mundshmes.

Lajme të ngjashme